Cucurella reagon për transferimin e Rashfordit te Barcelona

Futbollisti i Chelseat, Marc Cucurella ka folur së fundmi për podcastin sportiv Gigantes, ku ndau mendimet e tij mbi transferimin surprizë të Marcus Rashford te Barcelona.
Mbrojtësi spanjoll vlerësoi cilësitë fizike të anglezit dhe veçoi shpejtësinë e tij si një element që mund t’i japë përparësi sulmuesit anglez në ambientimin me skuadrën blaugrana.
“Është shumë i shpejtë dhe mendoj se do ta ndiejë ndryshimin e ritmit mes kampionateve”, deklaroi Cucurella.
“Liga Premier është më e shpejtë, më fizike, por në La Liga duhet të përshtatesh me një stil tjetër loje”.
Cucurella gjithashtu shprehu admirimin për punën e trajnerit Hansi Flick gjatë sezonit të kaluar dhe për përmirësimet që Barcelona arriti në të gjitha garat.
“Mbeta i habitur, nuk e prisja këtë”, u shpreh ai, duke komentuar progresin e skuadrës nën drejtimin e Flick.
Megjithëse Marcus Rashford ende nuk është prezantuar zyrtarisht para tifozëve katalanas si lojtar i Barcelonës, burime të besueshme konfirmojnë se marrëveshja është finalizuar.
Sulmuesi anglez e mbylli pjesën e dytë të sezonit të kaluar si pjesë e Aston Villa-s, ku luajti në formë huazimi. /Telegrafi/


















































