Me një mbrëmje të mbushur me këngë e valle ka nisur manifestimi “Java e Diasporës” në Deçan, ku qytetarët dhe bashkatdhetarët u bënë pjesë e programit kulturor të organizuar për këtë ngjarje.

Kryetari i Komunës së Deçanit Bashkim Ramosaj ka njoftuar se hapjen e manifestimit e ka shënuar paraqitja e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve “Deçani”, së bashku me këngëtarë të kësaj treve.


“Java e Diasporës nisi sonte me këngë e valle, falë paraqitjes së mrekullueshme të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve ‘Deçani’ dhe këngëtarëve tanë deçanas”, ka shkruar Ramosaj.

Ai ka falënderuar qytetarët dhe bashkatdhetarët që morën pjesë në këtë mbrëmje, duke i ftuar ata të jenë pjesë edhe e aktiviteteve të tjera të parapara në kuadër të “Javës së Diasporës”.

Manifestimi synon të promovojë kulturën, traditën dhe lidhjen e Deçanit me mërgatën përmes aktiviteteve kulturore e artistike. /Telegrafi/