eksperti ad

Kompania JCB ka zhvilluar bolidin e ri JCB Hydromax, një automjet me sistem lëvizjeje me hidrogjen dhe fuqi prej 1600 kuaj/fuqi, i cili është gati për të tentuar thyerjen e rekordit botëror të shpejtësisë.

JCB, e njohur për prodhimin e makinerive të rënda, më herët kishte arritur sukses me bolidin Dieselmax, i cili në shkretëtirën e kripës Bonneville në SHBA arriti 563 km/h dhe vendosi rekord për automjetet me motor dizel.


Bolidi i ri Hydromax është i gjatë 9.75 metra dhe përdor dy motorë hidrogjeni të prodhuar nga JCB, të ngjashëm me ata që përdoren në ekskavatorë. Motorët janë të pajisur me turbokompresorë, intercoolerë dhe transmision Xtrac.

- YouTube youtu.be

Karroceria është ndërtuar nga fibra karboni, ndërsa sistemet e sigurisë janë zhvilluar sipas standardeve të FIA-s. Automjeti ka edhe një parashutë për ndalim më të sigurt pas arritjes së shpejtësive të larta.

Në timon do të jetë piloti britanik Andy Green, i cili ka thyer më parë barrierën e zërit në tokë me Thrust SSC në vitin 1997 dhe ka arritur 1028 km/h me prototipin Bloodhound SSC.

Green e konsideron JCB Hydromax si një nga sfidat më të mëdha të karrierës së tij. “Nuk mund të imagjinoj diçka më emocionuese se një makinë garash me hidrogjen, pa karbon, me 1600 kuaj fuqi”, ka thënë ai. /Telegrafi/