LAJMI I FUNDIT:

BPB emëron Kryeshefen e re Ekzekutive

BPB emëron Kryeshefen e re Ekzekutive

Mimoza Godanci-Aliu do të udhëheq BPB-në drejt sukseseve të reja.

Pas një procesi transparent të rekrutimit, Bordi i Drejtorëve ka emëruar Mimoza Godanci-Aliu si Kryeshefe Ekzekutive të BPB-së.


Godanci-Aliu do të filloj detyrën e re më 1 dhjetor 2022.

Ansis Grasmanis, Kryetar i Bordit të Drejtorëve në BPB falënderoi të gjithë kandidatët që morën pjesë në proces dhe i uroi mirëseardhje Kryeshefes së re Ekzekutive.

“Në emër të Bordit të Drejtorëve, kam kënaqësinë të mirëpres znj. Mimoza Godanci-Aliu si Kryeshefe Ekzekutive të BPB-së. Përvoja e saj e pasur do të jetë e mirëseardhur në rrugëtimin tonë drejt sukseseve të reja dhe rritjes së vazhdueshme, duke mbështetur zhvillimin e mëtutjeshëm të punonjësve dhe duke rritur edhe më shumë përvojën e klientit me shërbimet dhe produktet financiare të BPB-së” – tha Grasmanis.

Godanci-Aliu, tha se është privilegj që t’i besohet ky rol dhe të kontribuoj në strategjinë afatgjate të bankës.

“Jam shumë e lumtur që i bashkohem një banke dinamike me një staf shumë të talentuar dhe një ekip të fortë drejtues. BPB ka një model biznesi të shkëlqyer dhe pozita e saj unike në treg do të na shërbejë mirë për të ardhmen, për t’i shtuar vlerë ndërmarrjeve dhe klientëve individual të cilët i shërbejmë”, tha Godanci-Aliu.

Godanci-Aliu e filloi karrierën e saj duke punuar për organizata ndërkombëtare, për të vazhduar në sektorin bankar ku ndër vite ka grumbulluar një përvojë të gjerë në role dhe pozicione të ndryshme në grupin ProCredit.

Ndër të tjera ajo ka mbajtur postet e Zëvendës Drejtoreshës Ekzekutive në ProCredit Bank Shqipëri, Zëvendës Drejtoreshë Ekzekutive në Procredit Bank Kosovë, Drejtoreshë Ekzekutive e Akademisë ProCredit për Evropën Lindore në Maqedoni dhe Zëvendës Drejtoreshë Ekzekutive në Procredit Bank Maqedoni.

Duke filluar nga viti 2020, për dy vjet ajo punoi si Menaxhere Projekti në OneFor, një institucion financiar që ofron shërbime të transferimit të parave dhe pagesave.

Mimoza Godanci-Aliu është ekonomiste e diplomuar në nielin master në Universitetin Staffordshire, në Britaninë e Madhe.