LAJMI I FUNDIT:

Bendi i rokerit shqiptar, nominohet për këngën më të mirë në historinë e rokut zviceran

Bendi i rokerit shqiptar, nominohet për këngën më të mirë në historinë e rokut zviceran

Një këngë e bendit të rokut nga Cyrihu, “Pablo Infernal”, i cili për lider ka shqiptarin Altin Asllani, është nominuar për këngën më të mirë rok të të gjitha kohërave në Zvicër. Fjala është për këngën “House of Gypsies” të edituar në vitin 2016, ndërsa atë e ka nominuar për këtë garë redaksia e SRF3 (transmetuesit publik të Zvicrës).

Të nominuara janë 40 këngë nga 40 grupe, bende zvicerane roku qe kanë krijuar ose vazhdojnë të krijojnë prej 50 vitesh e këndej.


Përzgjedhje e këngës së një grupi kaq të ri, në listën e grupeve që kanë bërë historinë e rokut zviceran për 50 vite, është dëshmi për cilësinë e “Pablo Infernal”, pavarësisht rezultatit që në fund do ta korrë.

Sigurisht që Zvicra nuk është ndonjë “superfuqi” botërore e rokut, por, të kujtojmë: gjatë këtij gjysmë shekulli, në këtë vend kanë krijuar edhe bende me njohje ndërkombëtare si “Gotthard”, “Krokus”, “Eluveitie” etj., prandaj të jesh në një konkurrencë me to, është vetvetiu një vlerësim i lartë për bendin e njëzetvjeçarëve, në krye të të cilit është Altini me prejardhje nga Presheva.

Sidoqoftë, ngritja e “Pablo Infernal” në këtë nivel nuk është edhe e rastësishme. Një vit më parë albumi “Lightning Love” i bendit qe zgjedhur më i miri për vitin 2016 nga SRF3.

Ata që duan të votojnë për këngën më të mirë të rokut zviceran të të gjitha kohëve, këtë mund ta bëjnë: KËTU. /albinfo.ch/