eksperti ad

Izraeli dhe Libani kanë arritur dhe nënshkruar një marrëveshje kornizë për tërheqjen e pjesshme të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF) nga jugu i Libanit.

Sipas marrëveshjes, forcat izraelite do të tërhiqen nga dy zona brenda brezit tampon, gati 10 kilometra të gjatë, që IDF-ja ka krijuar në jug të Libanit. Në këto zona, trupat izraelite do të zëvendësohen nga pjesëtarë të forcave të armatosura libaneze.


Këto zona, sipas palës izraelite, tashmë janë pastruar nga infrastruktura e Hezbollahut. Në disa raste, kjo ka përfshirë edhe shkatërrimin e plotë të fshatrave libaneze pranë kufirit, pasi IDF-ja pretendon se Hezbollahu i përdorte ato për planifikimin dhe kryerjen e sulmeve kundër Izraelit.

Marrëveshja kornizë u arrit në ditën e katërt të raundit të pestë të negociatave, të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara mes Izraelit dhe Libanit në Uashington. Me këtë rast, në Departamentin Amerikan të Shtetit u organizua edhe një ceremoni e vogël nënshkrimi, shkruan cnn.

Shtetet e Bashkuara ushtruan presion ndaj të dyja palëve për të arritur një marrëveshje deri në fund të raundit të negociatave të enjten, por u desh kohë shtesë për të ngushtuar dallimet mes tyre.

Si Izraeli, ashtu edhe Libani hynë në raundin e pestë të bisedimeve të pakënaqur me SHBA-në, pas vendimit të saj javën e kaluar për të nënshkruar një marrëveshje me Iranin, e cila përfshinte edhe një armëpushim në Liban.

Tel Avivi dhe Bejruti argumentuan se memorandumi i mirëkuptimit minonte një element kyç të negociatave të tyre të drejtpërdrejta, të cilat SHBA-ja i kishte organizuar posaçërisht për të kufizuar ndikimin e Iranit në zhvillimet në Liban.

Një burim tha se kjo qasje e SHBA-së e shtyu Izraelin të mbante fillimisht një qëndrim më të ashpër në negociatat me Libanin këtë javë, duke kufizuar ndjeshëm zonat nga të cilat ishte i gatshëm të tërhiqej në jug të Libanit.

Nga ana tjetër, Libani vlerësoi se duhej të mbante një qëndrim më të fortë në bisedimet me Izraelin, për të kundërshtuar perceptimin se Irani ka më shumë ndikim në territorin libanez sesa ka në të vërtetë, thanë burimet.

Për rrjedhojë, negociatorët libanezë paraqitën harta për tërheqjen e propozuar të IDF-së që përfshinin një tërheqje më të gjerë sesa ajo që Izraeli ishte i gatshëm të pranonte në këtë fazë, e cila ishte tashmë mjaft e kufizuar për shkak të presioneve politike me të cilat përballet qeveria e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu. /Telegrafi/