LAJMI I FUNDIT:

‘Buxheti i Trump’ me reduktime në programet sociale

‘Buxheti i Trump’ me reduktime në programet sociale

Presidenti Donald Trump në fillim të kësaj jave propozoi një buxhet që synon uljen e shpenzimeve të brendshme në programet sociale si ‘Medicare’ dhe rritjen e shpenzimeve ushtarake e financimin për murin në kufi me Meksikën.

Gjatë kohës kur kandidonte për President në 2016-në, Trump premtoi se nuk do t’i prekte programet e sigurisë sociale, por propozimi i tij i ri do të reduktojë shpenzimet për ‘Medicare’ me 236 miliardë dollarë në 10 vitet e ardhshme.


Megjithatë, sipas Shtëpisë së Bardhë, reduktimet në shpenzime do të vijnë nëpërmjet reformave në programet e sigurimit shëndetësor për të moshuarit dhe jo nëpërmjet uljes së benefiteve.

Përveç programeve sociale, plani bën thirrje për reduktime të mëdha në shpenzimet jo-ushtarake, që vlerësohet se do të ulë deficitin buxhetor federal me më shumë se 3 trilionë dollarë në 10 vite.

Propozimi i Trump projekton një rritje ekonomike vjetore prej të paktën 3 për qind në tre vitet e ardhshme, që është një objektiv optimist dhe i nevojshëm për të mbuluar koston e 1.5 trilionë dollarëve në ulje tatimore, të kaluar nga Kongresi republikan në dhjetor.

Propozimi buxhetor prej 4.4 trilionë dollarë i Donald Trump përmban shpenzime në programet ushtarake dhe në mirëmbajtjen e arsenalit bërthamor të SHBA në 716 miliardë dollarë.

Buxheti përfshin gjithashtu 200 miliardë dollarë shpenzime në infrastrukturë dhe 23 miliardë dollarë për sigurinë në kufij, kryesisht në ndërtimin e murit me Meksikën. /Telegrafi/