LAJMI I FUNDIT:

Çka mund të na mësojnë nordikët për zbavitjen?

Çka mund të na mësojnë nordikët për zbavitjen?

Qasjet e ashtuquajtura Skandi dhe Nordike, ndaj lojës, kanë ndikim të madh në dizajnimet e sotme dhe në projektimet e hapësirave urbane. Shkrimin e analistes Clare Dowdy, të botuar në BBC, Telegrafi e sjell si më poshtë.

Çfarë përfitoni nëse e kombinoni dashurinë e kërkimit të ushqimit, me fshatin, me mendësinë që përqendrohet te fëmijët dhe me një qëndrim të duhur ndaj rrezikshmërisë? Përgjigja: hapësirat e lojërave që i ka zili bota.

“Pa dyshim, Skandinavia është vend i veçantë për fëmijët”, thotë Brit Kieran Long, drejtor i ArkDes-it, Qendrës Kombëtar Suedeze për Arkitekturën dhe Dizajnin. “Suedia i ka fëmijët në zemër të gjithçkaje që bën”. Ai e arsyeton këtë pjesërisht me “barazinë e madhe gjinore mes prindërve”. “Të jesh prind këtu nuk është punë vetëm e grave; është diçka më e barabartë, ndaj ka leje të shumta pushimi për të dy prindërit. Duhet përvojë për këtë, e kjo tregon edhe se si trajtohet loja publike”, shton ai.

Që nga vitet 1940, fëmijët në këtë rajon bëheshin qull e me baltë, madje rrezikoheshin nga vet projektimet e hapësirave të lojërave. Këto ide dikur pioniere janë përhapur kudo.

Ideja për ta krijuar një shesh lojërash me pajisje të duhura u konceptua në Gjermaninë e viteve 1850, ndërsa i pari u ndërtua në Mançester të Britanisë së Madhe e më pas në Boston të ShBA-së.

Sheshi i projektuar nga White Arkitekter në Linkoping të Suedisë

Por, filozofia Skandi e lojës, rreth lojës së lirë, jo të strukturuar dhe përtej asaj që është në shtëpi, na shpie në mjedise më frymëzuese. Gjithçka nisi kur arkitekti danez Carl Theodor Sorensen doli me nocionin e quajtur “skrammellegepladser” ose “shesh lojërash i hedhurinave”. Qëllimi i tij ishte t’ju jepte fëmijëve të qytetit të njëjtin shans për të luajtur, siç e kanë ata në fshat. Kishte vënë re se fëmijët preferonin të luanin kudo më shumë sesa te këndet e lojërave që ai fillimisht i projektoi, kështu që në vitet 1930 u frymëzua duke i parë fëmijët se sa të shkathët janë tek i kthenin kantieret e ndërtimit në sheshe lojërash.

Sheshi i parë i lojërave aventureske të Sorensenit u hap në Emdrup, në periferi të Kopenhagës, në vitin 1943. Ai shkroi: “Sheshet e lojërave për fëmijë janë pjesa më e rëndësishme e hapësirave publike në qytet”. Sheshet ishte të pajisura me mjete dhe materiale ndërtimi, kështu që fëmijët mund të gërmonin, të ndërtonin dhe të ndryshonin mjedisin e tyre e të mblidheshin së bashku për ta krijuar hapësirën e tyre të lojës.

Vitet 1940 dhe 1950 ishin epoka e artë për sheshet e lojërave në Skandinavi, beson Emelie Brunge, arkitekte në Nyréns Arkitektkontor të Stokholmit. “Me modernitetin, fokusi i ri ndaj fëmijëve u zhvillua krahas planifikimit urban”.

Këto fara u morën dhe u mbollën diku tjetër. Pas vizitës në Emdrup, arkitektja britanike, Lady Marjory Allen, krijoi rreth 35 sheshe lojërash aventureske në vitet 1960 dhe 1970, me moton “më mirë një kockë e thyer sesa një shpirt i thyer”.

Rreth katër dekada më vonë, ndikimi i Sorensenit u ndje në Glasgou, nëpërmjet Studios Assemble. Në vitin 2013 u hap “Sheshi i Lojërave Aventuriereve në Rrugën Baltik” që e fitoi çmimin Turner. Koncepti e paraqet sheshin si kundërvënie ndaj presioneve të fëmijërisë moderne urbane. Balta është veçoria kryesore.

Te nordikët e pasluftës, gjërat ishin radikale. Në tetor 1968, Gunilla Lundahl e transformoi Muzeun Moderna të Stokholmit në një shesh të gjerë lojërash aventureske – një projekt ky me ndikim të madh që ishte falas dhe i qasshëm për të gjithë.

Sheshet e dikurshme të aventurave në Emdrup të Kopenhangës

Duke e vënë theksin te mirëqenia e fëmijëve, koncepti ishte se të gjithë duhet të kenë qasje te hapësirat e lojërave. Në vitet 1950 u zhvilluan një mori parqesh (të njohura si “parqet e luginës”) në periferitë e reja që po ndërtoheshin përreth Stokholmit. Kryesorja, këto nuk ishin vetëm për fëmijët, por vende “ku mund të takoheshin breza të ndryshëm dhe shtresa të ndryshme shoqërore”, thotë Brunge.

Kjo ndjenjë e përfshirjes ka vazhduar veçanërisht në Danimarkë. Sot, lojërat në qytetet si Kopenhaga nuk kufizohen në zona të veçanta ose vetëm për fëmijët. Kryeqyteti i ka vënë njerëzit në rend të parë, në radhë të parë me çiklizmin dhe ecjen – shumica prej tyre me nënshkrimin e stilistit urban Jan Gehl. Loja është e integruar në mjedisin urban, me fusha basketbolli në rrugë dhe me hapësira rrëshqitjeje të ndërtuara në shpatet e kodrave.

Jo të gjitha pajisjet e shesheve të lojërave duhet të duken tamam si pajisje për lojëra, thotë arkitekti britanik Jake Ford nga kompania White Arkitekter me bazë në Suedi, që është firma më e madhe e arkitekturës në Skandinavi. “Mund të jenë delikate, si një stol në të cilin mund të ngjitesh në mënyrën që bëhet skenë, ose edhe pemë ku mund të ngjitesh”. Ford është pjesë e ekipit që po punon në kompleksin “Gascoigne” në Barking të Londrës lindore, ku do të ndihet ndikimi Skandi.

Po kështu, në kryeqytetin finlandez, kupolat e valëzuara të muzeut të ri të artit Amos Rex, të projektuara nga JKMM, veprojnë si sferë publike, ku vizitorët e të gjitha moshave luajnë, ngjiten dhe rrëshqasin teposhtë. Hanna Harris, shefe e urbanizmit në qytetin e Helsinkit, e shpjegon qëndrimin finlandez ndaj lojës. “Është diçka ku të gjithë kanë të drejtë; është shërbim bazik i jetës urbane”.

Loja me skejtbord përfshin një gamë të gjerë moshash dhe teksa disa qytete e dekurajojnë, në Malmo mbështetet. Ky qytet suedez ka një kujdestar që punon me orë të plotë dhe një mori pikash për këtë. Qyteti bregdetar britanik i Folkstonit po e bën të njëjtën. F51, një park i brendshëm shumëkatësh, do të hapet këtë pranverë. “Loja nuk ndalet kur plakeni”, thotë Guy Holloway, arkitekti i F51. “Përkundrazi, duhet ta përfshini lojën edhe më shumë”.

Parku Moerenuma i projektuar nga legjendari Isamu Noguchi

Idetë prapa këtyre hapësirave gjithëpërfshirëse reflektohen në trendin e Pinterest-it për vitin 2022. Shërbimi i shpërndarjes së imazheve parashikon se “këtë vit, gjenerata X dhe bumerët do të jenë te të gjitha llojet e zbavitjeve … sepse lodrat i bëjnë të rinj në zemër që të gjithë fëmijët e mëdhenj”.

Nëse sheshet e lojërave janë projektuar të jenë nxitëse dhe unike, ato mund të kryejnë role tjera. Familjet e Malmos kalojnë nëpër qytet për ta vizituar rrjetin e parqeve me tematika individuale, duke i shndërruar ato në një motor shkëmbimi shoqëror, siç thotë Long. “Kjo i thyen barrierat mes komuniteteve të ndryshme”.

Megjithatë, në vendet me mungesë të shtëpive, sheshet e lojërave mund ta pësojnë. Brunge thekson se edhe në disa pjesë të Skandinavisë, të financuar relativisht mirë, ato janë nën presion. “Në zonat e reja të dendura të banimit të Suedisë, është problem të sigurohet një hapësirë e madhe për gjërat si kopshtet, shkollat, sheshet e lojërave dhe parqet. Parqet bëhen më të vogla dhe shfrytëzohen më dendur, sepse më shumë njerëz i përdorin ato. Kjo nënkupton se është e vështirë ta ruajmë bimësinë natyrore, si lëndinat, lulet dhe shkurret”. Long thekson: “Tani e kemi një version më të zbehur me ‘hajt t’i bëjmë disa pajisje të bukura loje’. E kaluara radikale nuk është aq e theksuar tani”.

Projekti F51

Brunge gjithashtu shqetësohet se “po shkojmë gjithnjë e më shumë drejt projektimit të shesheve të lojërave sipas rregullave të sigurisë, gjë që ka rëndësi. Por, mendoj se duhet të jemi të kujdesshëm të mos e humbasim atë që do të thotë të jesh fëmijë në zhvillim duke u mbajtur gjithmonë për sigurinë”. Guy Holloway shprehet njësoj. “Pavarësisht se bota në shumë mënyra po bëhet më e sigurt, po i mbështjellim fëmijët tanë me atë që duket si lesh pambuku, për t’i mbrojtur gjatë gjithë kohës, kështu që po e humbasin aftësinë për të luajtur pa frikë”. Ai e përshkruan F51-shin si “hapësirë të kontrolluar adrenaline”, duke shtuar se “të rinjtë duhet të jenë në gjendje të luajnë, siç duhet”.

Modelet e Sorensenit pasqyronin qasjen moderniste dhe përfshinin forma gjeometrike dhe tokësore. Por, nuk ishin vetëm modernistët skandinavë që e sollën gjeometrinë në lojë. Projektet e shesheve të lojërave të skulptorit të ndjerë japonezo-amerikan, Isamu Noguchi, shpesh i referohen gjeometrisë dhe shkencës, thotë Florence Ostende, kuratore e ekspozitës së fundit dedikuar atij, në Galerinë “Barbican”. Ajo i citon “strukturat e trekëndëshave, si tetraedri, të cilin miku i ngushtë i [Noguchit], R. Buckminster Fuller, e konceptoi si ‘sistem minimal strukturor të universit’”.

Pajisjet e tij të lojës e zbukuruan Parkun Moerenuma të Japonisë, ndërsa në vitin 2019, artisti danez Danh Vo, e vendosi skulpturën “Play” të Noguchit në terrenin e kompleksin “Pelican” në Londrën jugore, duke krijuar vend ku banorët luajnë, ngjiten e pushojnë. “Kontributi themelor i Noguchit në dizajnimin e shesheve të lojërave qëndron në natyrën e lirë, të hapur dhe të pashkruar të marrëdhënies sonë me hapësirën e mjedisin”, shton Ostende.

Pamje nga Muzeu Amos Rex në Helsinki

Teksa hapësira dhe fondet për sheshet e lojërave mund të jenë nën presion, ende më shumë preferohen ato me rrënjë radikale. Dashuria e nordikëve për kërkimin e ushqimit veçohet në projektimin e disa shesheve të lojërave dhe të qendrave rinore të Helsinkit, ku janë rritur bimët e ngrënshme.

Ndërkohë, Fordi, i cili jeton në Suedi, kujton reagimin e nënës së tij ndaj sheshit të lojërave parashkollore të së bijës. “Ishte paksa e tmerruar pasi kishte vetëm një gardh të lartë deri në bel dhe gurë të mëdhenj për të kërcyer. Kishte baltë, rërë dhe shkurre me manaferra për t’i ngrënë.”

Brunge thotë se kjo e bën të duhur një hapësirë Skandi të lojërave: “Nuk është e rëndësishme që rrobat e fëmijëve të jetë të pastra e të thata. Më e rëndësishme është që të sfidohen e të argëtohen”. Sorensen do ta miratonte këtë. /Telegrafi/