LAJMI I FUNDIT:

Çfarë nënkuptojnë termat ‘Bota e Re’ dhe ‘Bota e Vjetër’ në prodhimin e verërave

Çfarë nënkuptojnë termat ‘Bota e Re’ dhe ‘Bota e Vjetër’ në prodhimin e verërave

Rexhep Kryeziu
Ekspert i vreshtarisë dhe verarisë

Verëtar të dashur, ka shumë emërtime në botën e verës. Ato shpesh çojnë në konfuzion dhe jo në ndriçim. Megjithatë, termat Bota e Vjetër dhe Bota e Re janë mjaft përshkruese – për sa kohë që ju nuk e dini se çfarë saktësisht fshihet pas tyre.


Në fakt është mjaft e thjeshtë: Bota e Re i referohet të gjitha atyre vendeve jashtë Botës së Vjetër; dhe kjo Botë e Vjetër është Evropa. Pra, nëse pini verë nga Franca, Spanja, Italia, Gjermania, Greqia, Kroacia, Kosova, Shqipëria etj., këto janë Bota e Vjetër. Nëse vera është nga SHBA, Kili, Afrika e Jugut, Australia etj., ajo është nga territori i Botës së Re.

Por edhe mentaliteti i ri i prodhimit të verërave sot ka ndryshuar Në Evropë nga vendet ish-socialiste, është prodhuar verë në masë pa ndonjë cilësi, kurse në vendet e Evropës demokratike është prodhuar verë në masë – prodhime industriale dhe verë në kantina të vogla – prodhime artizanale cilësore. Prodhimet artizanale, atëherë dhe sot janë të cilësisë më të mirë sepse ekskluzivisht punohet me dorë. Megjithatë, në industrinë e verës, këto terma mund të nënkuptojnë më shumë sesa thjesht origjinën gjeografike të verërave.

A është stili i Botës së Re apo stili i Botës së Vjetër?

Tani, shumë vite më vonë, e di se Bota e Vjetër qëndron për stilin elegant të verës. Vendet ish-socialiste të Evropës me verëra pa ndonjë stil, ndërsa Bota e Re njihet për verërat “bombë frutore”. Vendet ish-socialiste tani kanë filluar me kuptimin e prodhimit te verës në cilësi. Kjo do të thotë që një verë e prodhuar në Evropë me përmbajtje të lartë të alkoolit dhe trup, shumë frutore, pothuajse e ëmbël, është nga Bota e Vjetër, por sot kemi dhe stilin e Botës së Re. Është konfuze!

Çfarë është tipike?

Verërat e Botës së Vjetër priren të jenë më të lehta në strukturë me më pak alkool dhe shfaqin aroma dheu – mineralike. Verërat nga Bota e Re janë zakonisht më të larta në alkool, më pak acide dhe shumë më frutore në shije. Por gjërat kanë filluar të ndryshojnë, kryesisht për shkak të ndryshimeve klimatike. Temperaturat po rriten në mbarë globin, rajonet vreshtare në mbarë botën po nxehen; në të dy rajonet e Botës së Vjetër dhe të Botës së Re. Nuk është më e pazakontë këto ditë që verërat e Botës së Vjetër të kenë nivele relativisht të larta të alkoolit (14%+) për shkak të temperaturave në rritje.

Nga ana tjetër, është po aq e zakonshme të gjesh gjithnjë e më shumë verëra të Botës së Re me nivele më të ulëta alkooli dhe aciditet më të mprehtë.

Në botën e vjetër të verëtarisë flitet shumë për rëndësinë e tokës, Terroir-it dhe klimës dhe në të vërtetë është rasti që nga vjelje të ndryshme dhe prodhohen verëra shumë të ndryshme. Në Botën e re të verëtarisë, nga ana tjetër, i kushtohet shumë më tepër vlerë prodhuesit të verës dhe aftësive të tij. Prodhuesi i verës duhet t’i përshtatet kërkesave të reja dhe teknologjisë enologjike më të re.

Mosmarrëveshjet mes gjeneratave

Tema Bota e Vjetër prodhuese dhe Bota e Re prodhuese sot, mund të shkaktojnë debate të nxehta mes prodhuesve dhe dashamirëve të verës: Më pas ka një argument për traditën përkundër modernizimit. Bota e vjetër prodhuese është sinonim i traditës dhe historisë dhe një mentalitet “Nëse nuk është prishur, mos e rregulloni”, por patjetër se duhet të rregullohet. Prodhuesit e rajoneve të Evropës ish-socialiste të Botës së vjetër, të ndërrojnë mentalitet duke përvetësuar ligjet e reja prodhuese dhe, prodhuesit e Botes së vjetër, prodhuesit e EU-së demokratike të avancojnë kërkesat e Botës së Re. Bota e Re prodhuese nga ana tjetër është e lidhur me teknologjinë, shkencën dhe marketingun.

Kjo temë shpjegohet më së miri në praktikë. Merrni tre shishe verë të kultivarit të preferuar p.sh. Cabernet Sauvignon. Një nga prodhimet kosovare, një nga prodhimet italiane dhe një nga prodhimet e Kalifornisë, SHBA. Ngjëroni ato dhe mandej do të ndjeni dhe shijoni pikërisht atë që kam shkruar këtu. Gëzuar! /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Kur trupi ‘qan’ për ndihmë: Shtatë shenjat që tregojnë sasi të tepërt të hekurit në gjak

Kur trupi ‘qan’ për ndihmë: Shtatë shenjat që tregojnë sasi të tepërt të hekurit në gjak

Shëndetësi
Kalo në kategori