Denoncuan një avancim të paligjshëm në UT, FNA dhe Blendi Hodai përballen me kërcënime

Forumi për Ndryshim në Arsim, sot përmes një reagimi, kanë njoftuar së stafi dhe platformat e këtij forumi po sulmohet dhe kërcënohen vazhdimisht, pasi siç thonë ata kanë publikuar dëshmi për për një avancim të kundërligjshëm në kuadrin akademik në Universitetin e Tetovës.
Në reagim thuhet se përmes profileve fallco është kërcënuar drejtori i këtij Forumi, Blendi Hodai, informon Telegrafi Maqedoni.
Rasti është paraqitur në polici, teksa po ndërmerren dhe masat për zbardhjen e tij.
Reagimi i plotë:
Deklaratë Zyrtare | Forumi për Ndryshime në Arsim
Platformat tona dhe profilet personale të stafit janë shndërruar në shënjestër të një fushate me qëllim të frikësimit, kërcënimit dhe denigrimit menjëherë pas denoncimit publik të avancimit të kundërligjshëm të Arbresha Bexheti Ferati, bashkëshortes së kryetarit të Senatit të Universitetit të Tetovës, Kenan Ferati.
Dje natën, gjërat shkuan më larg. Një individ, përmes profileve të rreme por edhe nga profili i tij origjinal, dërgoi mesazhe fyese e kërcënuese deri te familjarët e drejtorit ekzekutiv të FNA-së, Blendi Hodai.
Njoftojmë opinionin publik dhe të gjithë ata që kanë ndërmend të ndjekin rrugë të ngjashme:
Të gjitha rastet janë denoncuar në Sektorin për Punë të Brendshme në Tetovë.
Të gjitha masat e nevojshme po ndërmerren për zbardhjen e rastit.
Kërcënimet te ne nuk pinë ujë. Universiteti i Tetovës do të çlirohet nga krimi dhe kriminelët akademikë.
Pikë.
Ardit Ramadani
Blendi Hodai
Vesa Sherifi
Viktorija Postolovska. /Telegrafi



















































