Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) njofton se gjatë periudhës 16 prill deri më 20 korrik 2026, në Kosovë janë raportuar gjithsej 69 raste të konfirmuara me fruth, gjersa vetëm gjatë javës së fundit janë raportuar 11 raste të reja me fruth.

IKSHPK njofton se sipas komunave, numër më i lartë i rasteve raportohet nga komuna e Prishtinës me 21 raste, komuna e Ferizajt me 12 raste; Fushë-Kosova me 12 raste; Kaçaniku me 7 raste; Lipjan me 3 raste; Vushtrri, Shtime, Drenas dhe Obiliq, me nga 2 raste; si dhe me nga një rast komunat: Podujeva, Gjilan, Deçan, Skënderaj, Shtërpce dhe Viti.


“Duke pasur parasysh infektueshmërinë e lartë të fruthit, rrezikun e përhapjes së tij në komunitet dhe komplikimet që shkakton fruthi, IKShPK u bën thirrje prindërve dhe kujdestarëve që të verifikojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve të tyre dhe të sigurojnë vaksinimin sipas Kalendarit të rregullt të imunizimit në qendrat e mjekësisë familjare.

Vaksinimi mbetet masa më efektive dhe më e sigurt për parandalimin e fruthit, mbrojtjen e individëve të pa vaksinuar dhe ruajtjen e shëndetit publik”, thuhet në njoftim.

IKShPK rekomandon që çdo person me simptoma të dyshimta të fruthit, si temperaturë e lartë, skuqje apo ndryshime në lëkurë, kollë, rrufë ose konjuktivit, të paraqitet menjëherë në institucionet më të afërta shëndetësore. /Telegrafi/