Bashkimi e ka nisur me fitore serinë gjysmëfinale të play-offit ndaj Borës, duke triumfuar të mërkurën mbrëma në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren me rezultat 73:70.

Ndeshja ishte tejet dramatike dhe u vendos vetëm në aksionet e fundit. Bora e kishte nën kontroll takimin për pjesën më të madhe dhe pas çerekut të tretë krijoi epërsi prej 11 pikësh (59:48).


Megjithatë, Bashkimi reagoi fuqishëm në çerekun e katërt dhe arriti përmbysjen.


Rreth 2 minuta e 15 sekonda para fundit, skuadra prishtinase po udhëhiqte 70:66, por Shanon Shorter mori përgjegjësinë në momentet vendimtare.

Ai fillimisht ngushtoi epërsinë në 70:68 dhe më pas realizoi një treshe të madhe për 71:70 në të mirë të prizrenasve. Bora më pas humbi disa aksione rresht, ndërsa Shorter vulosi fitoren në fund për rezultatin përfundimtar 73:70.


Shorter ishte lojtari më i dalluar te Bashkimi me 28 pikë, 6 kërcime dhe 2 asistime, ndërsa Dequon Lake kontribuoi me 11 pikë dhe 8 kërcime. Te Bora, më efikasi ishte Jordan Dingle me 16 pikë dhe 3 kërcime.

Ndeshja e dytë e gjysmëfinales zhvillohet të shtunën në Prishtinë. Skuadra që arrin tri fitore kualifikohet në finalen e play-off të Superligës së Kosovës në basketboll. /Telegrafi/

telegrafi sport app