Beren Saat që u bë e famshme nga roli i 'Fatmagylit', në mesin e 22 të ndaluarve në operacionin për drogë dhe prostitucion


Aktorja turke Beren Saat, e njohur për publikun shqiptar për rolin e saj në serialin “Fatmagyl”, është përfshirë në raportimet e mediave turke lidhur me një operacion të gjerë të autoriteteve kundër aktiviteteve të dyshuara të lidhura me drogën dhe prostitucionin.
Sipas informacioneve të publikuara nga Zyra e Kryeprokurorit Publik të Stambollit, gjatë një serie bastisjesh të koordinuara në disa lokacione janë ndaluar 22 persona, ndërsa pesë të dyshuar të tjerë vazhdojnë të kërkohen nga policia, shkruan medyascope.
Raportimet bëjnë të ditur se në mesin e personave të ndaluar ndodhet edhe aktorja Beren Saat, së bashku me disa figura të tjera të njohura të botës së argëtimit në Turqi. Hetimet, sipas autoriteteve, lidhen me dyshime për veprimtari të lidhura me narkotikët dhe prostitucionin.

Gjatë kontrolleve të zhvilluara në banesa dhe adresa të ndryshme, ekipet e antidrogës kanë sekuestruar substanca narkotike dhe materiale që dyshohet se janë përdorur për trafikimin dhe shpërndarjen e tyre.
Autoritetet turke kanë bërë të ditur se procedurat ndaj personave të ndaluar janë ende në zhvillim dhe se hetimet do të vazhdojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e rastit.
Deri më tani nuk është bërë publik ndonjë vendim gjyqësor ndaj Beren Saat, ndërsa ajo, sipas raportimeve, ndodhet në fazën e procedurave hetimore. Autoritetet nuk kanë publikuar ende përfundime përfundimtare lidhur me përgjegjësinë e ndonjë prej të ndaluarve. /Telegrafi/















































