Ministrja e Energjisë, Artane Rizvanolli tha se çështja e njehsorëve elektrikë nuk është në kompetencën e ministrisë që ajo drejton.

Ajo tha se nuk ka shprehi të jap deklarata në rrugë.


“A i keni parasysh kompetencat e Ministrisë së Ekonomisë edhe ministrive të tjera? Është një çështje për të cilën është duke u folur që disa javë tashmë. Gjithashtu duhet ta keni parasysh që nuk e kam shprehi të jap deklarata kështu rrugës nëse më ndjeni. Nëse keni nevojë për me sqarua diçka në lidhje me çështjet që i përkasin fushëveprimit të ministrisë, kompetencave të Ministrisë së Ekonomisë, mund të organizojmë qoftë intervistë, ose mund të dërgoni pyetje, ose mund të organizojmë edhe një konferencë për media. Po çështja të cilën e ngritët nuk i përket fushëveprimit të ministrisë sonë, rrjedhimisht duhet të drejtoheni tek ministria përkatëse, rregullatori dhe operatorët”, tha Rizvanolli.

Sipas Lidhjes Demokratike të Kosovës nga 884 njehsorë të verifikuar sipas tyre, 87% e njehsorëve për matjen e energjisë elektrike faturojnë qytetarët më shtrenjtë edhe kur tarifa është me të lirën.

Ndryshe Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), njoftoi të martën se e ka gjobitur Kompanisë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS), pasi ka gjetur se ajo ka njehsorë elektrikë me afat të skaduar.

Në një njoftim për media, MINTI tha se ka shqiptuar gjoba në vlerë prej 1.500 deri në 5.000 euro për secilin njehsor me afat të skaduar të vlefshmërisë./KP/