LAJMI I FUNDIT:

Dauti: Arbër Ademi i la mësimdhënësit në gjendje të mjerueshme

Dauti: Arbër Ademi i la mësimdhënësit në gjendje të mjerueshme

Pas deklaratës së Arbër Ademit ka reaguar opozitarja Aleanca për Shqiptarët. Deputetja Ilire Dauti e quan ministër të dështuar të arsimit Arbër Ademin, ndërsa BDI-në regjim hibrid.

Dauti foli për problemet në arsim, që sipas saj nuk i zgjodhi deputeti Ademi kur ishte ministër, ndërsa premtoi se si parti do të angazhohen për të zgjidhur problemin me dy gjuhësinë në Qendrën Informative Kulturore. Me këtë rast akuzoi BDI-në për të cilët thotë se udhëheqin me Inspektoratin e gjuhës e nuk veprojnë gjatë shkeljeve.


“Sot paska fol ish ministri i dështuar për arsim i cili la mësimdhënësit në gjendje të mjerueshme, objektet shkollore si në mesjetë dhe shumë fëmijë shqiptarë pa paralele në gjuhën amtare. Flet ish ministri që lejonte ofendime të shqiptarëve në tekstet shkollore, ndërsa vetë nënshkruante kontrata miliona euroshe për ditarë e libra në katër sy dhe çuditërisht këto raste ende nuk procesohen nga drejtësia e kapur prej tyre. Bashkëpartiaku i tij, kryetari i Kuvendit e suspendon mbledhjen e komisionit anketues për të drejtat dhe liritë e njeriut që të mos diskutohet tragjedia në spitalin modular të Tetovës dhe tragjedia me autobusin në Bullgari, që të mos mësohet e vërteta për këto tragjedi”.

“Po flet për lojërat e fatit deputeti i partisë që dha qindra leje për hapjen e kazinove, ndërsa na bën thirrje të votojmë ligjin që fut kazinot nëpër vendbanime. Na bëri thirrje që të mos rikthehemi në kohën e Shkupit 2014. Përgjigjen më të mirë e dha vetë kjo kukull e regjimit, duke pranuar se çfarë krimi kulturor e ekonomik ka bërë vetë partia e tij me projektin Shkupi 2014, me përmendore e kryqe në sheshin e Shkupit, në Aerodrom e gjithandej. Sa për gjuhën shqipe, kujtojmë se është pikërisht kjo qeveri që në gjysmën e institucioneve dhe ministrive nuk lejon përdorimin e gjuhës shqipe. E kur jemi te Levica, sado që të bërtisni, zhurma juaj qyqare nuk e mbulon tradhëtinë që e bëtë bashkë me Levicën duke shtyrë regjistrimin vitin e kaluar dhe pasojat i shohim sot”, tha mes tjerash Ilire Dauti./Telegrafi/