LAJMI I FUNDIT:

Bukë, propagandë dhe politikë

Gjithçka është trillim dhe asgjë nuk është e vërtetë kur flitet për politikën në Maqedoni. Çdo ditë nëpërmjet mediumeve ne ushqehemi me trillime politike që me ndihmën e propagandës bindemi për diçka që nuk ekziston. Propaganda, sipas studiuesve, ndahet dhe vepron nëpërmjet disa kategorive që janë instrumente shumë të vlefshme për të ndikuar masën e individëve që në këtë rast janë votuesit. Mbi të gjitha propaganda përdor mendjet e informuara mirë e pastaj vepron ashtu si do, duke shkuar deri në atë shkallë sa mund të bëjë edhe “larje të trurit”. Të gjithë kategoritë do të analizohen nëpërmjet shembujve të politikës pasi politika është mjet studimi në këtë pjesë.

Për të instaluar ofertat dhe ideologjitë politike te ndërdija e popullit dhe votuesit, politika përdor disa instrumente e mbi të gjitha përdor propagandën. Të gjithë kemi qenë viktimë të propagandës politike, pa përjashtime. Propaganda politike si kategori e parë është shumë aktive këtu tek ne dhe mund shumë thjesht të gjeneralizojmë situatën. Gjithçka në politikë në Maqedoni është propagandë me qëllim të rrezikshëm, ku nuk mund të shkohet më larg se përfitimet personale të atyre që e luajnë këtë lojë. Ne jemi produkt i propagandës dhe shumë mirë jemi përqendruar në atë se çka ndodh me ata, por harrojmë se çka ndodh me ne!


Propaganda politike bëhet nga një parti politike, grup i ngjashëm me partinë dhe ndonjë organizatë, e cila nën petkun e organizatës jo qeveritare vepron lehtë për të ndikuar njerëzit. Propaganda politike bëhet në dy mënyra: strategjike dhe taktike. Sipas emërimit mund të paramendojmë edhe kohën e veprimit. Veprimi strategjik bëhet gradualisht për të arritur ngadalë, por sigurt te qëllimi i dëshiruar. Propaganda politike taktike përdor nervozën dhe zemërimin si mjet funksionimi, ndez situatën dhe si mjet shtesë përdor altoparlantin, i cili nëpër protesta është shumë i nevojshëm për të ndjellë përkrahës. Të gjithë këto japin një pasqyrë se kombinimi i propagandës me politikë sjell rezultate të pa parashikueshme që ndikojnë negativisht te njerëzit, të cilët në turmë nuk janë vetvetja dhe rëndë kontrollohen nga dikush dhe assesi nuk mund të kontrollojnë veten.

Kategori tjetër është propaganda sociologjike. Këtu një grup mundohet të ndikojë një grup tjetër dhe i gjithë ky proces bëhet gradualisht, ku, sipas studiuesve, të propagandës nuk ka ndonjë mjet apo instrument tjetër, përveç fjalës së gojës. Veprimi i grupit i cili bën propagandë kundrejt grupit që e konsumon propagandën çdo herë duket më i përshtatshëm dhe më modern. Këtu si shembull mund të përdoret ideja e popujve të Ballkanit se shtetet e Evropës janë më të përshtatshme për jetë. Është metodë e tërheqjes dhe mund të bëhet edhe spontanisht nga i propaganduari dhe ndonjë herë nuk ka aksione reale nga propaganduesi.

Propaganda e agjitacionit dhe integrimit janë shumë të përafërta me partinë shqiptare që tani e 11 vite është në pushtet. Kategoria e agjitacionit është për të tërhequr vëmendjen e grupeve që kundërshtojnë një ide dhe një veprim të grupit tjetër, e këtu për të qartësuar duhet të përmendim se kjo kategori synon të përdor kryengritjen dhe luftën. Ndërsa propaganda integruese në formë shumë dinake futet në strukturë të qytetarëve dhe mundohet t’i mbledhë, tubojë dhe integrojë shumë grupe të ndryshme rreth një ideje. Të gjithë këto bëhen me mjete komunikimi masiv, me marrëdhënie publike dhe me instrumente pushteti.

Propaganda e agjitacionit është shembull i saktë për të shpjeguar luftën e vitit 2001 dhe për të përshkruar Bashkimin Demokratik për Integrim që është vetëm zgjatim i atyre radhëve të cilët dolën nga Ushtria Çlirimtare Kombëtare. Në një situatë shumë të vështirë ku shqiptarët ishin në zjarr të vazhdueshëm që nga ekzistimi i Maqedonisë nga viti 1991 konflikti ishte rrugë e vetme për të arritur te paqja. Qëllimi kryesor i propagandës është të luajë me kërkesat elementare të njeriut, me paqen, me bukën e gojës dhe me sigurinë, dhe për këtë shqiptarët ishin instrument klasik për të arritur te qëllimi i kërkuar, që nuk ishte liria por pushteti. Me propagandën e agjitacionit BDI gjatë luftës luante për të mbajtur energjitë e popullit shqiptar në atë nivel që të durojë edhe zjarrin, por edhe të flijohet për qëllimin që mendohej të ishte liria dhe territori. Individët, sipas kësaj kategorie, duhet të durojnë fatkeqësitë personale dhe familjare, që sot, në retrospektivë i shohim se janë të mëdha. Ka qenë shkak propaganda e agjitacionit për të mbajtur këtë barë të rëndë lufte dhe sot kemi një kundërpërgjigje të agjitacionit me propagandën e integrimit.

Gjithçka në Maqedoni sot është e lidhur me integrimin e kulturave! Vetë Marrëveshja e Ohrit është propagandë mirë e servuar, e cila nuk pati një afat skadimi për disa vite me radhë. Kjo marrëveshje është mjet manipulimi që shqiptarëve ju dha numra por jo edhe shpirt, ju dha krenari por jo më shumë buxhet, ju dha më shumë ministra dhe funksionarë, por nuk iu dha fuqi për të ndryshuar gjendjen. Propaganda e zhvilluar për të integruar shqiptarët dhe maqedonasit është e kotë pas konfliktit. Nëse do të duhej që të jetojmë në një shtet multietnik, pse u bë lufta ?! Lufta u bë për të ndërruar pushtetin, ndërsa propaganda integruese përdoret për të mbajtur pushtetin. Ata që dje në luftë ishin ujqër, sot sillen si dele të integruara. Ata që ishin ujq dje dhe mbetën të pa propaganduar nga fabrika për integrim për të mos pranuar procesin e shndërrimit në dele, sot janë të margjinalizuar ose nuk janë aspak në mesin tonë!

Kategoria e njerëzve të propaganduar janë ata të cilët jetojnë në vendbanime ku mendohet se ka civilizim, ku ka larmi propagandimi nëpërmjet mediave dhe projekte që tërheqin të rinj të cilët në mungesë të vendeve të punës pranojnë të jenë të propaganduar. Propaganda me fjalë të tjera nuk mund të ndikojë një bari i cili nuk posedon informata për ngjarjet dhe për atë çka ndodh me pushtetin dhe politikën. Thjesht thënë këtu vazhdon qasja destruktive, ku qëllimi për të mbajtur pushtetin lejon që të përdoren mjete të paparashikuara. Për të mos lënë asnjë njeri të pa ndikuar me propagandë, nëpër vise malore, nëpër familje ku nuk mund të ndikohet me integrim, përdoret agjitacioni ku me fjalorin e ndjelljes së urrejtjes shumë lehtë merret vota. Kur merret vota gjithçka përfundon duke ia lënë radhë përdorimit të të njëjtave teknika pas katër viteve. Të njëjtat teknika, metoda dhe të njëjtit njerëz do të ndikohen me disa tek-tuk ndryshime, duke marrë parasysh se dikush është bërë më i ndjeshëm përball propagandës.

Propaganda është mashtrim dhe si e tillë mund të përshtatet në grupe të cilat janë të renditura sipas strukturës ku lideri është gjithçka. Në këtë praktikë shembull janë subjektet politike në Maqedoni dhe liderë e tyre! Askush nuk guxon të flasë e veprojë pa mos marrë aminin e liderit. Kjo teknikë e propagandës është e atillë ku ai që e jep direktivën e merr edhe përgjegjësinë. Lideri në këtë kategori sipas studiuesve të propagandës është njeri me shumë fuqi ndikuese, duhet të jetë lider i mirë dhe duhet të dijë të manipulojë mirë edhe grupin e ngushtë që e rrethojnë që pastaj ata të ndikojnë tjerët, duke e trashëguar manipulimin brez pas brezi. E gjithë kjo quhet propagandë vertikale, ku lideri është gjithçka dhe të gjithë tjerët përreth janë vetëm megafon të liderit.

Për të përfunduar këtë shkrim dua të bëj apel deri te të gjithë ata që ndonjëherë kanë qenë viktimë e propagandës politike! Ju nuk duhet të jeni shembull i mirë i propaganduesve dhe ekzemplar për rezultate të shkëlqyeshme për ata që e kanë mision peshkimin e trurit tuaj. Ne jemi qenie njerëzore, Zoti na ka bërë të gjithëve për një qëllim, për të jetuar jetën e cila është e mbushur me sprova ndërsa propaganda është kërcënim që duhet ta përballojmë për të jetuar pa mos u ndikuar nga qëllimet e tjerëve. Trillimi është mjet i tyre ndërsa jeta jonë duhet të ecë në rrugën e realitetit dhe të vërtetës. Këshilla ime është që të jemi syhapur dhe të mendojmë mirë para se të veprojmë, të reagojmë dhe të flasim.