LAJMI I FUNDIT:

Dardanët e rinj mposhtin Andorrën, kualifikohen në finalen e madhe

Dardanët e rinj mposhtin Andorrën, kualifikohen në finalen e madhe

Kosova ka mundur Andorrën me rezultat 80:71 (15:19, 18:20, 31:16, 16:16) për t’u kualifikuar në finale të FIBA European Challenger për U18 te meshkujt, që po zhvillohet në Tiranë.

Kosova e nisi mirë ndeshjen me një seri prej 7:0, por më pas kishte një rënie, që ndikoi edhe në rezultat, ku Andorra bëri përmbysjen 9:11, dhe fiton çerekun e parë 15:19.


Andorrasit vazhduan me lojë të mirë dhe thelluan edhe më shumë epërsinë në 20:32, kurse më pas Dardanët ngushtuan shifrat në 31:34, kurse pjesa e parë përfundon 33:39.

Basketbollistët e Kosovës ishin fantastikë në periudhën e tretë, ku shkrinë epërsinë, madje e kthyen atë në të mirë të tyre, duke arritur epërsi prej 11 pikësh, 64:53, kurse rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 64:55.

Në 10 minutat e fundit, Kosova menaxhoi epërsinë dhe triumfoi në fund me shifrat 80:71, për tu kualifikuar në finale, aty ku e pret fituesin e ndeshjes Shqipëria-Luksemburgu që zhvillohet nga ora 19:00.

Te Kosova u dalluan Anes Gashi me 21 pikë e shtatë kërcime dhe Visar Ejupi me 18 pikë e gjashtë kërcime.