LAJMI I FUNDIT:

BFI-Maqedoni: Le të jetë kjo festë e paqes dhe solidaritetit

BFI-Maqedoni: Le të jetë kjo festë e paqes dhe solidaritetit

Bashkësia Fetare Islame në Maqedoninë e Veriut ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë me rastin e festës së Kurban Bajramit.

“Sot është Kurban Bajrami, festë e madhe për ne muslimanët sepse kjo festë është shumë dimenzionale. Në radhë të parë kjo festë ndërlidhet me kryerjen e Kushtit të pestë të Islamit – Haxhin. Dje dhe mbrëmë, miliona haxhinjë kryen dispozitat e haxhit: qëndruan në Arefat dhe në Muzdelife. Sot, ata janë në Mina, vend dhe ditë në të cilin Ibrahimi, alejhi selam, ka prerë kurban.


Kjo festë na e përkujton se pavarësisht nga dallimet tona, të gjithë ne jemi, krijesa të një Krijuesi. Të gjithë jemi të një babe dhe një nëne. Sot edhe më tepër ne kemi nevojë për besim të sinqertë dhe të pastër në Gjithëmëshirshmin, i cili do të na bashkojë rreth një origjine dhe kuptimi të përbashkët të shoqërisë njerëzore. Kjo festë na nxit neve, që në veprimet tona, përparësi t`i japim bashkëpunimit me njëri-tjetrin dhe zgjidhjes së sfidave që i sjell koha…

Në këtë ditë të madhe të Festës së Kurban Bajramit, më lejoni që nga thellsia e zemrës dhe e shpirtit, në emër të Bashkësisë Fetare Islame të vendit tonë, në emër të organeve dhe institucioneve të saja dhe në emrin tim personal të gjithë besimtarëve në vend dhe jashtë vendit ku do që jetojnë dhe veprojnë, u shpreh urimet tona duke e lutur Allahun Fuqiplotë t’i pranojë lutjet tona, kurbanët tonë, haxhin nga haxhilerët që janë duke e kryer si dhe të gjitha ibadetet tona të bëra gjatë këtyre ditëve të bekuara.

Le të jetë kjo festë, festë e gëzimit të zemrave tona, festë e respektit ndaj njëri tjetrit, festë e afrimit me të tjerët, festë e gëzimit dhe kënaqësisë të njerëzve në nevojë, festë e faljes, festë e paqes e solidaritetit, dhe festë përmes së cilës do ta përfitojmë kënaqësinë e Allahut Fuqiplotë”, thuhet në urimin e Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoninë e Veriut.