Burgim i përjetshëm për Murselin dhe Plavën për vrasjen e Liridona Ademajt, Kokalla dënohet me 30 vjet

Me burgim të përjetshëm janë dënuar dy të akuzuarit për vrasjen e Liridona Ademajt të kryer më 29.11.2023 para fëmijëve të saj të mitur, të cilët në kohën e ngjarjes kanë pasur 4 dhe 6 vjet.
Të dënuarit në këtë rast janë: bashkëshorti i viktimës, Naim Murseli, si dhe i akuzuari Granit Plava.
Kurse i akuzuari tjetër Kushtrim Kokalla është dënuar me 30 vjet burgim.
Vendimi është shpallur të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë nga gjyqtarja Fatime Dermaku.
Dermaku tha se të akuzuarit Naim Murseli e Granit Plava konfrom nenit 364 janë fajtor për "vrasje të rëndë në bashkëkryerje", kurse Plava edhe për "armëmbajtje pa leje".
Kurse Kushtrim Kokalla është dënuar me 30 vite burgim për veprën penale “ndihmë në kryerjen e veprës penale, vrasje e rëndë”.
Murseli, bashkëshorti i Ademajt, Plava e Kokalla, tnuk kanë qenë prezent në sallë kur është shpallur vendimi.
Në seancën e datës 17.04.2026 ata kishin deklaruar se nuk dëshirojnë të marrin pjesë në shpalljen e aktgjykimit.
Mbrëmjen e 29 nëntorit të 2023-ës, Liridona Ademaj u vra në një rrugë në fshatin Bërnicë të Prishtinës, teksa ishte në veturë bashkë me bashkëshortin Naim Murselin dhe dy fëmijët e tyre.
Aktakuza e ngarkon Murselin se kishte planifikuar vrasjen e saj, me qëllim që të përfitonte nga sigurimi i saj jetësor në Suedi, në vlerë prej rreth 260 mijë eurosh.
Kokalla akuzohet se e kishte njoftuar Murselin me Plavën, i cili akuzohet se ishte dorasi.
Plava akuzohet se kishte vrarë Ademajn me armë zjarri, duke e qëlluar në kokë, sipas ekspertit mjekoligjor, në një largësi prej 2 deri në 5 centimetra.
Sipas Prokurorisë, ai kishte kryer vrasjen në këmbim të 30 mijë eurove nga Murseli.
Mirëpo, gjatë gjyqit, Kokalla ka deklaruar se marrëveshja me Murselin, për ta marrë përgjegjësinë e vrasjes, ishte për 250 mijë euro, por që të mos përmendeshin shuma të mëdha ishin dakorduar që në Polici të përmendeshin vetëm 30 mijë euro.
Seanca fillestare për këtë rast ishte mbajtur më 31 janar 2025. Gjatë këtij procesi gjyqësor janë mbajtur një sërë seancash ku ishin dëgjuar dëshmitarë e ishin paraqitur një numër i madh i provave materiale . /Telegrafi/





















































