ChatGPT Image Jul 7, 2026, 10_39_06 AM

Finalja e Kupës së Botës 2026 mes Spanjës dhe Argjentinës nuk do të vendosë vetëm kampionin e ri të botës, por mund të ndryshojë edhe renditjen historike të trofeve të fituar.

Argjentina, e udhëhequr nga Lionel Messi, do të përpiqet të mbrojë titullin e fituar në Katar në vitin 2022 dhe të ngjitet në kuotën e katër trofeve botërorë, duke barazuar Gjermaninë dhe Italinë në listën e kombëtareve më të suksesshme.


Në anën tjetër, Spanja synon të fitojë Kupën e dytë të Botës në histori, pas suksesit të vitit 2010 në Afrikën e Jugut.

Brazili vazhdon të mbetet kombëtarja më e suksesshme në historinë e Kupës së Botës, me pesë tituj të fituar në vitet 1958, 1962, 1970, 1994 dhe 2002. "Seleçao" është gjithashtu e vetmja kombëtare që ka marrë pjesë në të gjitha edicionet e turneut.

Pas Brazilit renditen Gjermania dhe Italia me nga katër tituj secila. Gjermania i fitoi trofetë në vitet 1954, 1974, 1990 dhe 2014, ndërsa Italia triumfoi në vitet 1934, 1938, 1982 dhe 2006.

Argjentina ka tre tituj botërorë, të fituar në vitet 1978, 1986 dhe 2022. Nëse mposht Spanjën në finalen e 2026-s, do të ngjitet në kuotën e katër trofeve, duke u bashkuar me Gjermaninë dhe Italinë në vendin e dytë të renditjes historike.

Uruguai dhe Franca kanë nga dy tituj botërorë. Uruguai triumfoi në vitet 1930 dhe 1950, ndërsa Franca fitoi në vitet 1998 dhe 2018.

Anglia dhe Spanja kanë nga një Kupë Bote. Anglezët fituan trofeun në vitin 1966, ndërsa spanjollët në vitin 2010. Nëse "Furia Roja" fiton finalen e së dielës, do ta dyfishojë numrin e titujve dhe do të bashkohet me Uruguain dhe Francën me nga dy trofe.

Ndërkohë, Holanda mban rekordin negativ si kombëtarja që ka humbur më së shumti finale të Kupës së Botës pa e fituar asnjëherë trofeun.

"Tulipanët" kanë qenë tre herë nënkampionë (1974, 1978 dhe 2010), ndërsa Hungaria dhe Çekosllovakia e kanë humbur nga dy finale. Kroacia dhe Suedia kanë mbetur një herë nënkampione të botës. /Telegrafi/

telegrafi sport app