LAJMI I FUNDIT:

Bie për 22 për qind numri i aksidenteve me fatalitet

Bie për 22 për qind numri i aksidenteve me fatalitet

Nga janari i këtij viti, që kur ka hy në fuqi Ligji i ri për Rregullat e Trafikut Rrugor, është shënuar rënie e numrit të aksidenteve në trafik.

Bajram Krasniqi, zëdhënës për informim në Policinë e Kosovës, i tha Radio Kosovës, se numri i aksidenteve me fatalitet ka rënë për 22 për qind.


Me zbatimin e gjobave nga ana e policisë së trafikut rrugor, drejtuesit e automjeteve kanë filluar të jenë më të kujdesshëm në respektimin e rregullave të komunikacionit. Qytetarët ndërkaq, kanë qëndrime të ndryshme rreth kësaj problematike.

Disa prej tyre thonë se është dashur më herët që të ndryshohet ky ligj, por ka të atillë që kundërshtojnë shqiptimin e gjobave, të cilat sipas tyre, janë shumë të larta.

“Nëse flasim për këtë tremujor ne kemi në përgjithësi një ulje prej 9 për qind të aksidenteve në total, por e mira e kësaj është se aksidentet me fatalitet kanë ulje me të dukshme prej 22 për qind”, tha Krasniqi.

Krahasuar në tremujorin e parë të vitit të kaluar, këtë vit po ashtu ka rënie të shqiptimit të tiketave, gjë që tregon se është rritur vetëdijesimi te drejtuesit e veturave, sipas Krasniqit.

“Vitin e kaluar janar-mars kemi pasur rreth 87 mijë tiketa, kurse në këtë periudhë kemi 82 mijë tiketa. Pra, kemi 2 mijë tiketa më pak”, tha Krasniqi.

Gjobat për tejkalim e shpejtësisë brenda zonave urbane janë nga 20 deri në 900 euro. Ndërsa, në rast se shoferi e tejkalon shpejtësinë për më shumë se 50 km në orë, gjoba arrin nga 300 deri në 900 euro.