LAJMI I FUNDIT:

“Bashkë për futbollin”, Agim Ademi shpalos programin e presidentit për mandatin 2022-2026

“Bashkë për futbollin”, Agim Ademi shpalos programin e presidentit për mandatin 2022-2026

Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ka mbajtur sot një konferencë për media, ku presidenti aktual Agim Ademi ka shpalosur programin e tij për mandatin e ri.

Sipas vendimit të marrë nga KE i FFK-së, Kuvendi i Rregullt Zgjedhor për mandatin e ri të presidentit do të zhvillohet më datën 6 prill, përcjell KosovaPress.


Ndërkaq, në konferencën e sotme, presidenti Ademi tregoi planin e tij për mandatin e ri, 2022-2026 nëse zgjidhet në krye të këtij institucioni.

Ademi krahason Kosovën me Brazilin në shpalosjen e programit të tij
Lexo po ashtu Ademi krahason Kosovën me Brazilin në shpalosjen e programit të tij

Fillimisht, presidenti i FFK-së falënderoi të gjithë bashkëpunëtorët e tij në këtë institucion për punën e palodhshme deri më sot, ku tha që pa ndihmën e tyre Kosova nuk do të ishte e njohur ndërkombëtarisht.

Po ashtu, falënderim i veçantë nga kreu i FFK-së shkoi edhe drejt Kombëtares së Kosovës, për rezultatet e arritura deri tani, ku cilësoi se futbollistët tanë na kanë bërë krenarë neve në 15 ndeshje pa humbje, gjë të cilën deri tani e ka arritur vetëm Brazili.

Sa i përket mandatit aktual të Ademit, i pari i FFK-së tregoi që asnjë projekt i dorëzuar nga Kosova drejt UEFA-s dhe FIFA-s nuk ka dështuar deri tani, kurse bëri të ditur që përgjatë këtij katër-vjeçari buxheti i FFK-së është rritur për afro 12 milionë euro, respektivisht, nga 5,400,000 euro në 17,160,000 euro.

Presidenti Ademi tregoi që si komunitet i futbollit tanimë Kosova po vazhdon të zgjerohet, ku deri tani janë evidentuar 32,860 persona që janë në mënyrë po një tjetër anëtarë të futbollit.

Gjatë këtij mandati, projekti më i rëndësishëm që ishte vlerësuar lartë ishte sjellja e VAR-it, por që ky projekt për Ademin nuk ishte më i suksesshmi, por ishte masivizimi i futbollistëve. Ademi tregoi që në vitin 2018 ishin 8,400 futbollistë të regjistruar, ndërsa sot kemi 12,668 futbollistë të regjistruar, ngritje kjo prej 67% në masivizim.

Më pas, presidenti Ademi shpalosi programin e ri të quajtur “Bashkë për futbollin”, program ky për mandatin 2022-2026.

Fillimisht, Ademi tregoi që synon që futbolli të futet nëpër shkolla, ku kanë kërkuar nga MKRS për ta shtuar një orë më shumë të edukatës fizike, e cila do t’i përkushtohet vetëm futbollit, në mënyrë që të nxirret talenti ose talentja më e mirë, ku më pas ai ose ajo do të vazhdojë karrierën e tij në qytetin e tij perkat.

Pikë tjetër kryesore e programit 2022-2026 do të jetë edhe infrastruktura, ku presidenti Ademi tregoi se do të fillojë riaktivizimi i futbollit spontan, respektivisht të rrugës, ku premtoi se në çdo qytet të Kosovës do të ketë stadiume të profilit të vogël të pajisur me reflektorë dhe drita, ku fëmijët do të monitorohen nga dy trajnerë të Kosovës dhe do të zgjidhen talentët e radhës nga kjo pikë.

Sa i përket fushës së investimit, presidenti Ademi tregoi që synon të rrisë kapacitetin në stadiumin “Fadil Vokrri” ku veçse janë të gatshme mjetet e nevojshme për këtë gjë, ndërsa tha që kapaciteti i këtij stadiumi pritet të mbërrijë shifrën e afro 22,000 ulëseve, që do të thotë se do të kemi edhe 8,000 ulëse të reja.

Kampi nacional në Hajvali është në rikonstruksion e sipër, ku Ademi tha që në mandatin e ri, ky kamp do të ketë edhe tribunat e tij, atë perëndimore dhe atë lindore, ku synohet që në këtë stadium të zhvillohen ndeshjet e U21 dhe ekipeve tjera, përveç të Kombëtares A.

Pikë tjetër e planprogramit të Ademit ishte edhe pajisja me reflektorë në çdo stadium të Kosovës, në mënyrë që ndeshjet të mos zhvillohen ditën, por në mandatin e ri të zhvillohen me fillim nga ora 20:45.

Për fund, i pari i FFK-së tregoi që njëri ndër projektet më të rëndësishme do të jetë akademia e futbollit, ku ky projekt veçse është aprovuar nga FIFA, dhe do të subvencionohet i tëri nga organi më i lartë qeverisës i futbollit.

Vendi i akademisë do të jetë në qytetin e Lipjanit, respektivisht në territorin e një shkolle e cila është e pa aktivizuar, ku do të ketë kapacitet prej 500 nxënësve si dhe të gjithë këta do ta kenë edhe konviktin e tyre.