LAJMI I FUNDIT:

Clippers vazhdojnë me formën e mirë, Utah i pandalshëm

Clippers vazhdojnë me formën e mirë, Utah i pandalshëm
(Foto: Instagram/laclippers)

Los Angeles Clippers vijon momentin e mirë në kampionat, pasi ka marrë një tjetër fitore dhe tani është shumë pranë parakalimit të Lakers në renditjen e Konferencës së Perëndimit. Skuadra e drejtuar nga Tyronn Lue ia doli të triumfojë me shifrat 125-118 ndaj Miami Heat në “Staples Center” të Kalifornisë.

Fraksioni i parë dhe i tretë shkuan në favor të Miamit, ndërsa vendasit fituan pjesën e dytë dhe të katërt, por me rezultat shumë më të thellë, duke ia dalë të marrë suksesin e katërt radhazi dhe të 21-tin këtë sezon.


Marcus Morris ishte protagonist i padiskutueshëm i Clippers në suksesin e sotëm, pasi shënoi 32 pikë, rikuperoi tre topa dhe dha dy asiste, ndërsa për Miamin shkëlqeu Butler me 30 pikë, 10 asiste dhe 10 topa të rikuperuar.

(Foto: Instagram/laclippers)

Vijon të bëjë mirë ndërkohë Utah Jazz, që mori një tjetër sukses këtë herë me shifrat 134-123 në ndeshjen ndaj Philadelphia 76ers. Këta të fundit e nisën mjaft mirë ndeshjen dhe fituan fraksionin e parë me shifrat 35-42, por më pas lëshuan terren dhe panë t’u përmbysej rezultati – transmeton SuperSport.

Basketbollisti australian i 76ers, Ben Simmons ishte më i miri i ndeshjes me 42 pikë të shënuara, 10 asiste dhe 10 topa të rikuperuar, ndërsa për vendasit e Jazz spikati Clarkson me 40 pikë të shënuara dhe një asist.

Një tjetër sfidë interesante ishte edhe ajo mes Washington Wizards e Houston Rockets, me vendasit që triumfuan me shifrat 131-119 dhe regjistruan suksesin e dytë radhazi. Kjo ishte humbja e 6 radhazi për Houston që është zhytur në krizë rezultatesh këtë sezon dhe në 27 ndeshje numëron 16 humbje e vetëm 11 fitore, ndërsa te Wizards është Beal që konfirmohet në formë mjaft të mirë dhe tërheq skuadrën me lojën e tij.

Mori fitoren e tretë radhazi edhe Brooklyn Nets, që ia doli të triumfojë me shifrat 125-136 në transfertën e “Golden 1 Arenës” ndaj Sacramento Kings. Irving ishte protagonist i Nets me 40 pikë, 4 asiste e tre rikuperime, ndërsa një ndeshje mjaft të mirë bëri edhe James Harden me 29 pikë, 13 rikuperime e 14 asiste.

Në sfidat e tjera, Chicago Bulls fitoi vetëm pas kohës shtesë ndaj Indiana Pacers me shifrat 112-120, ndërsa New York Knicks mposhti Atlanta Hawks me shifrat 123-112.