LAJMI I FUNDIT:

Çmimet e naftës vazhdojnë të ngriten – qytetarët thonë se do t’i përdorin veturat më rrallë

Çmimi i naftës dhe benzinës në vendin tonë është duke u rritur çdo ditë nga 8 deri në 10 cent për një litër. Pavarësisht kësaj, në rrugët tona vazhdon të ketë numër të madh automjetesh, edhe pse çmimet e karburanteve tashmë kanë arritur në mbi 1.60 euro.

Me këtë trend të ngritjes së vazhdueshme, pritet që shumë shpejt çmimet të arrijnë deri në 2 euro për një litër naftë.

Njohësi i çështjeve të ekonomisë dhe ish-ministri i Tregtisë, Ismet Mulaj tha për Telegrafin se kriza në Ukrainë ka krijuar panik te afaristët dhe importuesit e naftës në Kosovë.

“Realisht është kriza në Ukrainë ajo që ka krijuar një lloj paniku në tregjet e Kosovës dhe realisht afaristët tonë importuesit tonë të naftës po iu përshtaten rregullave të bursës. Ky çmim i bursës po reflektohet në mënyrë automatike në pikat shitëse dhe kjo rritje e çmimeve po e prek xhepin e qytetarëve. Qeveria e Kosovës ishte dashtë që në bashkëpunim me Shoqatën e Naftëtarëve dhe me importuesit e naftës të gjejnë zgjidhjet më të mira që do të ndikonin të kishim një çmim më të arsyeshëm për konsumatorët në Kosovë”, deklaroi Mulaj.

Mulaj shtoi se nëse ka ngritje të çmimit të naftës rrjedhimisht do të ketë edhe rritje të çmimit të prodhimeve të tjera dhe ndikon në koston e jetës të qytetarëve.

Ismet Mulaj, njohës i ekonomisë dhe ish-ministër i Tregtisë

Sipas tij, Qeveria duhet të ketë bashkëpunim me bizneset dhe importuesit e naftës në Kosovë, me qëllim të eliminimit të abuzimeve me çmime nga shitësit më pakicë. Ai thotë se në këto kushte, Qeveria duhet që ta heqë akcizën dhe Tatimin mbi Vlerën e Shtuar për karburantet.

“Duhet të realizohet një dialog i mirëfilltë mes Qeverisë dhe importuesve të naftës me qëllim që të shihen problemet dhe sfidat e importuesve të naftës dhe ky të jetë një komunikim i mirëfilltë mes  importuesve dhe shitësve me pakicë, që të mos ketë abuzime. Duhet të mendohet për politikat fiskale dhe të shikohet se a mundet të zvogëlohet TVSH-ja dhe akciza”, theksoi ai.

Xhevat Prebeza, qytetar

Edhe qytetari Xhevat Prebreza vlerëson se Qeveria e Kosovës duhet të reagojë dhe t’i heqë akcizat, sikurse reagoi ajo e Kroacisë.

Sipas tij, kjo rritje e çmimeve të karburanteve është e papërballueshme për ekonominë e tij familjare.

“Rritja e çmimit të naftës është e tepërt dhe nuk e di a do të ketë një reagim nga qeveria e jonë, siç ishte reagimi i Qeverisë së Kroacisë që të hiqet akciza. Është vështirë e përballueshme, duke i marr parasysh pagat. Unë veturën nuk e përdori shpesh. Edhe kur e përdori 2 deri 3 herë në javë, duke i marrë parasysh parasysh kolonat e gjata në qytet”, tha Prebreza për Telegrafin.

Jakup Berisha, qytetar

Për qytetarin Jakup Berisha nuk është normale kjo rritje dhe do të jetë e vështirë e përballueshme, sidomos për ata të cilët e përdorin veturën për punë.

“Shtrenjtë, në ekstrem shtrenjtë.  nafta më shtrenjtë se në shtetet evropiane. E çfarë standardi të jetës e kanë ata e çfarë e kemi ne. Mbrëmë vet e lexova diku. Çmimi i naftës në Gjermani ishte diku 1 euro e 38 centë, kurse tek ne 1 euro e 70-80 centë. Veç  sa më tha punëtori në këtë pompë të benzinës, ‘mbushe veturën me naftë se vetëm minutat janë që të rritet ende’. Për dikë është shumë e vështirë të përballohet. Ata të cilët duhen ta përdorin veturën për punë, do ta kenë më të vështirë, kurse ata që e përdorin si luks vetëm për tu shëtitur munden të qëndrojnë edhe pa veturë”, tha qytetari Berisha për Telegrafin.

Kurse Ibrahim Dodra, thotë se pas këtij shtrenjtimi të çmimit të naftës ai nuk do ta përdorë më veturën sikurse e kishte përdorur.

“Kriza e ka bërë të vetën. Kjo lufta në Ukrainë ka ndikuar edhe në rritjen e çmimit të naftës tek ne. Është vështirë i përballueshëm ky çmim për ekonominë tonë. Tani do ta përdor veturën më pak. Dhe kemi me kursyer më shumë, sepse nuk mundemi me ia dalë”, tregoi Dobra.

Ibrahim Dobra, qytetar

Pensionisti Ismajl Vokrri thotë se do t’i reduktojë daljet me veturë.

“Është vështirë e përballueshme kjo rritje duke u bazuar edhe në gjendjen në të cilën jemi. Sidomos për neve pensionistëve. S’kam fjalë. Kjo është krizë botërore, s’kemi çfarë të bëjmë. Kjo është paralajmëruar më herët. Kurse veturën nuk e përdori pa nevojë, përveç kur më duhet patjetër”, përfundoi Vokrri.

Përveç ngritjes së vazhdueshme të çmimeve edhe sasia e derivateve të naftës, që mund të blihet në tregun e Kosovës, është e kufizuar në disa të pika të shitjes

Sipas pronarëve të kompanive dhe Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, disa furnizues veçse kanë ndërprerë shitjen e derivateve për Kosovën.

Kjo po ndodh në mesin e një krize të furnizimit me këtë produkt në Evropë, që ka ndikuar edhe në rritjen e çmimit të tij. /Telegrafi/