LAJMI I FUNDIT:

Çfarë mund të mësojë Musk nga Ma dhe Khodorkovsky

Çfarë mund të mësojë Musk nga Ma dhe Khodorkovsky
Ilustrimi: James Ferguson / The Financial Times

Burimi: The Financial Times
Përkthimi: Telegrafi.com

Tom Wolfe e krijoi termin “mjeshtrit e universit”, si një përshkrim ironik për tregtarët e bursave [Wall Street]. Elon Musk e kupton këtë ide në mënyrë të fjalëpërfjalshme. Ai shpreson të kolonizojë Marsin.

Por, Musku ka rënë me këmbë në tokë. Pas prishjes së marrëdhënieve me Donald Trumpin, njeriu më i pasur në botë ka zbuluar se nuk është as mjeshtër i Uashingtonit – e lëre më i universit.


Rënia e Muskut është pjesë e një modeli global. Dekada të tëra të globalizimit kanë krijuar oligarkë jashtëzakonisht të pasur në mbarë botën. Por, kur pushteti i parasë përplaset me pushtetin politik, ekziston vetëm një mënyrë për të parashikuar rezultatin. Politika del gjithmonë e para.

Në vende aq të ndryshme si Rusia, Kina, Arabia Saudite – dhe tani ShBA-ja – oligarkët që kanë zhvilluar ambicie të pavarura politike kanë mësuar me forcë se ku qëndron pushteti i vërtetë.

Triumfi i politikës mbi paranë mund të vijë si befasi si për marksistët, ashtu edhe për kapitalistët tepër të sigurt në vetvete – të cilët besojnë se politikanët gjithmonë do të kërcejnë sipas muzikës së super të pasurve.

Por, siç vëzhgoi Mao, pushteti buron nga gryka e pushkës. Kontrolli mbi organet e shtetit – ushtrinë, prokurorinë, autoritetet tatimore – ka ende më shumë peshë se miliardat në bankë.

Sigurisht, politikanëve u duhet paraja, veçanërisht gjatë ngjitjes së tyre në pushtet. Zgjedhjet kushtojnë shumë dhe politika klienteliste e një shteti autoritar kërkon mjete financiare. Mbështetja financiare e Muskut ndihmoi Trumpin të fitonte zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.

Ngjitja e Vladimir Putinit në majat e pushtetit në Rusi u lehtësua nga disa nga njerëzit më të pasur të vendit – të cilët shpresonin se ai do të jetë mbrojtësi i pasurive të mëdha që kishin krijuar në vitet ’90 të shekullit XX. Por, sapo u vendos fuqishëm në Kremlin, Putini u tregoi oligarkëve se kush ishte shefi. Kur Mikhail Khodorkovsky, atëherë njeriu më i pasur në Rusi, filloi të bëhej një forcë e pavarur politike, Putini e arrestoi. Khodorkovsky kaloi 10 vjet në burg. Boris Berezovsky, i cili gjithashtu kishte krijuar një pasuri të madhe gjatë viteve të Jelcinit, u detyrua të largohej në ekzil dhe vdiq në rrethana misterioze.

Jack Ma, dikur njeriu më i pasur në Kinë, e kaloi relativisht më lehtë. Presidenti Xi Jinping e pa qartë se profili i lartë i Masë dhe pikëpamjet e tij, herë pas here të guximshme, paraqisnin një sfidë. Pas një fjalimi në vitin 2020, ku ai kritikoi rregullatorët financiarë, oferta publike e kompanisë së tij Ant Group u pezullua dhe Ma pothuajse u zhduk nga jeta publike. Partia Komuniste Kineze e vuri kapitalistin më të spikatur të vendit në vendin e vet.

Ma nuk përfundoi në burg dhe ka filluar sërish të shfaqet publikisht. Por, Jimmy Lai, një magnat i mediave në Hong-Kong që mbështeti lëvizjen pro-demokratike të territorit, po vuan aktualisht një dënim të gjatë me burg.

Në Arabinë Saudite, princi i kurorës Mohammed bin Salman – një figurë që admirohet shumë nga Trumpi – tregoi gjithashtu se mund t’i vë në rresht njerëzit më të pasur të mbretërisë. Ai burgosi dhjetëra biznesmenë të pasur në hotelin “Ritz-Carlton” në Riad, në vitin 2017, nën pretekstin e një fushate kundër korrupsionit. Ndër ta ishte edhe Princi Waleed bin Talal, investitori më i njohur i mbretërisë. Ky episod përcolli një mesazh të fuqisë së pamëshirshme që nuk është harruar kurrë.

Mënyra më e mirë për një miliarder që të mbrohet nga kapriçot e udhëheqësit të një vendi, është të bëhet vetë udhëheqës. Ky ishte rrugëtimi i Silvio Berlusconit, një biznesmen kontrovers që themeloi partinë e tij politike dhe shërbeu tre mandate si kryeministër i Italisë. Edhe Bidzina Ivanishvili, një miliarder që u bë kryeministër i Gjeorgjisë, ndoqi një rrugë të ngjashme. Vetë Trumpi e përdori pasurinë e tij për të financuar hyrjen në politikë.

Por, pak oligarkë arrijnë të bëjnë këtë tranzicion. Dhe, ata që veprojnë në periferi duhet të ecin me kujdes. Për të ruajtur pasurinë dhe lirinë, ata duhet ta kuptojnë mirë kufirin. Në Indi, familja jashtëzakonisht e pasur Ambani ruan lidhje të ngushta me kryeministrin Narendra Modi. Por, asnjëherë nuk kanë synuar ta sfidojnë lidershipin e tij.

Carlos Slim, njeriu më i pasur në Meksikë, ka ruajtur marrëdhëniet e mira me një sërë presidentësh meksikanë, duke u përmbajtur nga shprehja e opinioneve politike. Neutraliteti i tij i studiuar i ka mundësuar të ruajë ndikimin pavarësisht se kush është në pushtet. Madje, ka bashkëpunuar edhe me presidentin e majtë Andrés Manuel López Obrador në projekte të mëdha infrastrukturore.

Shumë amerikanë do të ndiheshin të tronditur nga ideja se marrëdhënia mes parasë dhe pushtetit në vendin e tyre mund të krahasohet me atë të Kinës, Rusisë, Arabisë Saudite apo Meksikës.

Fundja, ShBA-ja është demokraci e konsoliduar me të drejta të duhura pronësie. Ideja që presidenti mund të përdorë ligjin për të ndjekur një hakmarrje ndaj njeriut më të pasur të vendit, ende tingëllon befasuese. Por, presidenti ka thënë tashmë se Musku mund të humbasë kontratat federale dhe e ka paralajmëruar për “pasoja shumë serioze” nëse ai mbështet demokratët.

Disa nga ndjekësit më të zjarrtë të Trumpit duan të shkojnë edhe më larg. Steve Bannon ka sugjeruar nacionalizimin e kompanisë SpaceX të Muskut, e cila luan një rol kyç në programet hapësinore federale. Ai gjithashtu ka kërkuar që Trumpi të hetojë statusin e emigracionit të Muskut me synimin për ta dëbuar.

Shpronësim? Internim? E gjitha tingëllon goxha jo-amerikane. Por, kjo është Amerika e Trumpit. Kurrë mos thuaj kurrë. /Telegrafi/