LAJMI I FUNDIT:

Basketbolli: Viti 2020 mes suksesit dhe vështirësive

Basketbolli: Viti 2020 mes suksesit dhe vështirësive
(Foto: basketbolli.com)

Viti 2020 sigurisht se nuk ishte fillimi më i mirë i një dekade të re, të paktën jo ashtu siç të gjithë e prisnim. Së bashku gjatë këtij viti ne kemi përjetuar periudha sfiduese të papara deri më tani në historinë e civilizimit të njerëzimit, ndërsa tani që jemi afër ta përmbyllim vitin 2020, ne besojmë se mund ta bëjmë këtë përmbyllje, me vetëdije të plotë, duke e ditur se çfarë është e rëndësishme për të gjithë ne, e ajo është një front i bashkuar për rimëkëmbjen, duke u bërë kështu bashkë të gjitha institucionet sportive, përfshirë këtu MKRS-në, KOK-un, Federatat, klubet, si dhe organizatat tjera sportive në vendin tonë.

Federata e Basketbollit të Kosovës e arritur shumë, pavarësisht pandemisë Covid-19. Mirëpo, ne nuk do të ishim në gjendje ta bënim këtë pa angazhimin dhe mbështetjen e të gjitha grupeve tona të interesit.


Sidoqoftë në FBK edhe në vitin 2020 nuk munguan sukseset. Nënshkrimi i marrëveshjes për Ligën UNIKE ndërmjet Federatës së Basketbollit të Kosovës dhe Federatës Shqiptare të Basketbollit, ishte një hap i madh për të dyja vendet. Ishte një ngjarje historike që ishte menduar se nuk do të mund të realizohej më parë, megjithatë falë punës së shkëlqyeshme dhe intensitve u jetësua nga FBK dhe FSHB, kuptohet me ndihmën e Qeverive të të dyja vendeve.

Po ashtu gjatë këtij viti u vendos për formimin e Përfaqësueses A të Femrave, që vitin e ardhshëm do të marrë pjesë në FIBA Kampionatin Evropian për Shtete të Vogla.

Gjithashtu në vitin e ardhshëm do të lansohet Plani Strategjik i FBK-së për periudhën 2021-2025.

FBK në vazhdimësi ka hartuar plane vjetore, që do të thotë se kanë qenë plane afatshkurtra dhe planet e tilla sigurisht se ishin shumë të mirëseardhura në pozitën ku ka qenë Federata atëkohë, por në pikën ku ndodhet tani Federata e Basketbollit të Kosovës një plan më afatgjatë i organizatës është vlerësuar si shumë i domosdoshëm, andaj FBK në bashkëpunim me FIBA-n brenda një periudhe prej shtatë muajve kanë punuar në hartimin e Planit Strategjik pesëvjeçar 2021-2025, të parin e këtij lloji për Federatën e Basketbollit të Kosovës prej vitit 1999 e tutje.

Sukses mund të quhet edhe organizimi i Final 8 në Rahovec apo edhe dy fitoret e Dardanëve në muajin shkurt përballë Islandës dhe Luksemburgut.

Sukses dhe sfidë ishte edhe organizimi i Final 8 Superkupës në katër qytete, që ishte gara e parë e organizuar pas ndërprerjes për shkak të pandemisë.

Ka ende shumë punë për të bërë përpara për të realizuar vizionin tonë, dhe këtë ne tashmë e dimë. Por, me krenari për atë që kemi arritur bashkërisht me grupet tona të interesit këtë vit, ne do të ballafaqohemi me të ardhmen me besim dhe optimizëm.

Këto ishin ngjarjet që e përshkuan vitin 2020 në Federatën e Basketbollit të Kosovës.

Grumbullohen Përfaqësueset e reja të Kosovës

Gjatë muajit janar Përfaqësueset e Reja të Kosovës i kanë mbajtur grumbullimet e para në Prishtinë. Përfaqësueset e Kosovës gjatë verës është dashur të luajnë në FIBA Kampionate Evropiane, megjithatë, kjo nuk ka ndodhur për shkak të përhapjes së pandemisë me Covid-19 në fillimit të muajit mars në të gjithë rruzullin tokësor.

Spektakël në Rahovec, mbi 15 mijë shikues

Prej 11 deri më 15 shkurt në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec është organizuar Final 8 Kupa e Kosovës në basketboll, në të cilën gjatë katër ditëve të pranishëm ishin rreth 15 mijë shikues.

Në Kupën e Ligës së Parë triumfoi Vëllaznimi, ku mundi AS Prishtinën me rezultat 72:66.

Në konkurrencën e femrave, triumfoi Bashkimi, që mundi në finale Mabetex Prishtinën 84:66. Saranda Daci, basketbolliste e KBF Bashkimi u zgjodh MVP.

Peja ka fituar Kupën e Kosovës në basketboll, duke mundur në finale Golden Eagle Yllin me rezultat 84:79. MVP u zgjodh Henrik Sirko, basketbollist i KB Pejës. KB Rahoveci edhe një herë u dëshmua si organizator i shkëlqyeshëm, duke i kryer me përpikëri të gjitha detyrat bazuar në Udhëzuesin për Organizimin e Final 8 të Kupës së Kosovës dhe në kontratën e nënshkruar në mes FBK-së dhe KB Rahoveci.

Dardanët me dy fitore dhe dy humbje

Kosova e ka mundur Islandën me rezultat 80:78, në ndeshjen e parë në kuadër të parakualifikimeve evropiane për FIBA Kupën e Botës 2023. Takimi është zhvilluar më 20 shkurt në palestrën e vogël në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë. Basketbollistët e Përfaqësueses së Kosovës kanë arritur që të gëzojnë rreth 3000 shikuesit e pranishëm në palestër, të cilët asnjëherë nuk rreshtën së përkrahuri ekipin tonë. Ndërkaq Kosova tri ditë më vonë është përballur me Luksemburgun si mysafire. Dardanët e kanë mposhtur edhe Luksemburgun në udhëtim me rezultat 80:84, në ndeshjen e dytë të parakualifikimeve evropiane për FIBA Kupën e Botës 2023. Te Kosova u dalluan Drilon Hajrizi me 25 pikë e shtatë kërcime, Erjon Kastrati me 19 pikë dhe Gëzim Morina me 13 sosh. Ndërkohë, në muajin nëntor, Kosova pësoi nga Sllovakia 91:67 dhe nga Islanda 86:62.

Rugova pranohet në programin FIBA Time Out 2.0

Drejtori i Përfaqësueseve të Kosovës, Granit Rugova është pranuar në programin FIBA Time Out 2.0. Ky program është shumë i rëndësishëm dhe menaxhohet nga FIBA, derisa pjesë e saj tashmë është bërë edhe Rugova, që më parë ka qenë edhe basketbollist i Përfaqësueses së Kosovës dhe ka fituar shumë trofe me Prishtinën, duke qenë ndër lojtarët më të dalluar vendor të pasluftës në basketbollin e Kosovës.

Ky projekt është unik dhe ka në shënjestër lojtarët elitë që janë pensionuar së fundi nga basketbolli dhe të cilët dëshirojnë të vazhdojnë karrierën e tyre në sportin jashtë fushës, ndërsa përbëhet nga një listë impresive, me emra të nderuar, duke përfshirë këtu kampionë olimpik, evropian dhe në nivel të klubeve. Më herët këtë program me sukses e ka përfunduar Elvira Dushku, Sekretare e Përgjithshme e FBK-së.

Mbahet Kuvendi i Punës së FBK-së

Federata e Basketbollit e Kosovës më 29 shkurt e ka mbajtur Kuvendin e Punës. Në këtë Kuvend, kryetari i FBK-së, Arben Fetahu dhe Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku kanë raportuar para delegatëve të pranishëm për punën e bërë gjatë vitit 2019 dhe për planet e vitit 2020. Të pranishëm në Kuvendin e Punës ishin 38 delegatë nga 43 sa numëron gjithsej Kuvendi i FBK-së. Të gjitha pikat e rendit të ditës janë miratuar me shumicë votash.

Mbahet aktiviteti “Her World, Her Rules” në Gjakovë

Federata e Basketbollit e Kosovës më 8 Mars në palestrën “Shani Nushi” në bashkëpunim me FIBA Evropën, UN Women Kosovo, Komunën e Gjakovës dhe KBF Vëllaznimin organizuan aktivitetin në basketboll për vajza të reja. Turneu është organizuar në kuadër të kampanjës së FIBA Europe Girls’ Program, “Her World, Her Rules”. Për tri orë janë organizuar shumë lojëra dhe kishte shumë befasi për të pranishmet e kësaj aktiviteti, i cili është udhëhequr nga trajneri i KBF Bashkimit, Furkan Sagklik, ndërsa i kanë asistuar trajneri i KBF Vëllaznimi, Pal Syla, si dhe basketbollistet, Saranda Daci, Jeta Zeka dhe Aisha Kaid. “Her World, Her Rules” është një projekt unik dhe fushatë në mediat sociale, e udhëhequr nga FIBA Europe që ka për qëllim të promovojë basketbollin e femrave dhe vajzave nëpër Evropë nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme që realizohen në partneritet me Federatat Nacionale.

Pezullohen garat vendore për shkak të pandemisë COVID-19

Federata e Basketbollit e Kosovës më 13 mars duke iu referuar Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, i ka njoftuar të gjithë anëtarët e saj, klubet e Superligës së Kosovës, Superligës së Femrave, Ligës së Parë të Meshkujve, Ligës së Parë të Femrave, Ligës së Dytë të Meshkujve dhe të gjitha klubet e ligave të kategorive të reja, se aktivitetet sportive, duke përfshirë këtu ndeshjet e basketbollit, janë pezulluar për shkak të përhapjes së pandemisë COVID-19. Me vendim të Bordit të FBK-së dy muaj më vonë garat më janë anuluar për të rifilluar me garat në edicionin e ri 2020/21 në muajin tetor me turneun e Superkupës së Kosovës.

Nënshkruhet Memorandumi i Bashkëpunimit mes MKRS-së dhe FBK-së

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka nënshkruar më 7 prill pesë Memorandume të Bashkëpunimit. Njëra ndër to ishte edhe me Federatën e Basketbollit të Kosovës. Kryetari i FBK-së, Arben Fetahu, ka nënshkruar memorandumin për përkrahje financiare. Ministrja Dumoshi pati theksuar se përkrahja e MKRS-së për Komitetin Olimpik të Kosovës dhe katër federatat ju mundëson atyre të kenë planifiikim më të mirë të aktiviteteve dhe të realizojnë programin e tyre në mënyrë më të suksesshme.

FBK me Grup të Punës për hartimin e Planit Strategjik 2021-2025

Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës më 20 prill e ka formuar një Grup të Punës, i cili ka punuar në hartimin e Planit Strategjik të FBK-së 2021-2025. Grupi i Punës është mbikëqyrur nga kryetari i FBK-së, Arben Fetahu, ndërsa është udhëhequr nga Sekretarja e Përgjithshme, Elvira Dushku, kurse në Grupin e Punës janë përfshirë të gjitha grupet e interesit të FBK-së, derisa FIBA gjithashtu ka qen pjesë e këtij procesi shumë të rëndësishëm për FBK-në. Grupi i Punës e ka filluar punën në muajin maj, kurse i gjithë procesi i planifiikimit strategjik ka zgjatur deri në fund të vitit. Plani Strategjik i FBK-së 2021-2025 do të lansohet në Kuvendin e Punës të FBK-së që do të mbahet në shkurt të vitit 2021.

FBK dhe SHTBK me Grup të Punës në përgatitjen e kritereve për licencim

Federata e Basketbollit e Kosovës dhe Shoqata e Trajnerëve të Basketbollit të Kosovës (SHTBK) më 21 prill i kanë filluar përgatitjet për edicionin e ardhshëm. Në fakt Bordi i FBK-së e ka formuar një Grup të Punës, i cili ka punuar në dy dokumente shumë të rëndësishme. Bëhet fjalë për përgatitjen e kritereve për licencim të trajnerëve për edicionin 2020/21 dhe kritereve për licencim të klubeve/shkollave të basketbollit.

Dushku mori pjesë në Takimet e FIBA Europe Youth Commission

Sekretarja e Përgjithshme e Federatës së Basketbollit të Kosovës, Elvira Dushku më 22 prill dhe 10 nëntor ka marrë pjesë në Takimin e Dytë, përkatësisht të Tretë të FIBA Europe Youth Commission (Komisionit të të Rinjve). Në fakt takimet ishim paraparë të mbaheshin në Munih, por për shkak të pandemisë COVID-19 janë anuluar (si të gjitha të tjerat në Evropë dhe Botë), dhe në këtë mënyrë FIBA Europe e ka organizuar videonkonferencën, ku pjesëmarrës ishin të gjithë anëtarët e këtij Komisioni, si dhe Presidenti i FIBA Evropës, Turgay Demirel dhe Drejtori Ekzekutiv i FIBA Europe, Kamil Novak. Ky Komision është njëri ndër më të rëndësishmit të FIBA Evropës dhe grumbullohet çdo tre muaj për të diskutuar për zhvillimin e basketbollit ndër gjenerata të reja, duke përfshirë këtu edhe projektet në zhvillim e sipër dhe ato të rejat.

Kryetari Fetahu mori pjesë në videokonferencën e organizuar nga FIBA Europe

Në mbledhjen e 29 prillit me Kryetarin e FIBA Europe, Turgay Demirel, Nënkryetarët Jean Pierre Siutat, Carmen Tocala dhe John Goncalves, Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu ka raportuar për situatën aktuale në basketbollin vendor, anulimin dhe suspendimin e garave, problemet aktuale dhe potenciale me të cilat jan përballur kterët në sferën e basketbollit, si dhe ka paraqitur idetë e tij lidhur me përkrahjen e mundshme nga organizata botërore e basketbollit gjatë fazës së rimëkëmbjes nga efekti i pandemisë së krijuar me COVID-19. Duke njoftuar krerët e FIBA Europe për tri procese të rëndësishme strategjike e strukturore në të cilat është duke u angazhuar FBK-ja për momentin – hartimi i Strategjisë për Zhvillimin e Basketbollit, krijimi i sistemit të edukimit dhe përcaktimi i kritereve për licencimin e trajnerëve të basketbollit dhe përcaktimi i kritereve për licencimin e shkollave të basketbollit në vendin tonë, Kryetari Fetahu kërkoi përkrahjen e FIBA Europe për këto procese.

Marmarinos ligjëroi para trajnerëve të Kosovës

Përzgjedhësi i Kosovës, Christos Marmarinos, më 14 qershor ka ligjëruar para trajnerëve të Kosovës, me anë të platformës online. Tema e ligjërimit ka qenë “Sulmi tranzicional dhe Sulmi i Hershëm”. Ai ka ligjëruar për rreth një orë, derisa në këtë ligjërim kanë marrë pjesë më shumë se 25 trajnerë vendorë të Kosovës. Ligjërimi ka qenë shumë i mirëseardhur për trajnerët vendorë, të cilët kanë fituar përvojë nga përzgjedhësi i Kosovës, i cili më herët kishte ligjëruar edhe para gjyqtarëve të Kosovës, për raportin Gjyqtar-Trajner.

Përfaqësuesja A e Femrave do të marrë pjesë në garat zyrtare të FIBA-s

Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) më 9 korrik ka marrë vendim për paraqitjen e Përfaqësueses A të Femrave në garat zyrtare të FIBA-s, më saktësisht në FIBA Kampionatin Evropian të Shteteve të Vogla, që do të organizohet në vitin e ardhshëm në Nicosia të Qipros prej 15 deri më 20 Qershor. Vendimi është marrë pasi është diskutuar më parë në Bord dhe pas analizave të bëra për Përfaqësueset e Kosovës në konkurrencën e femrave ndërmjet Kryetarit të FBK-së, Arben Fetahu, Sekretares së Përgjithshme, Elvira Dushku dhe Drejtorit të Përfaqësueseve, Granit Rugova.

Bordi i FIBA Evropës vendos që Evropiani i Divizionit C të mbahet në Prishtinë

Bordi i FIBA Evropës ka dhënë dritën e gjelbër për mbajtjen e Kampionatit Evropian, Divizioni C U16 më 2021 në Prishtinë. Ky kampionat është dashur që të mbahet këtë vit, megjithatë, për shkak të pandemisë Covid-19, të gjitha Kampionatet Evropiane për grupmosha të reja ishin shtyrë. Federata e Basketbollit e Kosovës kishte aplikuar sërish që Evropiani i vitit të ardhshëm të mbahet në Prishtinë dhe ka marrë miratimin nga Bordi i FIBA Evropës. Kështu, Kampionati Evropian për Divizionin C për meshkuj U16 do të mbahet në Prishtinë nga 13 deri më 18 korrik më 2021. FIBA i beson kështu Kosovës edhe një organizim të rëndësishëm, pasi në vitin 2018 kishte organizuar me sukses Kampionatin Evropian, Divizioni C për meshkuj U18 dhe në vitin 2019 dhe Kampionatin Evropian, Divizioni B për femra U20.

HISTORIKE: Nënshkruhet marrëveshja për formimin e Ligës Unike

Më 10 shtator në Tiranë është nënshkruar marrëveshja historike për formimin e Ligës Unike në basketboll mes Kosovës dhe Shqipërisë. Marrëveshjen e kanë nënshkruar, Presidenti i FSHB-së, z. Avni Ponari dhe kryetari i FBK-së, z. Arben Fetahu. Numri një i FBK-së ishte i lumtur që më në fund ky projekt madhor po finalizohet. “Jam shumë emocional në këtë ditë sikur kjo, ku po finalizojmë ligën unike të basketbollit. Dua të falënderoj të gjithë për përkrahjen që kanë treguar rreth kësaj lige që besoj se do të jetë shumë e veçantë dhe promotore e basketbollit shqiptar në përgjithësi. Prej ditës së parë kemi hasur në pengesa, por nuk jemi ndalur duke i tejkaluar të gjitha për ta krijuar këtë ligë që është e para mes Kosovës dhe Shqipërisë. Ky është moment historik dhe si sporti i parë që po e bëjmë këtë lëvizje shpresoj që të hapim dyert edhe për sportet tjera për një lëvizje të tillë”, ka deklaruar Fetahu.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka zbuluar logon dhe është shprehur se ky bashkëpunim duhet të thellohet edhe më shumë, dhe të mos ketë ndarje mes dy vendeve.

Marrëveshjen e ka përshëndetur edhe Presidenti i FIBA Evropës, Turgay Demirel, duke ofruar përkrahjen për këtë ligë, por edhe për basketbollin e Kosovës dhe atë të Shqipërisë. Ai përgëzoi dy federatat për këtë iniciativë, sidomos në këtë kohë të pandemisë. “Basketbolli tani ka nevojë për risi dhe forma të reja të bashkëpunimit për të ngritur interesimin, por edhe nivelin e garave”, deklaroi Demirel.

Në këtë ceremoni shumë të rëndësishme kanë marrë pjesë edhe znj. Besa Shahini, Ministre e Arsimit, Sportit dhe Rinisë në Shqipëri dhe znj. Vlora Dumoshi, Ministre për Kulturë, Rini dhe Sport e Kosovës.

Arben Krasniqi, Drejtor Teknik i FBK-së

Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës më 17 shtator e ka emëruar Arben Krasniqin në pozitën e Drejtorit Teknik (Drejtor i Programeve të Basketbollit) në FBK. Përgjegjësitë Kryesore të Drejtorit Teknik të FBK-së do të jenë: Të menaxhoj Programin Nacional të Certifikimit të Trajnerëve për FBK dhe SHTBK; Të zhvilloj dhe menaxhoj programin e trajnimit të trajnerëve të FBK-së; Të menaxhoj Qendrën Nacionale të Basketbollit dhe Akademitë e Basketbollit të krijuara në kuadër të kësaj qendre; Të koordinoj dhe menaxhoj të gjitha aktivitetet e shkollave dhe Universiteteve për FBK-në; Të koordinoj dhe menaxhoj Kampin Nacional të FBK-së për gjeneratat e reja. Arben Krasniqi, ish-basketbollist dhe ish-përzgjedhës i Kosova A, e ushtron zejen e trajnerit prej vitit 2003, ndërsa ka të përfunduar disa trajnime për trajnerë në nivel të lartë ndërkombëtar. Ai ka udhëhequr disa skuadra kosovare, ndërsa suksesin më të madh e ka arritur me Prishtinën.

Përmbyllet Java Evropiane e Sportit

Më 30 shtator është mbyllur edhe zyrtarisht Java Evropiane e Sportit #BEACTIVE me aktivitetin në 3×3, që u mbajt në Prishtinë, në lagjen Dardania, derisa aktivitet i ngjashëm ishte mbajtur edhe në Prizren. Këto aktivitete janë organizuar nga Federata e Basketbollit e Kosovës në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Turneu në Prishtinë ishte shumë mirë i organizuar, ku morën pjesë Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, Kryetari i FBK-së, Arben Fetahu, Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku, Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, Fitim Rexha, Drejtor për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Prishtinës, përfaqësues nga Ministria e Sportit, Departamentit të Sportit dhe Komunës së Prishtinës dhe personalitete nga basketbolli. Këtë aktivitet e ka përkrahur edhe zëvendësdrejtoresha e Departamentit të Sportit, Afërdita Fazlija.

Si në Prizren, ashtu edhe në Prishtinë, morën pjesë shumë ekipe në të dy konkurrencat nën moshën 15-vjeçare. Në fund është zhvilluar edhe një lojë relaksuese mes zyrtarëve të FBK-së, MKRS-së, Departamentit të Sportit dhe Komunës së Prishtinës, duke fituar duartrokitjet e të pranishmëve. Java Evropiane e Sportit u zhvillua nga 23 deri më 30 shtator.

Turneu i Reload Superkupës, fitojnë Sigal Prishtina dhe Bashkimi (F)

Prej 21 deri më 25 Tetor është mbajtur Turneu i Final 8 Reload Superkupës së Kosovës në basketboll, që është mbajtur në katër qytete: Gjakovë, Prizren, Suharekë dhe finalet në Pejë.

Në konkurrencën e meshkujve triumfoi Sigal Prishtina, që mundi në finale Bashkimin me rezultat 74:73.

Në konkurrencën e femrave triumfoi Bashkimi që mundi Kosovahome Prishtinën 75:72.

Krerët e lartë të FBK-së morën pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të FIBA Evropës

Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Arben Fetahu dhe Sekretarja e Përgjithshme, Elvira Dushku më 9 tetor kanë marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të FIBA Evropës, e cila është mbajtur për herë të parë në formë virtuale për shkak të pandemisë COVID-19.

Asambleja e Përgjithshme është udhëhequr nga Presidenti i FIBA Evropës, Turgay Demirel, në praninë e Presidentit të FIBA Botës, Hamane Niang, Sekretarit të Përgjithshëm të FIBA Botës, Andreas Zagklis, Drejtorit Ekzekutiv të FIBA Evropës, Kamil Novak dhe me prezencën e anëtarëve të Bordit të FIBA Evropës. Presidenti Demirel e ka mbajtur fjalimin e tij vjetor ku theks të veçantë kësaj radhe i ka dhënë rrethanave të veëanta që janë krijuar me rastin e përhapjes së pandemisë COVID-19, që edhe e ka pamundësuar organizimin e Asamblesë së Përgjithshme të ndodhte fizikisht këtë vit.

Presidentët e Komisioneve të FIBA Evropës, pjesë e të cilave janë edhe Kryetari Fetahu (Komisioni Legal) dhe Sekretarja e Përgjithshme, Dushku (Komisioni i të Rinjve) kanë raportuar para delegatëve për punën e bërë gjatë vitit 2019/20 në këto Komisione. Delegatët e pranishëm e miratuan zyrtarisht datën 15 Maj 2021 si datën e mbajtjes së Asamblesë së Përgjithshme të FIBA Evropës që do të organizohet në Sarajevë të Bosnje e Hercegovinës.

Fillojnë garat vendore

Në muajin tetor kanë filluar garat në Prince Caffe Superligën e Kosovës në basketboll, Ligën e Parë dhe të Dytë të Meshkujve, si dhe Superligën e Femrave dhe Ligën e Parë të Femrave.

Garat kanë filluar me ndeshjet e play-out-it për Superligën e Kosovës ndërmjet Trepçës dhe AS Prishtinës, ku mitrovicasit kanë shënuar fitore në të dyja ndeshjet dhe kështu e kanë ruajtur vendin e tyre në elitën e basketbollit kosovar.

Garat te ligat e kategorive të reja në të dyja konkurrencat janë shtyrë për një kohë të pacaktuar me vendim të Bordit të FBK-së për shkak të situatës me pandeminë Covid-19.

FBK vazhdon përfaqësimin e saj dinjitoz edhe në ASMC3 të KOK-ut

Në muajin tetor Komiteti Olimpik i Kosovës ka filluar punën me Gjeneratën e Tretë të Kursit për Edukimin Olimpik për Menaxhimin e Avancuar Sportiv (ASMC3). Pjesë e këtij programi në gjeneratën e tretë janë edhe Artina Hasani, menaxhere e Zyrës Ekzekutive të FBK-së dhe Dren Zatriqi, drejtor i Ligës UNIKE, që janë dërguar nga FBK-ja në këtë program shumë të rëndësishëm. Ndërkohë, pjesë e programit të Gjeneratës së Dytë ka qenë edhe Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku. Kursi i Avancuar për Menaxhimin Sportiv (ASMC) është një program edukues cilësor që paraqet platformën teoriko-praktike për avancim në punë në kuadër të Organizatave Sportive Olimpike (OSO), ku bëjnë pjesë sportistët, trajnerët, referët, klubet sportive, Federatat Sportive Kombëtare, Federatat Ndërkombëtare, Komitetet Olimpike Kombëtare, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, Komitetet Organizative, mediat etj.

Zagklis përgëzon Fetahun për punën e bërë në hartimin e Planit Strategjik

Sekretari i Përgjithshëm i FIBA-s, Andreas Zagklis nëpërmjet një letre dërguar Kryetarit të Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu e ka përgëzuar atë për angazhimin e pashoq për ta bërë lojën e basketbollit të rritet në të gjitha aspektet në Kosovë. “Unë do të doja të shprehja kënaqësinë time për faktin që mbështetja e FIBA-s është pritur mirë nga FBK. Vlerësimi dhe kënaqësia juaj për nivelin e ndihmës që keni marrë nga ekipi ynë në Mies dhe ai në Munih, është e rëndësishme për ne. Planifikimi Strategjik është një aktivitet thelbësor për çdo organizatë dhe për këtë arsye, FIBA vendosi të krijojë burime dhe programe të reja për të ndihmuar Federatat Kombëtare të krijojnë një Plan Strategjik, i cili mund të jetë një udhëtim mjaft sfidues. FBK ka qenë Federata e parë Kombëtare në Evropë që ka përfituar nga ky program i ri dhe ne jemi të lumtur të dëgjojmë se ai u zhvillua me sukses”, thuhet në letrën e dërguar drejt FBK-së. “Çelësi për suksesin e çdo plani strategjik qëndron në zbatimin e tij dhe nuk kemi dyshim se ju do të bëni të gjitha përpjekjet dhe do të jepni të gjithë energjinë e mundshme për të arritur të gjitha Objektivat SMART që keni krijuar për Federatën tuaj, duke e bërë planifikimin strategjik një kontribut të vërtetë në zhvillimin e basketbollit në Kosovë. Ju lutemi sigurohuni që stafi ynë do të vazhdojë të ndjekë me ju dhe Sekretaren e Përgjithshme Znj. Dushku (alumna e programit FIBA TIME-OUT) dhe të sjellë mbështetje sa herë që është e nevojshme dhe e mundur”, ka shtuar Zagklis, i cili në vazhdim e ka vlerësuar lartë FBK-në edhe për emërimin e Drejtorit Teknik të FBK-së, dhe menaxherit të basketbollit 3×3, si dhe interesimin dhe iniciativat e ndryshme të FBK-së për pozicionimin e femrës në basketboll.

Dushku, mentore në programin e SIGA-s

Sekretarja e Përgjithshme e Federatës së Basketbollit të Kosovës, Elvira Dushku më 9 nëntor është zgjedhur mentore në kuadër të iniciativës “SIGA Global Mentorship Programme For Aspiring Young Female Leaders in Sport” (Programin e SIGA-s për mentorim global të vajzavë të reja që synojnë të bëhen udhëheqëse në sport). Kjo iniciativë është pjesë e SIGA-s (Aleancës Globale për Integritetin në Sport). Dushku në këtë program është propozuar nga Elda Gjoka, Këshilltare Strategjike e Presidentit të Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Besim Hasani. Ndërkaq SIGA (Aleanca Globale për Integritetin në Sport) është koalicioni më i madh, i pavarur, neutral, botëror në botë në fushën e qeverisjes dhe integritetit të sporteve. Dushku së fundi ajo ka diplomuar në Kursin e Avancuar për Menaxhimin Sportiv (ASMC-Gjenerata e Dytë), organizuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës dhe Solidariteti Olimpik.

Saranda Daci transferohet në Superligën e Çekisë

Në fund të muajit nëntor njëra ndër basketbollistet më të dalluara të Bashkimit dhe Superligën e Femrave, Saranda Daci është transferuar në Superligën e Çekisë, te skuadra Slovanka MB. Ky është një hap i madh në karrierën e Dacit, që më herët ka qenë pjesë e Prishtinës dhe Penzës, duke fituar shumë trofe në basketbollin e Kosovës dhe duke qenë njëra nga lojtaret më të mira në Superligën e Femrave. Ky është një hap i madh për Sarandën, por edhe basketbollin e femrave, që një lojtare do të transferohet në Superligën çeke. Saranda pritet të jetë pjesë e Kosovës në FIBA Kampionatin Evropian të Shteteve të Vogla, që do të organizohet në vitin e ardhshëm në Nicosia të Qipros prej 15 deri më 20 Qershor 2021.

FIBA i beson FBK-së edhe një organizim madhor

Bordi i FIBA Evropës më 4 dhjetor ka vendosur për vendet organizatore, për ndeshjet e muajit shkurt të vitit të ardhshëm, që sërish do të jenë në formë në turneut në një vend të veçantë.

Kështu Bordi i FIBA Evropës ka vendosur që ndeshjet e Grupit B të Dritares së Tretë të parakualifikimeve evropiane për FIBA Kupën e Botës 2023 të mbahen në Prishtinë prej 15 deri më 21 shkurt 2021.

Kosova, Sllovakia, Islanda dhe Luksemburgu do të luajnë në Prishtinë. Dardanët do të përballen me Luksemburgun dhe Sllovakinë, kurse dy ndeshjet tjera janë Sllovakia-Islanda dhe Luksemburgu-Islanda.

Pas mbajtjes me sukses të ndeshjeve kualifikuese përkatëse në formë të “Bubble” në nëntor, Dritarja e Tretë dhe e fundit e të tre garave do të organizohen gjithashtu si turne në mjedise të mbrojtura, në mënyrë që të sigurojnë shëndetin dhe sigurinë e të gjithë pjesëmarrësve, ka bërë të ditur FIBA nëpërmjet një njoftimi.

Kriteret më të rëndësishme në zgjedhjen e mikpritësve, si për dritaren e mëparshme, ishin garancitë shëndetësore dhe të udhëtimit dhe pajtueshmëria me protokollet shëndetësore të FIBA-s, përfshirë testimin dhe hyrjen e kontrolluar në një mjedis të sigurt.

Federata e Basketbollit e Kosovës zotohet se do të mundohet maksimalisht, që këto ndeshje të zhvillohen pa asnjë problem, duke respektuar masat mbrojtëse.

Kosova në katër ndeshje të zhvilluar në Grupin B, ka dy fitore dhe dy humbje, aq sa ka edhe Sllovakia, derisa Islanda është lidere me tri fitore dhe një humbje, kurse Luksemburgu ka një fitore dhe tri humbje.

Nëse Dardanët shënojnë dy fitore në Prishtinë, do të kualifikohen në rrethin e ardhshëm, që do të ishte një sukses për basketbollin e Kosovës.

FBK – KosADA nënshkruajnë Memorandum Bashkëpunimi

Federata e Basketbollit e Kosovës ka nënshkruar Memorandumin e Bashkëpunimit me Agjencionin e Kosovës për Anti-Doping. Komiteti Olimpik i Kosovës, përmes Agjencionit të Kosovës për Anti-Doping, së bashku me Federatën e Basketbollit të Kosovës, mbështesin vlerat olimpike dhe integritetin në sport duke ndarë luftën kundër dopingut në shërbim të mirëqenies së shëndetit të sportistëve dhe parandalimit të pasojave nga substancat dopinguese. Agjencioni i Kosovës për Anti-Doping (KosADA), si autoritet vendor për luftimin dhe parandalimin e dopingut në sport, ndihmon dhe zhvillon aktivitetin e saj në pajtueshmëri dhe përbrenda Federatës së Basketbollit të Kosovës. Nënshkrimi i këtij Memorandumi të bashkëpunimit, nënkupton që të dy palët e pranojnë bashkëpunimin si të obligueshëm me qëllim të përmbushjes së detyrimeve ndaj WADA-s dhe organizatave tjera që bëjnë parandalimin dhe luftën kundër dopingut në sport. Marrëveshja është nënshkruar më 10 dhjetor nga kryetari i FBK-së, Arben Fetahu dhe Dr. Gëzim Murseli, koordinator, Agjencioni i Kosovës për Anti-Doping.

FBK dhe Liga UNIKE i bashkohen kampanjës “Vrapo Babadimër”

Më 13 dhjetor për të pestin vit me radhë është mbajtur Minimaratona humanitare, “Vrapo Babadimër”, që kësaj radhe ishte virtuale për shkak të situatës me pandeminë Covid-19. Qëllimi është që të ndihmojnë fëmijët me nevojë, derisa sipas organizatorëve do tu ndihmohet 350 familjeve në këtë vit. Kësaj kampanje humanitare i është bashkuar edhe stafi i Federatës së Basketbollit të Kosovës dhe Ligës Unike. Ata kanë vrapuar së bashku në Parkun “Gërmia” 5 kilometra, aq sa ishte e përcaktuar nga organizatorët për këtë Minimaratonë. FBK dhe Liga Unike janë të kënaqur që ishte pjesë e kësaj kampanje, që ka për qëllim të ndihmojë fëmijët me nevojë dhe këtë traditë do ta vazhdojë edhe në vitet e ardhshme. Kosova është në mesin e 60 shteteve që organizojnë një kampanjë të tillë, kurse ndihmat do të dërgohen për familjet në shtatë qytete të mëdha të Kosovës.

Arben Fetahu, Kryetar i FBK-së edhe për 4 vite

Arben Fetahu është rizgjedhur kryetar i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK). Fetahu është zgjedhur kryetar i FBK-së në vitin 2018, duke pasuar Erolld Belegun, kurse do të vazhdojë mandatin edhe për katër vitet e ardhshme.

Kështu u vendos në Kuvendin e Rregullt Zgjedhor të FBK-së, më 18 Dhjetor. Nga 29 delegatë sa ishin prezentë të gjithë ishin për, dhe me asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim, Fetahu do të vazhdojë punën në krye të basketbollit të Kosovës. Ai është pjesë e FBK-së që nga viti 2013. Në këtë Kuvend kanë marrë pjesë 29 delegatë, derisa ka munguar Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku për shkak të infektimit me Covid-19.

Delegatëve me anë të një video mesazhi u është drejtuar edhe Andreas Zagklis, Sekretar i Përgjithshëm i FIBA-s. Ai ka përshëndetur mbajtjen e Kuvendit të Rregullt Zgjedhor, duke konfirmuar përkrahjen nga FIBA. Ai ka shtuar se ky vit nuk ka qenë i lehtë për asnjë vend, megjithatë, janë mbajtur shumë gara të basketbollit.

Zagklis lavdëroi Fetahun dhe Dushkun, për punën që kanë bërë në këtë kohë të pandemisë, duke qenë shembull edhe për shumë federata tjera. “FIBA është shumë e kënaqur me punën e FBK-së. FIBA do të qëndrojë pranë jush në zhvillimin e basketbollit të Kosovës”.

Më pas janë zgjedhur edhe dy Nënkryetarët e FBK-së: Linda Shala dhe Artan Kurti.

Gjithashtu janë zgjedhur edhe shtatë anëtarë të Bordit: Teuta Abdullahu, Arben Bislimi, Rrahman Përteshi, Artan Qerkini, Alban Ramën, Valton Bilalli, Egzon Fetiu.

Ndërkohë në Këshillin Mbikqyrës janë zgjedhur: Fidan Hamiti, Shaqir Totaj dhe Artan Spahija.

Aktiviteti i fundit “Her World, Her Rules” për vitin 2020

Të shtunën në lagjen Marigona Residencë është mbajtur aktiviteti i fundit i FBK-së për vitin 2020 në kuadër të kampanjës së FIBA Europe Girls Program “Her World, Her Rules”. Ky aktivitet është mbajtur, derisa u zhvillua edhe ndeshja ndërmjet AA Kerasan Prishtinës dhe Junior 06, në Ligën e Parë të Femrave.

Vashat e reja përveç ndeshjes, kanë pasur mundësi të argëtohen dhe të jenë pjesë e këtij programi shumë të njohur. Gjithnjë e më shumë vajza janë pjesë e kampanjës “Her World, Her Rules”. Federata e Basketbollit e Kosovës ka mbajtur shumë aktivitete të tilla, derisa këtë vit kishte më pak për shkak të pandemisë me Covid-19.

“Her World, Her Rules” është një projekt unik dhe fushatë në mediat sociale, e udhëhequr nga FIBA Europe që ka për qëllim të promovojë basketbollin e femrave dhe vajzave nëpër Evropë nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme që realizohen në partneritet me Federatat Nacionale. Federata e Basketbollit e Kosovës është pjesë e projektit FIBA Europe Girls’ Program tash e dy vite dhe është duke e implementuar me mjaft sukses këtë projekt, ku FIBA Evropa për të tretin vit radhazi ka vendosur që të vazhdojë mbështetjen për FBK-në, e cila ka arritur që të rrisë numrin e vajzave të reja që e praktikojnë basketbollin, dhe njëkoh]sisht duke e rritur edhe numrin e klubeve të femrave.