LAJMI I FUNDIT:

Brestovci: Po përmirësohen kushtet për të investuar në Kosovë

Brestovci: Po përmirësohen kushtet për të investuar në Kosovë
Foto: Ilustrim

Kosova po ofron çdo ditë e më shumë kushte të volitshme që investitorët nga diasporës të investojnë në Kosovë. Kështu deklaron drejtori i zyrës së Unionit të Bizneseve shqiptaro-gjermane në Kosovë, Bekim Brestovci, ku sipas tij, Kosova e ka edhe një trend të mirë drejtë krijimit të një ure lidhëse me diasporën.

Ai thotë se si Shoqatë e kanë për detyrë që të mbështesin bizneset vendore, por që synim e kanë që bizneset kosovare që veprojnë në Gjermani të investojnë në Kosovë.


“Kosova ofron përditë e më  tepër kushte të volitshme për të investuar. Kemi edhe shumë nga afaristët tanë të Gjermanisë anëtarë të Unionit të Bizneseve të cilët deri më tani edhe kanë investuar dhe ne tani kemi sjell një format të ri në Kosovë, ne tani po investojmë bashkërisht dhe do të jemi në krijimin e një parku industrial të bizneseve të diasporës në Komunën e Malishevës. Njëkohësisht jemi duke e krijuar një shoqëri aksionare ku pretendojmë dhe kemi filluar listimin e kompanive të cilat duan të jenë anëtare të kësaj shoqërie aksionare dhe mendojmë që t’i kemi së paku 1 mijë aksionar shqiptar afaristë nga diaspora”, deklaron ai.

Sa i përket klimës së të bërit biznes në vend, Brestovci potencon se Kosova është në rrugë të mirë për t’i kaluar të gjitha pengesat që mërgimtarët kanë hasur me vite për të investuar në Kosovë.

“Politikat janë mjaftë të favorshme, kushtet janë mjaftë të favorshme, kemi shumë favore të cilat i ofron Kosova. Natyrisht kemi vende vende, ose raste individuale ku nuk kemi zbatim të këtyre politikave dhe të këtyre ligjeve, por po mendoj që Kosova është në rrugë të mirë për t’i tejkaluar të gjitha pengesat të cilat i kanë hasur bashkatdhetarët tanë deri më tani”, thotë ai.

Ai përmend pengesat kryesore që kanë hasur mërgimtarët deri tani për të investuar në vendlindje.

“Po pengesa më e madhe është gjithherë burokracia, do të thotë nëse një procedurë stërzgjatet shumë derisa të merret një licencë atëherë me siguri që njerëzit edhe për shkak të kohës së limituar, po edhe e humbin disi durimin për t’u marrë me ato punë. Por, po them ne tani po operojmë si shoqatë dhe po i marrim përsipër këto obligime individuale të afaristëve tanë dhe kur kërkesat parashtrohen përmes shoqatës kemi edhe zyrën ligjore me të cilat bashkëpunojmë. Kështu që, po them se po i evitojmë të gjitha këto pengesa të cilat gjatë rrugëtimit mundemi me qenë”, potencon ai.

Drejtori i zyrës së Unionit të Bizneseve shqiptaro-gjermane në Kosovë, Bekim Brestovci, në një intervistë për KosovaPress flet edhe për mundësinë që bizneset që veprojnë në Kosovë të eksportojnë prodhimet e tyre në Gjermani.

“Kemi një bashkëpunim shumë të mirë me Odën Ekonomike gjermano-kosovare dhe edhe kjo Odë po bënë përpjekje maksimale për t’iu mundësuar bizneseve për të rritur kualitetin, cilësinë dhe certifikimet e duhura që ata kanë nevojë pastaj për qasje në tregun evropian. Kështu që, po them është një grupim i mirë i të gjithë atyre aktivistëve të cilët i janë qasur kësaj problematike, duke marrë edhe organizatat ndërkombëtare siç është GIZ-i, USAID-i. Po besoj që janë duke u bërë përpjekje maksimale për t’u arritur një rezultat i cili është shumë premtues”, deklaron ai.

Kujtojmë se Unioni i Bizneseve Shqiptare në Gjermani ka mbi 500 firma anëtare aktive dhe funksionon tash e 5 vite. /kp/Telegrafi/