LAJMI I FUNDIT:

Berisha e krahason Haradinajn me Ibrahim Rugovën: Të dy janë figura të larta të së djathtës shqiptare

Berisha e krahason Haradinajn me Ibrahim Rugovën: Të dy janë figura të larta të së djathtës shqiptare

Qeveria e Maqedonisë dhe shteteve të rajonit kanë marr guxim kohëve të fundit nga inferioriteti i qeverisë së Kosovës për të ngritur akuza dhe pretendime ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj, ka thënë Anton Berisha, anëtar i kryesisë së AAK-së në ‘Ora e Fundit’ të Klan Kosovës.

Të gjitha këto i ka thënë pasi Qeveria e Maqedonisë e ka përmendur Ramush Haradinajn kryetarin e AAK-së si njërin nga nxitësit e grupit të Kumanovës që ka ngjarë të shkaktojnë një konflikt vitin e kaluar.


Berisha ka deklaruar se këto deklarime tejkalojnë normat diplomatike dhe ka treguar arsyet pse Haradinaj sulmohet duke e krahasuar me presidentin e ndjerë Ibrahim Rugova.

“Akuzat kalojnë edhe normat diplomatike dhe kjo është një guxim i tepruar nga qeveria e Maqedonisë. Nuk ka ndodhur në Kumanovë asgjë që organet e shtetit maqedon nuk kanë qenë të informuar dhe atë skenar që e kanë krijuar vetë dëshirojnë ta shfrytëzojnë sa herë ata donë”,tha Berisha.

“Në historinë shqiptare të Kosovës kanë qenë dy figura që kanë thyer mitin sllav. Ata kanë qenë Ibrahim Rugova personi i parë që ka thyer mitin që shqiptarët s’kanë kulturë duke ia dëshmuar të kundërtën dhe Ramush Haradinaj personi i dytë i cili nuk është mposhtur asnjëherë në luftë”.

“Zoti Haradinaj sulmohet ende për ta dëmtuar çështjen shqiptare. Haradinaj është figurë e lartë edhe e djathtës shqiptare, sic ka qenë edhe zoti Rugova”, tha ai.

Më tej Berisha ka treguar më detajisht se për çfarë arsyesh bëhen këto akuza.

“Arsyet janë për ta dobësuar shtetin e Kosovës siç është duke ndodhur në periudhën e fundit karshi një qeverie totalisht inferiore ndaj fqinjëve dhe e heshtur. Ne nuk kemi pse të ndjehemi fajtorë nga skenarët që përgatisin shtetet fqinje në vendet e tyre”, tha Berisha.

Majtizmi i Vetëvendosjes nuk i pëlqen Berishës dhe nuk sheh problem pse AAK-ja nuk bashkëpunon më me ta.

“Nuk jam entuziast i Vetëvendosjes, asnjëherë nuk kam qenë, për shkak të orientimit të majtë dhe veprimeve të tyre të stilit majtist. Tema e Asociacionit dhe Demarkacionit është përtej politikës, përtej opozitës,” ka përfunduar Berisha, njofton Klan Kosova.