Bashkimi Evropian po bëhet gjithnjë e më rigoroz rreth rregullave të privatësisë. Prej disa vitesh BE-ja është një “gjemb në këmbë” për gjigantët e teknologjisë, veçanërisht kur bëhet fjalë për rrjetet sociale.

Sot, Komisioni Evropian i dërgoi një letër Whatsapp, duke i kërkuar kompanisë të sqarojë ndryshimet që prezantoi në vitin 2021 rreth kushteve të përdorimit. Si dhe për të kontrolluar përputhshmërinë e tyre me legjislacionin e BE-së.

“Whatsapp duhet t’u ofrojë përdoruesve të kuptojnë se për çfarë po bien dakord dhe si përdoren të dhënat e tyre personale. Sidomos të dhënat e ndara me partnerët e biznesit. Ne presim që ky rrjet të jetë në përputhje me rregullat e BE-së që mbrojnë konsumatorët dhe privatësinë e tyre. Kjo është arsyeja pse ne kemi nisur një dialog zyrtar”, tha komisioneri i drejtësisë i BE-së, Didier Rynders.

Komisioni Evropian dhe Agjencia Suedeze për Mbrojtjen e Konsumatorit kërkojnë që ky rrjet të shpjegojë se sa i respektohen rregullat e Bashkimit Evropian për Mbrojtjen e Konsumatorit.

Kjo vlen edhe nëse konsumatorët kanë informacion të qartë për pasojat e vendimeve të tyre për të pranuar ose refuzuar kushtet e përdorimit të kësaj kompanie.

Komisioni është gjithashtu i shqetësuar për shkëmbimin e të dhënave të Whatsapp me kompani të tjera Facebook/Meta.

Bashkimi Evropian i ka dhënë Whatsappit afat deri në fund të shkurtit për t’iu përgjigjur me hapa konkretë në zgjidhjen e këtyre problemeve. /Telegrafi/