LAJMI I FUNDIT:

Biden emëron Jonathan Kanter shef të Agjencisë Kundër Monopoleve

Biden emëron Jonathan Kanter shef të Agjencisë Kundër Monopoleve

Presidenti Joe Biden ka emëruar avokatin Jonathan Kanter si shef të anti-trustit në Departamentin e Drejtësisë duke sinjalizuar se Shtëpia e Bardhë është e vendosur të frenojë korporatat më të mëdha në botë, veçanërisht kompanitë e teknologjisë së lartë.

Shtëpia e Bardhë e quajti Kanterin si “një mbrojtës dhe ekspert kryesor të përpjekjeve për të promovuar zbatimin e fortë dhe të detajuar të politikave kundër monopoleve dhe konkurrencës”.

Progresistët që mbështesin zbatimin më të rreptë të Ligjit Kundër Monopol kanë bërë përpjekje për emërimin e Kanterit, i cili kohët e fundit krijoi firmën e tij ligjore, Kanter Law Group LLP. Ai ka punuar për vite me radhë për rivalët më të vegjël të kompanisë Google, të cilin Departamenti i Drejtësisë e ka paditur. Administrata e Biden më parë zgjodhi dy progresistë anti-trust me ekspertizë teknike, Tim Wu për Këshillin Ekonomik Kombëtar dhe Lina Khan si komisionare në Komisionin Federal të Tregtisë.

Sarah Miller, drejtoreshë ekzekutive e Projektit Amerikan të Lirive Ekonomike, tha se avokati Kanter “ka hartuar shumë nga argumentet ligjore më të suksesshme që drejtojnë hetimet kryesore kundër monopoleve të kompanive të teknologjisë”.

Kanter, i cili më parë ka punuar për firmën Paul, Weiss, Rifkind Wharton & Garrison LLP dhe dy firma të tjera të mëdha ligjore, do të marrë drejtimin e Divizionit Kundër Monopol në Departamentin e Drejtësisë mes thirrjeve për një zbatim më të ashpër të Ligjit Kundër Monopolit në përgjithësi, me kritika të veçanta që vënë në shënjestër kompanitë Google, Facebook, Amazon dhe Apple. Kanter nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment.

Nëse konfirmohet, Divizioni Kundër Monopol në Departamentit të Drejtësisë nën drejtimin e Kanterit ka të ngjarë të luajë një rol kryesor në zbatimin e urdhrit ekzekutiv të presidentit Biden që ka për qëllim nxitjen e konkurrencës në të gjithë ekonominë amerikane.

Përveç padisë ndaj kompanisë Google, Departamenti i Drejtësisë po heton edhe kompaninë Apple.

Komisioni Federal i Tregtisë ndan detyrën e zbatimit të Ligjit Kundër Monopoleve me Departamentin e Drejtësisë. /VoA/