LAJMI I FUNDIT:

Debati i (pa) nevojshëm publik për dialogun

Debati i (pa) nevojshëm publik për dialogun

Vendimet lidhur me procesin e dialogut të Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovë dhe Serbisë, si dhe për vet rezultatin e këtij dialogu, janë përgjegjësi ekskluzive e institucioneve të Kosovës, vlerësojnë njohësit zhvillimeve politike në Kosovë. Megjithatë, ata kanë mendime të ndryshme lidhur me atë se a duhet të ketë një debat publik për fazën e fundit të procesit të këtij dialogu, i cili, siç është thënë, duhet të përmbyllet me një marrëveshje ligjërisht obliguese.

Muajt e fundit, disa nga krerët e institucioneve të larta të Kosovës, u kanë bërë ftesë për debat publik, përveç spektrit të përgjithshëm politik të Kosovës edhe shoqërisë civile dhe qarqeve akademike, që të japin ide për një platformë për dialogun dhe temat që mund të shtrohen aty.

Njohësi i zhvillimeve politike në vend, Milazim Krasniqi, profesor në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka shprehur mendimin se nuk ka nevojë për kurrfarë debati publik për fazën finale të dialogut në Bruksel, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Sipas tij, në cilindo variant, një debat i tillë publik do të manipulohej nga pushteti.

“Mendoj që kjo është çështje ekskluzivisht e institucioneve të mandatuar dhe përfaqësuese. Pra, në rend të parë e Kuvendit të Kosovës dhe Qeverisë së Kosovës. Ata e kanë mandatin për të përfaqësuar Kosovën dhe për të zgjidhur konteste dhe probleme të kësaj natyre. Prandaj, mendoj që çdo tendencë për të hapur idenë, gjoja të debatit publik ose të gjoja referendumeve për çështje jokushtetuese, është thjeshtë vetëm manipulim me publikun dhe ikje nga përgjegjësitë politike dhe kushtetuese të përfaqësuesve të institucioneve”, theksoi Milazim Krasniqi.

Por, Jeta Krasniqi, njohëse e procesit të dialogut nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë për Radion Evropa e Lirë se një debat publik lidhur me çështjen e dialogut, të ardhmes së tij dhe asaj se çfarë pritet të arrihet në kuadër të këtij procesi, do të duhej të kishte filluar edhe më herët.

“Patjetër që qarqet e ndryshme, qoftë shoqëria civile, qoftë Akademia (e Shkencave dhe Arteve e Kosovës), në debatet publike i kontribuojnë ndërtimit të një konsensusi të përgjithshëm shoqëror dhe ndërtimit të qëndrimit të shtetit të Kosovës. Pra, janë pozitive. Por, kjo nuk nënkupton që të hiqet përgjegjësia nga institucionet e vendit, të cilat janë të thirrura për ta diskutuar dhe për ta ndërtuar qëndrimin e qartë të shtetit të Kosovës për këtë dialog”, tha Jeta Krasniqi.

Në anën tjetër, Milazim Krasniqi, shpreh mendimin që shoqëria civile dhe qarqet akademike, duhet t’i shmangen përfshirjes në proces. Kjo për faktin se, siç thotë ai, çështja nuk mund të zgjidhet në formatin dhe kornizën e tanishme, për shkak se, sipas tij, Serbia e trajton çështjen e Kosovës si çështje religjioze, mitologjike, historike dhe më pak si çështje politike. Nisur nga kjo, Krasniqi shpreh bindjen që pa një presion të orkestruar ndërkombëtar mbi Serbinë dhe pa kushtëzimin e integrimit të saj në Bashkimin Evropian, nuk do të arrihet një zgjidhje dhe nuk do të ketë kurrfarë marrëveshje.

“Fokusi do të duhej të ishte te presioni më i madh mbi Serbinë, e jo tek shpërndarja e përgjegjësive ose te krijimi i ekuilibrave artificial të presionit edhe mbi Kosovën e edhe mbi Serbinë. Kosova nuk ka më se çfarë të ofrojë, përveç Bashkësisë së komunave me shumicë serbe (Asociacionit), që është një obligim ndërkombëtar, sepse të gjitha kompromiset i ka bërë në Procesin e Vjenës. Pavarësia e Kosovës, thjeshtë, nuk mund të vihet në tavolinë, sepse në atë rast do t’i ekspozohej rrezikut të shpërbërjes si shtet”, u shpreh Milazim Krasniqi.

Sipas tij, lidhur me fazën finale të dialogut, institucionet e Kosovës duhet të kenë shumë më tepër transparencë dhe llogaridhënie se sa deri më tash.

Jeta Krasniqi, shpreh mendimin që përfshirja e shoqërisë civile në këtë proces, mëton sigurimin e një transparence të institucioneve për qasjen ndaj dialogut dhe vet zhvillimet në këtë dialog.

“Shoqëria civile jep kontributin e vet, qoftë me analiza, qoftë edhe me monitorim, me kërkesë të transparencës. Qytetarët janë ata, të cilët artikulojnë qëndrimet për apo kundër vendimeve të caktuara të cilat mund të merren. Ndërkaq, ekspertët, qoftë edhe Akademia, mund ta japin kontributin e tyre. Pra, secili ka hapësirë për kontribut. Por, kjo nënkupton që institucionet duhet ta kryejnë patjetër obligimin e tyre dhe t’i përmbushin përgjegjësitë, të cilat ato i kanë të parapara me Kushtetutë, si dhe që udhëheqësit e këtyre institucioneve t’i respektojnë ato”, theksoi Jeta Krasniqi.

Sidoqoftë, Qeveria e Kosovës, në fillim të qershorit të këtij viti ka tërhequr nga Kuvendi i Kosovës një projekt-platformë për bisedime me Serbinë dhe ka kërkuar nga spektri politik, shoqëria civile dhe mediat, që të kontribuojnë me ide për një platformë të re për këto bisedime. Thirrje për debat publik brenda institucioneve të shtetit dhe jashtë tyre, ka bërë edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Në trend Lajme

Më shumë
Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Lajme
Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës,

Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës, "Octopus": Urgjentisht të koordinohen veprimet me ndërkombëtarët

Siguri
Tha se ditë të vështira e presin Serbinë, Vuçiq: Nesër ose pasnesër i merrni përgjigjet

Tha se ditë të vështira e presin Serbinë, Vuçiq: Nesër ose pasnesër i merrni përgjigjet

Lajme
Si ndikon dygjuhësia në zhvillimin neurokognitiv te fëmijët dhe roli i teknologjisë – shpjegon Pervizaj, mjeke Neuroshkencës Kognitive

Si ndikon dygjuhësia në zhvillimin neurokognitiv te fëmijët dhe roli i teknologjisë – shpjegon Pervizaj, mjeke Neuroshkencës Kognitive

Elfije Boletini
Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Lajme
Këshilli i Sigurimit i OKB-së refuzon serish propozimin rus të diskutohet për sulmet ajrore të NATO-s mbi Serbinë

Këshilli i Sigurimit i OKB-së refuzon serish propozimin rus të diskutohet për sulmet ajrore të NATO-s mbi Serbinë

Lajme
Kalo në kategori