LAJMI I FUNDIT:

BQE zbret në 0 për qind normen e interesave në Eurozonë

BQE zbret në 0 për qind normen e interesave në Eurozonë

Banka Qendrore Evropiane (BQE) shpalli të enjten uljen në 0 të interesave në Eurozonë, duke miratuar një tjetër paketë masash për të nxitur ekonominë e Eurozonës dhe luftuar rënien e çmimeve.

Në mbledhjen e fundit, Këshilli Mbikëqyrës uli më tej në territor negativ, normën që kjo bankë paguan për depozitat e bankave private, nga minus 0.3 në minus 0.4 për qind.


Paralelisht, Këshilli uli normën bazë të rifinancimit nga 0.05 në 0 për qind dhe zgjeroi programin e injektimit të parave në ekonomi.

BQE pritet gjithashtu që të zgjerojë programin e saj lehtësues duke futur në treg jo më 60 por 80 miliardë euro në muaj. Skema tashmë do të përfshijë blerjen e bondeve të korporatave, si dhe borxhet e qeverive.

Në një konferencë për shtyp presidenti i BQE-së Mario Draghi tha se ndikuar nga çmimi ndërkombëtar i naftës, normat e interesit do të mbeten për një kohë të gjatë shumë të ulëta.

Ai shtoi se qysh nga prilli BQE do të blejë asete nga 60 deri në 80 miliardë euro çdo muaj, duke vazhduar këtë strategji deri në mars të vitit 2017. Këto masa synojnë të forcojnë më tej rimëkëmbjen ekonomike të Eurozonës.

Tregjet financiare kanë reaguar tashmë pozitivisht ndaj këtij vendimi, me bursën e Frankfurtit që u rrit me 2.3 për qind dhe atë të Parisit me 3 për qind. /Telegrafi/