Çitaku: Evropa për ne paraqet stabilitet dhe paqe


Ajo mori pjesë në një konferencë për media të përbashkët me Zyrën e BE-së në Kosovë të mbajtur me rastin e shënimit të Ditës së Evropës.
Të pranishëm në konferencë ishin përfaqësuesi special i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar dhe Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.
“Gjatë viteve të fundit Kosova ka pësuar ndryshime të rëndësishme dhe kuptimplote që kanë dinamizuar më tej integrimin evropian të vendit duke reflektuar konsolidimin e mëtutjeshëm si shtet evropian i pavarur dhe funksional. Nëse shërbehemi me analogjinë e njohur të rrugës dhe rrugëtimit, që shpesh përdoret për të përshkruar procesin integrues mund të thuhet se të premten që shkoi me përfundimin e negociatave për MSA kemi pasur një kthesë domethënëse që qon Kosovën në një udhë të shpejt dhe të vetmen, drejtë destinacionit final atë të vendit anëtar”, deklaroi ajo.
Çitaku gjatë kësaj konference i ka falënderuar gjithë spektrin politik në vend për siç është shprehur ajo, përfaqësimin e një uniteti politik, dhe se “Asnjë nga këto nuk do të ishte e mundur pa një konsensus të të gjithë spektrit politik në Kosovë dhe pa mbështetjen e tyre të plotë gjatë negociimit të MSA-së. Kjo edhe një herë e ka treguar dhe vërtetuar unitetin tonë të plotë kur është në pyetje agjenda evropiane e Kosovës. dhe kjo me siguri sepse Evropa për ne në rend të parë paraqet stabilitet dhe paqe”. /Telegrafi/






































