Bunjakun e kënaq fitorja, jo loja

Kosova të dielën mundi Omanin me rezultat 1-0, në kryeqytet, në miqësoren e zhvilluar nën monitorimin e FIFA-së.
Përfaqësuesja jonë arrin fitoren e parë zyrtare ndërkombëtare nga katër ndeshjet e zhvilluar deri tash.
Njeriu i parë i bankinës së Kosovës, pas ndeshjes tha se është i lumtur që është arritur fitorja e parë, por ai kritikon lojën e të përzgjedhurve të tij.
Madje, Bunjaku mendon se skuadra e tij ka zhvilluar lojë më të mirë në përballje me Turqinë, edhe pse Kosova kishte humbur atë ndeshje.
“E di që është një fitore që të gjithë e kemi dashtë edhe pse po mundohem të themi se me shumë reale është procesi që ne po punojmë. T’i them dikujt se me i kënaqur jam me lojën kundër Turqisë se sa me këtë lojë çuditet, por për rezultat normal që është i mirë si reprezentacion ta kemi me vete. Ka gjera, ta zëmë pjesa e parë jemi me të mirë se Omani për një nuancë, pjesa e dytë janë me të mirë Omani”, ka thënë Bunjaku.
Ai ka shtuar se rruga përfaqësueses ka nisur në mars të këtij viti dhe për këto katër- pesë lojë mundemi me ditë se ku jemi. Bunjaku mendon se skuadra e tij nuk është më e mirë se Omani. Sipas tij, Kosova është diku kah vendi 70-80 apo 90 realisht. /Telegrafi/



















































