LAJMI I FUNDIT:

‘Bllokimi’ i AKP-së, shtyrja e liberalizimit të tregut të energjisë dhe vazhdimi i pagesës së subvencioneve për bujqit – top ngjarjet e javës në ekonomi

‘Bllokimi’ i AKP-së, shtyrja e liberalizimit të tregut të energjisë dhe vazhdimi i pagesës së subvencioneve për bujqit – top ngjarjet e javës në ekonomi

Kërkesa e kryeministrit Albin Kurti që të pezullohet çdo vendimmarrje e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), shtyrja e liberalizimit të tregut të energjisë dhe vazhdimi i pagesave të dyta të subvencioneve për bujqit, ishin ngjarjet kryesore që e karakterizuan këtë javë në ekonomi.

Kryeministri Albin Kurti me anë të një letre që i ka dërguar kryetarit të bordit të drejtorëve të AKP-së, Bajram Zejnullahu anëtarëve të këtij bordi dhe drejtorit menaxhues, Valon Tolajt ka kërkuar që të mos marrin vendime që kanë të bëjnë me privatizimin.


Kurti në letrën që kishte siguruar Telegrafi, shkruhet se duhet të pezullohet çdo veprim që ka të bëjë me tjetërsimin apo çfarëdo veprimi tjetër që lidhet me të ardhmen e ndërmarrjeve shoqërore.

“Kërkoj nga Agjencia Kosova e Privatizimit (AKP) që të pezulloni deri në komunikimin tonë të ardhmen çdo vendimmarrje që ka të bëjë me privatizimin, tjetërsimin dhe çfarëdo veprimi tjetër që lidhet me të ardhmen e ndërmarrjeve shoqërore, siç janë edhe qiradhëniet apo shitjet pa tender publik. Po ashtu, kërkoj që të pezulloni çdo vendimmarrje te ndërmarrjet shoqërore që janë të privatizuara në kushte e që janë akoma nën administrimin e AKP-së”, kishte kërkuar Kurti.

Gjatë fushatës zgjedhore, Kurti ka thënë se synon të shuajë aktivitetin e AKP-së. Në programin qeverisës të Lëvizjes Vetëvendosje thuhet se do krijohet Fondi Sovran dhe asetet e AKP-së do të kalojnë në pronësi të Fondit Sovran.

Kurti ‘bllokon’ Agjencinë Kosovare të Privatizimit
Lexo po ashtu Kurti ‘bllokon’ Agjencinë Kosovare të Privatizimit

Pavarësisht kërkesës së Kurtit, ende vazhdon të jetë në fuqi një vendim i qeverisë paraprake, që mban datën e 1 korrikut të vitit 2020, ku ish-kryeministri Avdullah Hoti kishte kërkuar nga AKP-ja që të mos bëjë shpallje të asnjë vale të re të privatizimit derisa të miratohet, siç thuhet në vendim, strategjia për privatizimin e ndërmarrjeve shoqërore në harmoni me programin qeverisës “me qëllim të përmbylljes së suksesshme të procesit të privatizimit”.

Më 19 shkurt 2021, vetë bordi i drejtorëve të AKP-së, ka udhëzuar menaxhmentin që të mos vazhdojë me valët e shitjes deri në krijimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet e datës 14 shkurtit. Bordi u takua pas krijimit të qeverisë, më 25 mars.

Në bazë të Ligjit për AKP-në, “agjencia merr parasysh të gjitha politikat përkatëse të cilat miratohen nga Qeveria apo Kuvendi i Kosovës”.

Bizneset kundërshtojnë liberalizimin e tregut të energjisë, kërkohet shtyrja e procesit
Lexo po ashtu Bizneset kundërshtojnë liberalizimin e tregut të energjisë, kërkohet shtyrja e procesit

Një nga ngjarjet kryesore të javës ishte edhe shtyrja e liberalizimit të tregut të energjisë.

Nga 1 prilli ishte parashikuar kalimi i bizneseve në tregun e hapur të energjisë elektrike, të cilin sistem është kundërshtuar nga bizneset.

Në takimin e përfaqësuesve të biznesit me grupet parlamentare ishte diskutuar për daljen në treg të hapur të energjisë për biznese, por sipas tyre kjo paraqet një sfidë për bizneset dhe operatorët e energjisë.

Ministria e Bujqësisë vazhdon me pagesën e dytë të subvencioneve për bujqit
Lexo po ashtu Ministria e Bujqësisë vazhdon me pagesën e dytë të subvencioneve për bujqit

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka njoftuar së është rifilluar ekzekutim i pagesës së dytë për të gjithë përfituesit e subvencioneve në kuadër të Programit të Pagesave Direkte për vitin 2020.

Sipas MBPZHR-së, është intensifikuar ekzekutimi i të gjitha pagesave direkte për përfituesit e programeve nga viti i kaluar.

Vitin e kaluar, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural kishte hapur thirrjen për aplikime për grante dhe subvencione për periudhën 2020/2021.

Shuma e tërësishme e programeve do të jetë 53 milionë euro.

Kriza e Kanalit të Suezit ka përfunduar, koha për të llogaritur dëmet
Lexo po ashtu Kriza e Kanalit të Suezit ka përfunduar, koha për të llogaritur dëmet

Nga lajmet botërore që karakterizuan ekonominë gjatë javës, ishte hapja e Kanalit të Suezit për qarkullim pas bllokimit nga anija 200 mijë tonëshe e kompanisë Ever Given.

Bllokimi i këtij kanali, kishte ndaluar kalimin e shumë anijeve me mallra që kapin vlerën e 9.5 miliardë dollarëve në ditë – përfshirë këtu ushqim e naftë – duke ndikuar kështu drejtpërdrejtë në ekonominë botërore.

E efektet e këtij problemi kanë ndikuar drejtpërdrejt në tregun botërorë, duke bërë që çmimi i naftës të ngritët për 6 për qind. /Telegrafi/