LAJMI I FUNDIT:

Dalin në dritë dokumente të rrallë që ruhen në Arkivin Qendror të Shqipërisë

Dalin në dritë dokumente të rrallë që ruhen në Arkivin Qendror të Shqipërisë

Arkivi Qendror Shqiptar vazhdon të evidentojë fakte të rralla historike. Më e fundit – e publikuar nga AQSh, në rrjetin social Facebook, dhe që gjendet mes fondeve të dokumenteve osmane – është pema gjenealogjike e Sejjit Muhamedit, i cili ka jetuar në Elbasan dhe varri i tij ndodhet në rrëzë të Krastës.

“Ky dokument ndahet në dy pjesë dhe u publikuar nga vetë Arkivi i Shtetit. Tek e para flet për gjenealogjinë e Sejjit Muhamedit, që arrin deri tek njeriu i parë mbi dhe, Ademi. Ndërkohë, pjesa e dytë flet për familjen e Profetit Muhamed, për 12 Imamët dhe historinë e tyre. Dokumenti është shkruar në gjuhën arabe në Halep të Sirisë, në muajin Muharrem të vitit 1025, që me kalendarin Gregorian konvertohet më datë 20 janar 1616”, thuhet në postimin e AQSh-së në Facebook.

Gjithashtu, ky arkiv ka publikuar edhe dy dokumente të rëndësishëm: Pasqyrën e Ndarjes Administrative të Prefekturës së Dibrës së Madhe dhe të Tetovës, 1943; si dhe Vendimin e Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë për çeljen e një shkolle profesionale në Dibër, më 7 shtator 1943.

Përsa i përket Pasqyrës së Ndarjes Administrative të Prefekturës së Dibrës së Madhe dhe të Tetovës, AQSh sqaron krahas publikimit të dokumentit se “më 1941, një pjesë e territoreve të Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë perëndimore iu bashkuan Mbretërisë së Shqipërisë. Për administrimin e këtyre zonave, me dekret të Mëkëmbësisë së Përgjithshme, u krijua Ministria e Tokave të Liruara më dhjetor 1941. Bashkangjitur vendosim një pasqyrë të pjesshme të ndarjes administrative të Prefekturës së Dibrës së Madhe dhe të Tetovës, sipas një dokumenti që ruhet në AQSh.

Ndërsa lidhur me vendimin e Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë për çeljen e një shkolle profesionale në Dibër, AQSH evidenton këto fakte historike: “Më 1941, një pjesë e territoreve të Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë perëndimore iu bashkuan Mbretërisë së Shqipërisë. Institucionet me qendër në Tiranë ushtronin kompetencat e tyre ligjore edhe në territoret që u quajtën “Tokat e Çliruara”. Në këtë fotografi paraqesim një vendim të Këshillit të Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë për hapjen e një shkolle profesionale në Dibër.