eksperti-banner

Rrugët e Pejës u mbushën me adrenalinë, energji pozitive dhe mesazhe fuqizimi në fillim të kësaj jave, gjersa u zhvillua aktiviteti “Çikat n’Motor – Pejë”, një iniciativë që promovon barazinë gjinore dhe sfidon stereotipet tradicionale.

Me organizim të Zyrës për Barazi Gjinore të Komunës së Pejës, në bashkëpunim me Klubin e Motoçiklizmit “Çikat” dhe Auto Shkollën “Flakroni”, vajzat dhe gratë patën mundësinë të njihen nga afër me botën e motoçiklizmit, duke mësuar bazat e ngasjes në një ambient të sigurt, edukativ dhe motivues.


Përmes kësaj nisme u krijua një hapësirë ku vajzat dhe gratë mund të eksplorojnë interesa të reja, të fitojnë vetëbesim dhe të sfidojnë perceptimet se motoçiklizmi është një 'aktivitet i rezervuar' vetëm për burrat.

Me xhiron simbolike nëpër qytetin e Pejës, komuniteti i motoçiklistëve u bashkua për të përçuar një mesazh të fuqishëm: më shumë barazi, më shumë përfshirje dhe më shumë mundësi për të gjithë.

“Çikat n’Motor – Pejë” nuk ishte vetëm një aktivitet motoçiklistik, por një shembull i qartë se si iniciativat e tilla mund të frymëzojnë ndryshim, të thyejnë barriera dhe të fuqizojnë vajzat dhe gratë në çdo fushë të jetës. /Telegrafi/