LAJMI I FUNDIT:

Bogdanoviq: Vulinit i është ndaluar të flasë për vrasjen e Oliver Ivanoviqit

Bogdanoviq: Vulinit i është ndaluar të flasë për vrasjen e Oliver Ivanoviqit

Boban Bogdanoviq, mik i kriminelit të vrarë Aleksandar Gligorijeviq – Puki, së fundmi ka prezantuar informatat e tij për vrasjen e politikanit serb nga Kosova, Oliver Ivanoviq, duke thënë se vrasësi ishte Lubomir Lainoviq, organizator Milan Radoiçiq dhe urdhërdhënës Zvonko Veselinoviq. Pas daljes së tij publike, ministri serb i Policisë, Aleksandar Vulin, e ka ofenduar atë, ndërsa Bogdanoviq shpjegoi se njeriut të parë të policisë serbe i është ndaluar të flasë për rastin Ivanoviq, për shkak të shumë gënjeshtrave që ka thënë.

Derisa prokuroria ka heshtur, me rastin u mor policia dhe ministri i saj Aleksandar Vulin, të cilët tentuan ta diskreditonin. Në një komunikatë të lëshuar nga policia, menjëherë pas marrjes në pyetje të Bogdanoviqit, thuhet se ai “nuk ka paraqitur ndonjë fakt të ri” dhe se nuk ka ofruar prova për pretendimet e tij.


Gazeta serbe Nova.rs përkujton se pas deklarimeve të Bogdanoviqit lidhur me vrasjen e Ivanoviqit, ministri Vulin, të nesërmen në një konferencë, iu drejtua Bogdanoviqit me pseudonimin nënçmues ‘Pacov’. E akuzoi se po gënjente dhe tha se ai po rrëfente bisedat e tij “me të ndjerët për të ndjerët”, dhe se pretendimet e tij nuk mund të verifikoheshin. Vulin më pas paralajmëroi padi kundër tij për moskallëzim të veprës penale, transmeton Telegrafi.

Mirëpo, ky nuk ishte fundi i presionit ndaj Bogdanoviqit, sepse siç pretendon ai, gjatë marrjes në pyetje në SBPOK, Ninoslav Cmoliq ka tentuar ta diskreditojë dhe t’i bëjë presion që menjëherë të shkojë në testin e poligrafit.

Bogdanoviq që atëherë ka paralajmëruar se do të përsërisë të gjitha konstatimet e tij në Prokurorinë për krim të organizuar, si dhe se do t’i qëndrojë çdo fjale të thënë.

“Unë absolutisht do të përsëris të gjitha që njohuritë e mia që kam paraqitur. Kam marr informacione se Vulinit i kishte ndaluar, pas asaj konference të turpshme ku ai paraqiti të pavërteta, të fliste më tej për këtë çështje. Presidenti Aleksandar Vuçiq e qortoi atë [Vulinin] për prezantimin e të pavërtetave – sepse shërbimi nuk e informoni se kam qenë në Presidencë më parë për t’u konsultuar dhe se ia kishin dhënë informatën se kisha bërë një intervistë për KRIK-un gjashtë muaj më pare. Ky fakt i është fshehur Presidentit  dhe i është prezantuar gënjeshtra se gjoja ekzaminimi poligrafik i Radoiçiqit ishte vendosur si gënjeshtër nga ata që ishin të përfshirë në vrasjen e Ivanoviqit. Për shkak të asaj konference të turpshme ku u plasuan gënjeshtra kurse Vuçiq këtë e mori vesh nga procesverbali i marrjes [time] në pyetje, prandaj reagoi që Vulin deri në fund nuk guxon të nxjerr në opinion asgjë që ka të bëjë me mua”, ka thënë Bogdanoviq për portalin serb.

Bogdanoviq pohon se para intervistës për Rrjetin e Raportimit të Krimit dhe Korrupsionit (KRIK) ka shkuar në Presidencë për t’u konsultuar nëse do t’i prezantojë informacionet e tij para apo pas zgjedhjeve, por se nga personat e protokollit është udhëzuar që ta përmbushë detyrën e tij qytetare.

Mirëpo, reagimi i policisë është kontradiktor, duke qenë se e kërcënojnë me padi për moskallëzim të veprës penale, e nga ana tjetër i relativizojnë dëshmitë e prezantuara dhe i cilësojnë si “asgjë të re”.

“Pas marrjes në pyetje në SBPOK, jam prapa qëndrimit tim se Vulin dhe Cmoliq kanë dashur që atë ditë ta kthejnë hetimin në një drejtim tjetër, për të mbrojtur ata që kanë marrë pjesë në planifikimin e vrasjes së Ivanoviqit”, pohon Bogdanoviq.

Prokuroria megjithatë ka reaguar dhe Bogdanoviq është dashur të merret në pyetje më 15 prill, por për arsye të panjohura është njoftuar se thirrja është shtyrë për 20 prill, por nuk i është thënë se pse ka ndodhur kjo.

“Askush nuk më ka njoftuar për arsyen e shtyrjes së marrjes në pyetje. Konstatoj se ka ardhur deri te shtyrja për shkak të arrestimit të Darko Shariqit dhe grupit të tij të organizuar criminal. Supozoj se ka edhe përfshirje të atij grupi në atë që ka ndodhur në vitin 2018. Ndoshta në bisedat që janë ‘thyer’ ka edhe gjëra që kanë të bëjnë me vrasjen e Oliverit. Mendoj se shtyrja është bërë për arsye që të gjithë të arrestohen dhe të kryqëzohen të gjitha informatat”, pohon Bogdanoviq, transmeton Telegrafi.

Kujtojmë, Boban Bogdanoviq, i cili prej vitesh merret me sport dhe është mik i kriminelit të vrarë Aleksandar Gligorijeviq Puki, pjesëtarit të klanit Velko Belivuk, ka thënë për KRIK se miku i tij i ka lënë amanet të vërtetën për vrasjen e Oliver Ivanoviqt, politikanit nga veriu i Kosovës.

Siç thotë ai, Gligorijeviq i ka rrëfyer se kush e vrau, kush urdhëroi dhe kush e organizoi vrasjen e Ivanoviqit.

Miku i tij u vra në vitin 2020 nga duart e ish-bashkëpunëtorëve të tij – e vrau Belivuk me anëtarët e klanit në një shtëpi në Ritopek, dhe trupi i tij masakrua kurse në shpinën e tij ishte gdhendura fjala “tradhti” sepse ata zbuluan se ai ishte kthyer kundër tyre.

Bogdanoviq foli edhe për lidhjet e Gligorijeviqit me Partinë Progresive Serbe të Aleksandar Vuçiqit dhe detaje të tjera nga krimi dhe sporti.

Politikani kosovar Oliver Ivanoviq, lideri i Iniciativës Qytetare të SDP-së, u vra më 16 janar 2018 dhe as katër vjet pas vrasjes nuk dihet se kush e urdhëroi krimin që tronditi opinionin serb. Nga 16 janari 2018 e deri më sot, as autoritetet serbe dhe as ato kosovare nuk kanë treguar se kush ka qëlluar në Ivanoviq dhe me urdhër të kujt.

Ndonëse në ambientet e partisë së tij në veri të Mitrovicësd ishin vendosur kamera, ato nuk punonin në momentin e vrasjes./Telegrafi/