LAJMI I FUNDIT:

Çitaku: Ka përfunduar koha kur për Trepçën vendoste Beogradi

Çitaku: Ka përfunduar koha kur për Trepçën vendoste Beogradi

Ambasadorja e Kosovës në Washington, Vlora Çitaku, para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ka thënë se minierat e Trepçës janë në Kosovë, ato i përkasin Kosovës dhe ato do të menaxhohen nga Kosova.

Ajo ka thënë se duke e funksionalizuar Trepçën dhe resurset tjera nënkupton mundësi për të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim.


“Minierat e Trepçës janë në Kosovë. Ato i përkasin Kosovës. Dhe ato do të menaxhohen nga Kosova. Ligji për Trepçën është në përputhje të plotë me Propozimin Gjithëpërfshirës të Presidentit Martti Ahtisaari mbi statusin përfundimtar të Kosovës. Dhe në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës. Për më tepër, ishte pikërisht administrata e OKB-së që i dha të gjitha kompetencat për menaxhimin e ndërmarrjeve publike dhe atyre shoqërore ish-Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit, e cila më vonë u shndërrua në Agjencinë Kosovare të Privatizimit”, ka thënë Çitaku, raporton “Zeri.info”.

Autoritetet serbe nuk kanë bazë ligjore në pretendimet e tyre, fjalët dhe veprimet e tyre vetëm shfaqin tendenca koloniale ndaj Kosovës, ka shtuar ajo me tej.

“Më 13 tetor 2016, njëmbëdhjetë parlamentar që përfaqësojnë komunitetin serb në Kosovë e kanë dërguar një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës që të shqyrtojë zbatueshmërinë e Ligjit për Trepçën me dispozitat për mbrojtjen e pronës dhe të drejtat e komuniteteve sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Më 31 tetor 2016, Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi se Ligji Nr 05 / L-120 për Trepçën është në pajtim me Kushtetutën. Vendimi deklaroi se parlamentarët serb të Kosovës nuk i kanë mbështetur pretendimet e tyre mbi baza kushtetuese dhe nuk kanë ofruar prova që tregojnë se si dhe pse Ligji i sfiduar për Trepçën e ka shkelur Kushtetutën, ose në procedurë ose në substancë. Gjykata më tej komentoi se Ligji për Trepçën nuk është i kufizuar në një ose një tjetër komunitet etnik në Kosovë, por ka për qëllim për të mirën e të gjithë shoqërisë dhe se nuk ka dëshmi se si dhe pse serbët e Kosovës do të jenë të dëmtuar me këtë ligj. Krejt e kundërta qëndron, ka thënë Çitaku.

Çitaku ndër të tjera ka thënë “Ne shpresojmë se përfaqësuesit serbë në Kosovë do të marrin vendimet e tyre, pa ndonjë frikë të presionit nga Beogradi, dhe të vendosin të ri-angazhohen në jetën parlamentare dhe institucionale. Kjo është e vetmja rrugë përpara”.