LAJMI I FUNDIT:

Dalipi: Mundohemi të punojmë që qytetari të ndjehet i sigurt

Dalipi: Mundohemi të punojmë që qytetari të ndjehet i sigurt

Pas përhapjes së sëmundjes COVID-19 dhe shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme në Maqedoninë e Veriut, përveç për institucionet shëndetësore, punë të shtuar ka pasur edhe për policinë e vendit.

Një nga sektorët kyç të Ministrisë për Punë të Brendshme, është ai në Tetovë. Telegrafi Maqedoni ka biseduar me krye-shefin e Sektorit për Punë të Brendshme (SPB) në Tetovë, Amir Dalipi, për tema që lidhen me epideminë, zgjedhjet e parakohshme dhe trafikun e drogës në rrethinën e Tetovës. Ai tha se SPB Tetovë ka qenë në nivel të detyrës gjatë periudhës së pandemisë dhe u shpreh se janë të gatshëm për zgjedhjet.


Cilat janë sfidat e SPB Tetovë me gjendjen aktuale me coronavirusin?
Ballafaqimi me problematikat e llojeve të ndryshme të punës që i përkasin fushës së sigurisë, neve si sektor ndër më aktivët në Republikën e Maqedonisë së Veriut, nuk na ka bërë imun ndaj situatave të reja dhe të komplikuara siç është edhe sfidat me coronavirusin, por deri tani kemi arritur t’ia dalim me sukses por besoj që deri në përfundim do ta mbarojmë me sukses.

Cili është mesazhi që duhet t’u bëhet qytetarëve për ndërgjegjësim?
Do të doja që të drejtohem me një apel deri tek qytetarët, që të respektojnë rregullat dhe masat e qeverisë për parandalimin e përhapjes së kësaj epidemie, duke mbajtur maskat mbrojtëse dhe distancën shoqërore, të mos grumbullohen sidomos përpara objekteve vitale publike si banka, posta apo institucione tjera, të mbrojnë së pari veten e tyre dhe duke e mbrojtur veten do të kontribuojnë në mbrojtjen e të afërmve të tyre dhe rrethit ku jetojnë.

Si do t’i shpërblejë shteti zyrtarët e angazhuar në luftën kundër Covid-19?
Besoj se do të jenë vendimet që do të sjellë Ministria e Punëve të Brendshme ku nëpërmjet Qeverisë duhet të realizohen këto vendime të cilat do të mund të shpërblejnë pjesëtarët e policisë të cilët janë përballuar direkt me rrezikun e mundshëm për të qenë të infektuar nga ky virus, duke kryer detyrimet profesionale.

Si është gjendja e krimeve dhe vjedhjeve në rajonin që ju e menaxhoni?
Sektori i Punëve të Brendshme Tetovë që nga fillimi kur edhe u shpall epidemia, ka shënuar një ulje të krimit të përgjithshëm apo krimit klasik, si vjedhjet, vjedhjet e rënda, prishjet e rendit dhe qetësisë publike, aksidentet në trafik dhe shkeljet në trafik, ku kemi shënuar një trend pozitiv në zvogëlimin mbi 70% të këtyre rasteve, por edhe realizimin e veprave paraprake ku janë zbuluar 75% i kryerësve të veprave të ndryshme penale, ku deri në Prokuroritë Themelore Publike Tetovë dhe Gostivar janë dorëzuar edhe fletëparaqitjet penale.

Sa është e përgatitur SPB Tetovë për zgjedhjet e ardhshme?
Si gjithmonë SPB Tetovë është në gjendje gatishmërie për të kryer dhe realizuar me sukses çdo punë dhe obligim profesional, gjithashtu edhe detyrimet që na takojnë neve si sektorë jemi të gatshëm t’i realizojmë krahas situatës në të cilën gjendemi dhe kushteve materiale dhe teknike që posedojmë. Besoj që jemi të përgatitur profesionalisht të ballafaqohemi edhe me këto zgjedhje njëjtë sikur gjatë zgjedhjeve të kaluara.

Cilat janë hapat e ndërmarrë për ta luftuar trafikun e drogës në rajonin e Tetovës?
Që nga koha kur unë mora detyrën e krye-shefit të SPB Tetovë, pra diku rreth dy vite e gjysmë që jam në krye të kësaj detyre kemi shpallur një luftë të pa kompromis tregtisë së palejuar dhe përdorimit të mjeteve narkotike, këtë e tregojnë edhe statistikat dhe numri i personave të arrestuar apo privuar nga liria ku gjatë vitit 2018 janë dorëzuar 138 (TE-94 dhe GV-44) fletëparaqitje penale sipas nenit 215 dhe 216 të Kodit Penal kundër 160 kryerësve (TE-107 dhe Gv-53), duke krahasuar me vitin paraprak kemi regjistruar rritje prej 62% të funksionit zbulues, gjithashtu gjatë vitit 2019 janë deri në prokuroritë publike janë dorëzuar 175 fletëparaqitje penale (TE-67 dhe GV-108) kundër 194 kryerësve (TE-70 dhe GV-124) që përsëri kemi rezultuar me rritje për 24% të efektit zbulues në krahasim me vitin paraprak, kurse gjatë këtij viti për 5 muajt e kaluar kemi dorëzuar gjithsej 36 fletëparaqitje penale (TE-18 dhe GV-18) kundër 47 kryerësve (TE-23 dhe GV-24) ku shkak i situatës me pandeminë si në fushën e kriminalitetit të përgjithshëm, po ashtu edhe këtu kemi regjistruar një ulje prej 56% të këtyre veprave të cilat mund të llogariten si rezultate pozitive sepse kufizimi i lëvizjes së qytetarëve ka ulur edhe numrin e veprave penale dhe ne si sektorë gjithmonë kemi qenë transparent ndaj mediumeve dhe kemi publikuar çdo lloj aktiviteti që i përket kësaj problematike./Telegrafi/