eksperti-banner

Bombarduesi amerikan B-52 Stratofortress është rrëzuar në Kaliforni pak kohë pasi ishte ngritur nga Baza Ajrore Edwards.

Autoritetet e bazës kanë konfirmuar ngjarjen pa dhënë ende informacione për viktima. Megjithatë, ekziston frika se nuk ka të mbijetuar në aeroplan.


Pas rrëzimit u formua një shtyllë e madhe tymi të zi, e dukshme nga kilometra larg, raporton bbc.

“Në vendin e ngjarjes janë dërguar menjëherë ekipet e emergjencës dhe operacioni është ende në zhvillim. Do të publikojmë më shumë informacione sapo ato të jenë në dispozicion”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Pamjet ajrore tregojnë një zonë të përfshirë nga flakët dhe tymi në vendin ku u rrëzua aeroplani.

Boeing B-52 Stratofortress është në shërbim të ushtrisë amerikane që nga vitet 1950. Për shkak të pamjes së tij karakteristike, ai njihet me nofkën “BUFF”, shkurtim për “Big Ugly Fat Fellow” (I Madh, i Shëmtuar dhe i Shëndoshë).

Bëhet fjalë për një bombardues strategjik me rreze të gjatë veprimi, i cili ka marrë pjesë në shumë operacione ushtarake amerikane. Aeroplani mund të fluturojë në lartësi rreth 15 kilometra, dukshëm më lart se aeroplanët komercialë.

B-52 mund të mbajë qindra bomba konvencionale ose deri në 32 raketa bërthamore lundruese. Falë mundësisë së furnizimit me karburant në ajër, ai ka një rreze veprimi pothuajse të pakufizuar.

Gjatë Luftës së Ftohtë, për shkak të aftësisë për të kryer misione në distanca shumë të mëdha dhe për të mbajtur armë bërthamore, B-52 konsiderohej një element kyç i “ombrellës bërthamore” të Shteteve të Bashkuara.

Ekuipazhi i aeroplanit zakonisht përbëhet nga pesë persona: komandanti, piloti, navigatori-radar, navigatori dhe oficeri i luftës elektronike. /Telegrafi/