LAJMI I FUNDIT:

Britania e Madhe zbret çmimin e energjisë elektrike dhe gazit nga muaji tetor

Britania e Madhe zbret çmimin e energjisë elektrike dhe gazit nga muaji tetor

Miliona familje në Britani të Madhe do të kenë fatura më të lira energjie duke filluar nga muaji tetor, pasi Rregullatori Britanik i Tregjeve të Energjisë (OFGEM) uli sërish kufirin e çmimit për të reflektuar një rënie të mëtejshme të çmimeve të energjisë me shumicë dhe gazit.

OFGEM uli kufirin e çmimeve të faturave të energjisë shtëpiake me rreth 7 për qind nga 1 tetori në 1,923 funta, në vit për një familje mesatare. Ulja do t’i kursejë familjeve mesatarisht 151 funta krahasuar me tremujorin e mëparshëm.


Ulja përfaqëson gjithashtu nivelin më të ulët që nga tetori 2021 dhe reflekton rënie të mëtejshme të çmimeve të energjisë me shumicë pasi tregu stabilizohet dhe furnizuesit kthehen në një pozicion më të “shëndetshëm” financiar pas katër vitesh humbjesh.

Çmimet me shumicë të energjisë dhe gazit arritën nivelet më të larta rekord në Britani të Madhe dhe Evropë vitin e kaluar pasi pushtimi rus i Ukrainës ndërpreu furnizimet me gaz.

Megjithëse çmimet me shumicë të gazit dhe energjisë elektrike kanë rënë përkatësisht me rreth 85 për qind dhe 80 për qind që nga nivelet më të larta rekord në tremujorin e parë të vitit të kaluar, ka ende luhatshmëri të çmimeve dhe kufiri i çmimeve mbetet shumë mbi mesataren krahasuar me periudhën përpara krizës energjetike.

Kreu ekzekutiv i OFGEM, u shpreh se është një lajm i mirëpritur që kufiri i çmimeve vazhdon të bjerë. Megjithatë, ende njerëzit po luftojnë me sfidat më të mëdha të kostos së jetesës dhe nuk mund të ofrohet ndonjë siguri se gjërat do të lehtësohen këtë dimër.

Rreth 29 milionë klientë janë me tarifa standarde të mbrojtura nga kufiri i çmimit, i cili u prezantua në vitin 2019 për të mbrojtur konsumatorët. OFGEM vendos kufirin duke përdorur një formulë që përfshin kostot e rrjetit të furnitorëve dhe taksat mjedisore dhe sociale, me çmimet e energjisë me shumicë si faktorin më të madh. Ai rishikon kufirin çdo tremujor për të pasqyruar lëvizjet në tregun e shitjes me shumicë.

Rregullatori tha gjithashtu se ka prezantuar masa për të reduktuar kostot për klientët në matëset e parapagesës dhe për të siguruar mbështetje shtesë për ata që përballen me shkëputje nga rrjeti. /Telegrafi/