LAJMI I FUNDIT:

Çfarë po ndodh me Perëndimin?

Çfarë po ndodh me Perëndimin?

Vasil Kureta

Ka sot një vëmendje të shtuar për zhvillimet e brendshme të Perëndimit. Ka shtim të analizave për të sotmen e të ardhmen e tij, por edhe pohime të llojit Perëndimi i grindur, “Perëndimi historik”, Perëndimi drejt përçarjes apo Perëndimi vdiq etj., që po dëgjohen më shpesh e po shkruhet më shpesh në shtyp e media të ndryshme.

Në përballjen e ashpër e komplekse me komunizmin e kampin socialist, Perëndimi dhe modeli perëndimor dolën fitues e superiorë. Në këtë përballje u shfaq soliditeti i brendshëm, epërsia e modelit perëndimor e standardet e larta të zhvillimit ekonomik, politik e social, por dhe roli udhëheqës i SHBA.

Çfarë po ndodh, në fakt, aktualisht në brendësi të formatit perëndim dhe atij që njihet si modeli perëndimor i zhvillimit?

Perëndimi e formësoi partneritetin e vet, mbështetur në rregulla e principe të dakordësuara. Kështu funksionoi edhe në përballjen e ashpër me komunizmin, por edhe pas rënies së komunizmit. Partneriteti synon marrëdhënie sa më të drejta e të barabarta, të mbështetura në rregulla të pranuara, por në kushtet e dallimeve në potenciale e aftësi të ndryshme, nuk mund të ketë barazi të artë në fitime. Barazia në rregulla e principe e bën partneritetin të funksionojë, por dhe grindjen nuk e përjashton. Nuk mund të mohohet, se një problematikë e brendshme në aleancën euroatlantike, ka filluar të marrë udhë në përfundim të Luftës së Ftohtë, që lidhej me dy elemente thelbësore: me raportin mes nevojave strategjike dhe konvergjencës së vlerave, apo vlerat e rendit liberal. Sipas James Traub, SHBA, që ka pasur rolin kryesor dhe udhëheqës në aleancë, ka humbur interesin për këto vlera. Natyrisht, që ka një problematikë konkrete, por nuk mund të pajtohesh me këtë konkluzion kategorik.

Perëndimi i grindur tani është fakt që ka ngjallur shqetësim edhe pse ka një princip se grindja është drejtësi, ose edhe drejtësi. Këtu nuk është fjala vetëm për qëndrimet e ndara sa i përket marrëveshjes bërthamore me Iranin.

A janë “grindjet”, mosdakordësitë apo qëndrime të ndara për probleme të rëndësishme në zhvillimet brenda Perëndimit dhe në marrëdhëniet me aktorët e tjerë ndërkombëtarë dhe zhvillimet ndërkombëtare, a janë kritikat publike amerikane ndaj aleatëve evropianë për problemet e sigurisë e funksionimin e NATO, por edhe për marrëveshjen e partneritetit tregtar mes tyre etj., tregues se diçka nuk po funksionon brenda Perëndimit? A janë këto simptoma apo tregues, se ka filluar një ndarje, apo se përçarja brenda Perëndimit është e pakthyeshme? A ka ndonjë një afrim te e vërteta teza apo deklarimi, i ardhur nga Rusia, përmes Lavrov, pra, me konceptin “Perëndimi historik” d.m.th. që e mendon idenë, se perëndimi e ka mbyllur ciklin e vet, apo që e vendos perëndimin në muzeun e historisë? A është e besueshme teza apo mendimi se, Perëndimi, siç e kemi njohur në evoluimin e vet, ka mbërritur në momentin e konsumimit të qenies së vet, apo jemi në momentin që përmbajtja dhe mekanizmi i funksionimit të tij, si format konkret bashkëpunimi politik, ekonomik, ushtarak, teknologjik, i mbështetur në sistemin e vlerave, ka ardhur në momentin e nevojën e përsosjes së mëtejshme të tij, përmes ndryshimit esencial, duke kaluar në një model apo format tjetër bashkëpunimi?

Në të vërtet grindjet, mosdakordësitë e një sërë problemesh janë evidente, por edhe shqetësimet e pikëpyetjet po shtohen edhe pse deri më sot nuk ka ndonjë studim serioz e komplet për këtë format e model perëndimor të zhvillimit, për të sotmen e të ardhmen e tij.

A janë kritike apo shteruese këto fenomene, kontradikta brenda tij, që e vënë në pikëpyetje qenien e të ardhmen e tij dhe a ka ky model zhvillimi e format bashkëpunimi aftësi e mundësi të brendshme përsosjeje e zhvillimi, për të kaluar në një stad apo nivel tjetër, d.m.th. që të gjenerojë së brendshmi? A jemi tashmë në stadin e një ndryshimi thelbësor të modelit të sistemit të marrëdhënieve ndërkombëtare, që ka filluar pas rrëzimit të komunizmit, që nxit e presupozon edhe një ndryshim e përsosje të formatit e modelit perëndimor?

Pyetje të ligjshme janë këto, por jo thjesht supozime apo mosnjohje e realitetit, që zhvillohet përpara nesh.

Tash një grindje brenda perëndimit është fakt, proces që po formëson përmbajtjen e vet me probleme konkrete e të rëndësishme. Një grup kritikash apo qëndrimesh, të ngritura në interesa të diferencuara mes SHBA dhe aleatëve të saj perëndimorë evropianë, për probleme konkrete ekonomike e financiare, të tregtisë, por edhe të sigurisë e mbrojtjes, madje dhe për qëndrime ndaj zhvillimeve ndërkombëtare dhe politikën e jashtme perëndimore, tashmë janë evidente. Presidenti amerikan Trump ka qenë konkret dhe ka adresuar qartë e konkretisht kritika e diferenca në interesa brenda formatit të perëndimit, përfshi dhe çështjen e mprehtë të sigurisë e rolin e ardhmnërinë e NATO-s. Ato kanë lëndë dhe nuk janë supozime edhe pse mund të ketë interpretime të ndryshme për to. Ato tashmë janë bërë publike edhe pse disa prej tyre mund të kenë qenë prezent edhe më parë. Kjo grindje SHBA-BE ndodh në një moment kur BE ka një situatë krize apo se përballet me një problematikë të mprehtë për të ardhmen e projektit evropian e të vetë BE. Projekti ka avancuar vërtet, por nuk ka mundur të zgjidhë çështjen e të ardhmes së vet, të evoluojë sipas teorisë së shtetit dhe të drejtës, d.m.th. që të funksionojë në formën e një konfederate apo federatë. Ka një dualizëm mes strukturave të BE dhe shteteve kombe anëtare të BE. Mënyra si po funksionon deri tani e dëshmon qartë pse nuk po funksionon si duhet, por dhe që e pret një problematikë më e mprehtë funksionimi.

Deri më sot Perëndimin e kemi parë të bashkuar e të unisuar në qëndrime të rëndësishme ndërkombëtare, por qëndrimi ndaj marrëveshjes bërthamore ndaj Iranit, është dëshmi esenciale që vërtet të shtyn të pyesësh, se çfarë po ndodh sot brenda Perëndimit? Natyrisht, që ka pasur diskutime të brendshme, madje dhe dallime e argumente ndryshe në të kaluarën, si shprehje e funksionimit të demokracisë së brendshme, por qëndrimi ka qenë i unisuar e dakordësuar. Ky rast tregon më shumë për një formë të mosrealizimit të demokracisë, aq më tepër që SHBA ka vendosur, përsëri pa dakordësim edhe për sanksione të reja ndaj Iranit, të cilat tashmë godasin dhe interesa ekonomike e financiare të partnerëve evropianë të SHBA, të cilët kanë kompani të tyre që kanë investuar në Iran. Tash bëhet publike dhe një kontradiktë e brendshme mes SHBA dhe partnerëve evropianë, sa përket partneritetit tregtar, që është konsumuar publikisht, që shoqërohet edhe me deklarime amerikane për tarifa, apo masa konkrete, sa i përket importeve të çelikut e aluminit dhe që dëshmon se është prishur qetësia e harmonia brenda Perëndimit. Madje ka shqetësime, se mund të kemi apo të fillojë edhe një luftë tregtare brenda Perëndimit.

A mund të interpretohet lëvizja amerikane ndaj partnerëve të saj, si përpjekje për të vendosur rregullat juridike dhe politikat amerikane dhe jashtë SHBA, siç mendon ndonjë analist i këtyre zhvillimeve?

Natyrisht, që mund të mendohet zhvillimi i kësaj kontradikte edhe si një tronditje nga brenda Perëndimit, megjithatë më e lexueshmja e këtij zhvillimi është se partneriteti i mëparshëm po ndryshon, apo mund të ndryshojë. Edhe pse ndonjë është i bindur se, ky element përbën goditje të rëndë të partneritetit, apo që shkon më tej, duke pohuar se ndodhemi përballë mungesës së plotë të partneritetit, përsëri nuk duhet ngutur në konkluzione. Natyrisht, që tërheq vëmendjen edhe një përshkallëzim retorike brenda perëndimit. Kështu, zyrtari i lartë i BE Tusk, duke i u referuar problematikës mes BE dhe SHBA, sidomos edhe si përgjigje ndaj largimit të SHBA nga marrëveshja bërthamore me Iranin dhe deklarimi për sanksione të reja, por dhe ndaj opsionit amerikan për tarifat ndaj çelikut e aluminit, ka nënvizuar se: duke parë vendimin e fundit të Trump, dikush do të mendonte: me partner të tillë, kujt do t’i duheshin armiqtë. Është vërtet deklarim tepër i ashpër, i panevojshëm, jo i dobishëm dhe që nuk shkon në frymën e diskutimit konstruktiv.

Gjithsesi edhe pse nuk mund të dihet në këtë moment se si do të precipitojë kjo grindje brenda perëndimit, në këtë fazë që ndodhet, kjo lëvizje amerikane, po vlerësohet si një shfaqje mosbesimi të SHBA ndaj aleatëve të vet historikë e natyralë. Në kushtet e funksionimit të perëndimit të bashkuar, Evropa nuk u shfaq si aktor apo subjekt më vete gjeopolitik në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare, sepse ishte SHBA, që përfaqësonte perëndimin e bashkuar. Tash ka filluar ta konkretizojë atë. Madje ka ndonjë që mendon se sot kemi një dizekuilibër force në Evropë, në favor të Gjermanisë. Tash konstatohet një lëvizje reale, ku evidentohet roli i veçantë i Gjermanisë, por dhe i Francës sa i përket funksionimit të BE dhe rolit evropian në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Duket se do të marrë përmbajtje një diplomaci dhe politikë e jashtme evropiane, si kontribut evropian e perëndimor njëkohësisht.

Në këto kushte, Rusia dhe Kina, që ndjekin nga afër këto zhvillime, po përpiqen me kujdes për të përfituar sa më mirë e sa më shumë. Ndërsa Kina shfaqet pa fjalë, pragmatiste, por pa deklarime, Rusia ka nxituar të përcjellë konceptin “Perëndimi historik”, d.m.th. mesazhin se Perëndimi tashmë i përket të kaluarës. Tash ato shfaqen të afruara, se bashkohen në interesat antiperëndimore, por që ndahen e do të ndahen në synimet për të përfituar nga këto zhvillime. Natyrisht, që kontradiktat janë në themel të çdo forme të gjallë dhe shfaqen në mënyra të ndryshme në faza të ndryshme, por, gjithashtu, nuk ka dhe fenomene të përjetshme, apo dhe formate e aleanca që të mos i nënshtrohen ndryshimit e përsosjes. Megjithatë, zhvillimet më të fundit nxisin pyetjen: a ka tashmë një problem kritik brenda Perëndimit, brenda modelit perëndimor të zhvillimit? A është pjekur nevoja e përsosjes, apo nevoja e kalimit në një formë tjetër, apo po piqet nevoja e një modeli tjetër, që do të synonte të kapërcente këto lloje kontradiktash të brendshme të këtij formati bashkëpunimi e modeli zhvillimi.

Në këtë moment po konstatohet një lëvizje e Kinës dhe Rusisë për të shfrytëzuar situatën e krijuar e mbushur boshllëkun e mundshëm të krijuar, apo që pritet të krijohet më tej, mes SHBA e BE, jo vetëm në aspektin ekonomik, financiar e tregtar, por dhe sa i përket investimeve dhe interesave strategjike e gjeopolitike. Natyrisht, kjo situatë iu vjen për hosh ekstremistëve, terroristëve, aventurierëve, autokratëve dhe ambicieve antiperëndimore, mundëson rreshtime të rrezikshme për sigurinë e stabilitetin në botë, por dhe kundër sistemit të vlerave. Nisur nga mënyra se si po zhvillohet kontradikta brenda Perëndimit, ka lindur pyetja konkrete: a do të shohim një përmirësim të mëtejshëm të marrëdhënieve mes Gjermanisë dhe Rusisë, ku marrëveshja për blerjen e gazit është një tregues konkret? Aktualisht Gjermania ka një rol të dallueshëm në BE dhe në Evropë, por dhe Rusia gjeografikisht e ka një këmbë në Evropë, por dhe interesa të zhvilluara gjeopolitike. Duken si të kundërta interesat e synimet, por s’ka kontradikta pa unitet e luftë të të kundërtave. Pra, në këtë kontekst, a do të shohim afrim e përmirësime të dukshme në marrëdhëniet mes Gjermanisë dhe Rusisë? I ndan shumë historia e luftës së dytë botërore, por tash ka një realitet tjetër.

Nuk mund të përjashtohet një marrëdhënie e re mes Gjermanisë dhe Rusisë, mes BE dhe Rusisë, në funksion të zhvillimeve ekonomike e të sigurisë. Deklarata e zëra nga BE, se ne evropianët duhet të mendojmë më shumë dhe konkretisht për sigurinë tonë, nuk janë deklarime të përgjithshme apo taktike. Nga mediat mësohet se, në një telefonatë mes Merkel dhe Putin është theksuar, jo rastësisht rëndësia e marrëveshjes për stabilitetin rajonal dhe ndërkombëtar. Duket sikur kjo lëvizje lidhet vetëm me një interes aktual, për të shpëtuar marrëveshjen bërthamore me Iranin, por koha do të tregojë, nëse mund të jetë fillim i një marrëdhënieje të re mes tyre, por edhe me Kinën, që është dhe ajo një aktor i rëndësishëm ndërkombëtar. Kjo ndodh në kohën, kur Kina dhe Rusia, luftojnë të revizionojnë modelin e sistemit të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe rolin e Perëndimit në të, sidomos të SHBA. Brenda këtij koncepti mund të vlerësohen edhe zërat, synime apo përpjekje për atë që njihet si alternative e dollarit amerikan. Mësohet, gjithashtu, dhe një lëvizje mes Rusisë dhe Iranit për një monedhë tjetër për tregti, që mund të jetë edhe si përgjigje konkrete ndaj sanksioneve të reja të mundshme amerikane ndaj Iranit, por që nuk përjashtohet të jetë pjesë e interesave gjeostrategjike e roli ndërkombëtar nga Rusia. Duket e vështirë kjo ambicie ruse, por që ushqehet edhe nga zhvillimet brenda Perëndimit.

Tash, që Perëndimi vazhdon grindjen, Kina dhe Rusia kanë filluar të nxitojnë për të evidentuar epërsi të tyre në elemente konkretë ekonomike e ushtarake në përballjen me SHBA. Jo rastësisht konstatohet edhe një garë vërtet e shfrenuar armatimi dhe një demonstrim i fuqishëm i muskujve dhe i armëve nga më të sofistikuarat e më të rrezikshme shfarosëse, apo që u gëzohen sistemeve raketore e armëve bërthamore etj., për të dëshmuar epërsi konkrete, duke harruar se nga një përballje reale mes tyre nuk do të ketë asnjë fitues. Madje konstatohen edhe përpjekje konkrete për të “argumentuar” edhe epërsinë e modeleve autoritariste, që nuk mundësojnë realisht demokracinë funksionale e sistemin e vlerave edhe pse historia ka provuar se këto modele e kanë dështimin të pashmangshëm. Kësaj situate i ka ndihmuar edhe fenomeni i grindjes brenda Perëndimit, por dhe një problematikë konkrete brenda modelit perëndimor të zhvillimit.

Modeli perëndimor i zhvillimit realizoi një përsosje e ndryshim të rëndësishëm, që evidentohet që nga mesi i viteve 60 të shekullit të kaluar, i cili u ndihmua edhe nga aplikimi zbulimeve shkencore në prodhim, si automatizimi apo i teknologjive të avancuara etj., që mundësoi një rritje esenciale të rendimentit në punë. Kjo shërbeu si bazë edhe për një sendërtim të mëtejshëm të sistemit të vlerave, që evidentoi edhe ndryshime të dukshme sociale, më shumë sigurime e mbrojtje sociale, më shumë liri e demokraci funksionale, më shumë mundësi për sundimin e ligjit, ku tash flitej më shumë për punonjësit me jaka të bardha dhe ata me jaka blu, se sa për proletariatin.

Natyrisht, përmirësimet e ndryshimet reale arsimore, kulturore, apo në nivelin e të ardhurave, ishin kuptimplote, por nuk zhdukën kontradiktën mes punës dhe kapitalit. Është fakt që ky ndryshim ndikoi në rënien e venitjen reale të lëvizjes sindikaliste. Tash ka një problematikë komplekse që u zhvillua edhe nga ndikimi i krizës botërore financiare, por dhe krizat ciklike konkrete, që po zhvillojnë nevojën e përmirësimit dhe evoluimit të mëtejshëm të modelit perëndimor edhe pse ai sot nuk mund të konkurrohet nga modelet autoritariste. Edhe pse ka studime të pjesshme, duket se po piqet nevoja për një studim të plotë të evoluimit e të ardhmes së modelit perëndimor. Ai është realisht superior ndaj modeleve të tjera aktuale, që nuk mund ta rivalizojnë dot, por që e luftojnë atë. Jo rastësisht sot, ka një fokusim të goditjeve ndaj Perëndimit sidomos ndaj sistemit të vlerave, që ai përfaqëson dhe dëshmon epërsinë e tij. Modeli perëndimor i ngritur mbi sistemin e vlerave edhe pse nuk mund të konkurrohet ai sulmohet e do të goditet për nevoja imperiale e gjeostrategjike.