LAJMI I FUNDIT:

Bizneseve të Kosovës u ikën mbi 30 mijë konsumatorë

Bizneseve të Kosovës u ikën mbi 30 mijë konsumatorë

Pavarësisht një shtimi natyror prej 22 232 banorësh, popullsia rezidente e Kosovës është zvogëluar për 33 340 banorë për shkak të largimit në vitin 2015. Largimi i tyre ka ndikuar negativisht në zhvillimin ekonomik, sidomos në çështjen e konsumit, eksportimit të parasë së gatshme dhe zbehjes së imazhit për investitorët e huaj potencialë në Kosovë.

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka bërë me dije se nga Kosova janë larguar 33 340 qytetarë.


Njohësi i çështjeve ekonomike, Mustafë Kadriaj, ka thënë se numri i të ikurve është alarmant dhe se atakon drejtpërsëdrejti ekonominë e vendit si në aspektin e konsumit, po ashtu edhe të dëmtimit të imazhit për investitorët e huaj.

“Ky numër është alarmant për ekonominë e vendit, pasi largimi i popullsisë ndikon negativisht në shumë faktorë: si largimi i fuqisë blerëse, zvogëlimi i konsumit që ndikon në prodhimin e brendshëm të vendit, si dhe krijimi i përshtypjes negative për investitorët potencialë të huaj”, ka thënë Kadriaj për gazetën “Epoka e re”.

Sipas tij, aktori kryesor që ka ndikuar në ikjen e numrit kaq të madh të popullsisë është premtimi nga koalicioni qeverisës për 320 mijë vende pune.

“Ishin irrituese premtimet e PDK-së për 200 mijë vende pune dhe të LDK-së për 120 mijë vende të tjera pune, të cilat në total bëjnë 320 mijë vende pune. Sikur të bëhej realitet ky iluzion, qeveritë evropiane do ta ulnin kapelën para Qeverisë së Kosovës”, ka deklaruar ai.