LAJMI I FUNDIT:

Burrat rrahin gratë, ngrihen tri aktakuza

Burrat rrahin gratë, ngrihen tri aktakuza
Foto: Ilustrim

Departamenti i Përgjithshëm, në Prokurorinë Themelore në Gjilan, sot, pranë Gjykatës kompetente në Gjilan, ka ngritur tri aktakuza për dhunë në familje.

Në rastin e parë, sipas aktakuzës, i pandehuri B.A., më 29 dhjetor 2018, në Gjilan, ka përdorur dhunë fizike ndaj të dëmtuarës K.C., ku pas një mosmarrëveshje, duke i kërkuar shpjegime rreth punës së saj, e godet me shuplakë.

Në rastin tjetër, i pandehuri S.S., më 25 dhjetor 2018, në komunën e Gjilanit, në një kafene, nën ndikimin e alkoolit, për shkak të xhelozisë rreth një telefonate, fillimisht ia merr telefonin bashkëshortes së tij, të dëmtuarës F.K. dhe e kapur për flokë duke e goditur me grushte në fytyrë.

Sipas aktakuzës tjetër, i pandehuri B.S., më 2 janar 2019, në Gjilan, nën ndikimin e alkoolit, ka shkaktuar dhunë në familje ndaj bashkëshortes së tij, N.S., ku fillimisht i kërkon asaj dhe djalit të tyre që të largohen nga shtëpia, pastaj e sulmon të njëjtën, duke e goditur me grushte në fytyrë, derisa aty ndërhyn djali i tyre dhe e pengon.

Prokuroria, me rastin e ngritjes së aktakuzave, i ka propozuar gjykatës, që të pandehurit t’i shpallë fajtorë.