Sot në ora 13:30 bëhet shpallja e aktgjykimit ndaj tre të akuzuarve për vrasjen e Liridona Ademajt.

Të akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt janë bashkëshorti i saj, Naim Murseli dhe dy persona tjera, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla.


Prokuroria në seancën e kaluar ku u thanë fjalët përfundimtare ka kërkuar dënim maksimal me burgim të përjetshëm për të akuzuarit, duke pretenduar se vrasja është organizuar dhe kryer në mënyrë të planifikuar dhe në prani të fëmijëve.

Ndërkaq, në anën tjetër mbrojtja e të akuzuarve ka kundërshtuar akuzat.

Ekipi i Telegrafit është në vendin e ngjarjes dhe do të raportojë për të gjitha zhvillimet në seancën ku do të shpallet aktgjykimi ndaj tre të akuzuarve.

21/04/2026 13:35- Të pranishëm në seancën babai dhe vëllai i Liridona Ademajt

Në seancën ku do të shpallet aktgjykimi ndaj tre të akuzuarve, Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla për vrasjen e Liridona Ademajt të pranishëm janë babai dhe vëllai i Liridonës.

21/04/2026 13:30- Aktgjykimi ndaj Murselit, Plavës dhe Kokallës – tre të akuzuarit nuk janë në seancë seancë

Sot shpallet aktgjykimin ndaj tre të akuzuarve për vrasjen e Liridona Ademajt.

Të akuzuarit Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla nuk janë të pranishëm në seancën ku do të shpallet aktgjykimi.

21/04/2026 12:57- Çfarë kishte thënë Murseli në seancën e 17 prillit?

I akuzuari për vrasjen e Liridona Ademaj, Naim Murseli, në seancën e fundit të 17 prillit, ku u thanë fjalët përfundimtare ka mohuar pretendimet për komunikim të papërshtatshëm me fëmijët e tij.

Murseli ishte shprehur se e vetmja arsye pse nuk ka komunikim të rregullt me fëmijët është sepse gjendet në masën e paraburgimit dhe jo pse fëmijët siç tha "nuk dëshirojnë me fol apo diçka të tillë".

“Madje është shumë e ultë që të citohen fëmijët e mi rrejshëm kinse kanë deklaruar kështu e ashtu. Natën e vrasjes unë ia dorëzova fëmijët familjes së Ademajt. Po të kisha për të fshehur diçka nuk e kisha pas atë guxim. Natën e vrasjes fëmijët e mi janë intervistuar edhe me polici. Dhe njëri polic ka pyet: a po deklarojnë fëmijët kështu, njëjtë? Tjetri i tha: po”, ka thënë Murseli.

21/04/2026 12:45- Çfarë tha prokurorja Perlinqeviq në seancën ku u thanë fjalët përfundimtare?

Prokurorja Javorka Perlinqeviq në seancën ku u thanë fjalët përfundimtare që u mbajt më 17 prill ka kërkuar dënim maksimal, burgim të përjetshëm për Naim Murselin dhe të akuzuarit e tjerë në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.

Perlinqeviq ka thënë se provat kanë vërtetuar se Naim Murseli për shkak të raporteve bashkëshortore dhe fitimit financiar ka planifikuar vrasjen e bashkëshortes.

Prokurorja tutje ka thënë se provat vërtetojnë se të akuzuarit e kanë kryer veprën penale, ndërkaq, vrasja e Liridona Ademajt ka ndodhur në prani të fëmijëve të saj, që në kohën kur ka ndodhur ngjarja tragjike ishin 4 e 6 vjeç.

“Në këtë shqyrtim gjyqësor është vërtetuar që në muajin qershor 2022, familja Murseli ka paguar policën e sigurimit në emër të Liridona Murselit. Menjëherë pas, Naimi ka kërkuar nga Kushtrim Kokalla që ta gjejë mënyrën që ta vrasë Liridonën, që do të thotë që me vetëdije është paguar polica e sigurimit jetësor për Liridonën”, është deklaruar Perlinçeviq.

21/04/2026 12:21- Çka thuhet në aktakuzë?

Prokuroria Themelore në Prishtinë më 15 janar 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës dhe ndaj Tom Dodajt.

Në aktakuzën e Prokurorisë, thuhet se Murseli, Plava dhe Kokalla ishin dakorduar paraprakisht që vrasja të kryhej nga i akuzuari Plava me marrëveshje që Murseli t’ia paguante atij 30 mijë euro.

Sipas aktakuzës, për shkak të raporteve të çrregulluara familjare dhe martesore, gjatë të cilave kanë lindur mllefi dhe dëshira për hakmarrje tek i pandehuri i parë Naim Murseli, ky i fundit ka bërë planin ta largojë tani të ndjerën Liridona nga jeta e tij.

Lajmin për aktakuzë mund ta lexoni KËTU: