Reperi i njohur Unikkatil ka publikuar projektin e tij më të ri muzikor, të titulluar “Copa Copa”, i cili po komentohet gjerësisht në rrjete sociale.

Kënga po tërheq vëmendje jo vetëm si një rikthim i artistit me një publikim të ri, por sidomos për historinë emocionale që fshihet pas saj. “Copa Copa” vjen si një dedikim për vëllain e tij të ndjerë, Mentorin, duke e bërë këtë projekt një nga më personalët në karrierën e reperit.


Një ditë para publikimit të këngës, Unikkatil kishte prekur ndjekësit me një postim në Facebook, ku tregoi se vëllai i tij, për çdo ditëlindje, i kërkonte vetëm një gjë: një këngë. Ai theksoi se këtë traditë ka vendosur ta mbajë gjallë edhe tani, duke e realizuar një këngë të re për të.

- YouTube youtu.be

“Çdo ditëlindje vëllau i êm më ka kërku vetëm kôngë. Shpirti i tij e ka ndi këtë kong që e bona për ditëlindje amo sonte para mesnatës e ndini edhe ju. Happy birthday my one and only!”, kishte shkruar Unikkatil, duke bërë të ditur se kënga do të lansohej pak para mesnatës.

Postimi u prit me shumë reagime dhe komente nga fansat, të cilët e përgëzuan reperin për ndjeshmërinë dhe sinqeritetin, duke e vlerësuar mënyrën se si e shndërron dhimbjen personale në art.

Tashmë, me publikimin e “Copa Copa”, Unikkatil ka sjellë edhe zyrtarisht një dedikim që për shumë ndjekës po konsiderohet si një prej projekteve më të ndjera të tij. /Telegrafi/