Shumica e deputetëve zviceranë janë kundër ndryshimit të rregullave për marrjen e pasaportës zvicerane. Mbi këtë çështje pritet të vendos populli në referendum.

Parlamenti zviceran ka zhvilluar këtë javë një debat të gjatë rreth të ashtuquajturës “Iniciativa për Demokraci”, një propozim që synonte të lehtësonte procesin e marrjes së shtetësisë për mijëra të huaj që jetojnë në këtë vend, përfshirë një numër të madh të shqiptarëve nga viset e ndryshme të Ballkanit.


Ky propozim kërkonte që pasaporta zvicerane të mund të merrej pas vetëm pesë viteve qëndrim në Zvicër, duke shkurtuar periudhën aktuale prej dhjetë vitesh, dhe që kriteret të bëheshin unike në nivel federal, duke ua hequr komunave dhe kantoneve të drejtën e vlerësimit.

Megjithatë, shumica parlamentare e djathtë dhe e qendrës e ka hedhur poshtë këtë nismë, duke argumentuar se natyralizimi duhet të mbetet kurora e një integrimi të suksesshëm dhe jo një proces i thjeshtë administrativ.

Një ndër përkrahësit më të mëdhenj të lehtësimit të marrjes së shtetësisë zvicerane është deputeti Arbër Bullakaj nga Partia Socialdemokrate e Zvicrës.

Vetëm tri ditë pas marrjes së detyrës si deputet i ri për kantonin e St. Gallenit, Bullakaj u gjend në qendër të vëmendjes në sallën e Parlamentit. Angazhimi i tij nuk ishte i rastësishëm, pasi ai ka qenë një nga zërat kryesorë dhe nismëtarët e “Iniciativës për Demokraci” prej vitesh, duke luftuar për një qasje më të drejtë ndaj procesit të natyralizimit.

Në parlament Bullakaj u përball me një rezistencë të ashpër nga krahët konservatorë, të cilët kundërshtuan me forcë uljen e pengesave për marrjen e pasaportës. Pavarësisht faktit se shumica parlamentare e hodhi poshtë nismën, deputeti me prejardhje nga Kosova u shpreh i palëkundur, duke deklaruar se ky rezultat nuk e dekurajon në betejën e tij të parë parlamentare. Për të, kjo nismë është jetike për përfaqësimin politik të mijëra banorëve që kontribuojnë në Zvicër, por që ende nuk kanë të drejtë vote.

Bullakaj beson se beteja për “pasaportën e kuqe” zvicerane nuk mbaron në sallën e parlamentit, pasi tani vëmendja zhvendoset te fushata që duhet të kulmojë me votimin popullor. Ai mbetet i angazhuar për të treguar se procesi aktual i natyralizimit është i vjetruar dhe se Zvicra ka nevojë për një sistem që i trajton të gjithë banorët e saj me dinjitet, pavarësisht prejardhjes së tyre.

Gjatë diskutimeve të ashpra, partitë e krahut të majtë, si Socialdemokratët dhe Të Gjelbrit, kritikuan sistemin aktual, duke e quajtur atë si arbitrar që pengon integrimin e vërtetë. Sipas tyre, procedura aktuale është e shtrenjtë, e ndërlikuar dhe shpeshherë poshtëruese për kandidatët, veçanërisht në komuna të vogla ku njerëzit pyeten për detaje të parëndësishme.

Nga ana tjetër, partitë e qendrës dhe ato të krahut të djathtë mbrojtën me ngulm status-quon, duke theksuar se autoritetet lokale janë ato që e njohin më mirë shkallën e përshtatjes së një personi me vlerat e shoqërisë zvicerane. Ata paralajmëruan se lehtësimi i kritereve do të zhvlerësonte rëndësinë e shtetësisë.

Një moment tensioni në parlament u shënua kur krahu më radikal i të djathtës, Partia Popullore (SVP), prezantoi një kërkesë që prek drejtpërdrejt personat me dy shtetësi.

Kjo parti kërkoi që personat që duan të bëhen zviceranë, të detyrohen të heqin dorë nga pasaporta e tyre origjinale, një masë që do t’i detyronte shumë shqiptarë të zgjidhnin mes njërës apo tjetrës shtetësi. Ky propozim u cilësua si një provokim i pastër nga partitë e tjera dhe nuk mori mbështetjen e nevojshme, por shpërfaqi presionin në rritje ndaj komuniteteve të huaja.

Pavarësisht refuzimit të iniciativës kryesore, një dritë jeshile u dha për një ndryshim më të vogël por praktik: partitë e qendrës mbështetën idenë që koha e qëndrimit në Zvicër të mos llogaritet nga fillimi në rast se një person ndërron vendbanimin nga një komunë në tjetrën. Megjithatë, për sa i përket lehtësimit të përgjithshëm të natyralizimit për gjeneratën e dytë, Parlamenti mbeti i ndarë, duke mos ofruar asnjë kundërpropozim. Fjala e fundit tani i mbetet popullit zviceran, i cili do të vendosë në kutitë e votimit, por me një rekomandim të qartë negativ nga shumica e përfaqësuesve të tyre politikë. /Telegrafi/