Bastisje për bixhoz, sekuestrohet armë automatike – dy persona dërgohen në mbajtje

Dy persona janë dërguar në mbajtje, ndërsa një tjetër është liruar në procedurë të rregullt, pas një bastisjeje të Policisë së Kosovës në një lokal në Deçan, nën dyshimet për organizim të skemave piramidale dhe bixhoz të paligjshëm, si dhe armëmbajtje pa leje.
Sipas raportit të Policisë, rasti është raportuar të shtunën rreth orës 22:30, pasi dyshohej se në një shitore, pronë e një të dyshuari, po zhvillohej veprimtari e kundërligjshme.
"Deçan 08.08.2026, 22:30. Është raportuar se në një shitore pronë e të dyshuarit mashkull kosovar është duke u ushtruar veprimtari e kundër ligjshme. Në konsultim me prokurorin është bërë bastisja në lokal ku gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar një kuti me çipa të lojërave të pokerit, një armë automatike, dhjetë fishekë dhe një çante dore me një brisk dhe një fakturë. Lidhur me rastin janë arrestuar tre të dyshuar meshkuj kosovarë dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit, dy nga të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, ndërsa njëri është liruar në procedurë të rregullt", thuhet në raport. /Telegrafi/



































