LAJMI I FUNDIT:

Barcelona interesohet për talentin e Romës, Gonzalo Villar

Barcelona interesohet për talentin e Romës, Gonzalo Villar

Ishte janari i vitit 2020 kur Roma transferoi një mesfushor të quajtur Gonzalo Villar nga Elche në Spanjë.

Lojtari nuk po luante shumë tek skuadra në kategorinë e dytë spanjolle, por drejtuesit e klubit italian e kishin përcjellë atë gjatë dhe e dinin që bëhet fjalë për një lojtar të jashtëzakonshëm.


Villar ka shkëlqyer këtë edicion me Romën, duke u bërë një titullar i padiskutueshëm në formacionin e Paulo Fonsecas.

Në Itali kanë filluar ta krahasojnë mesfushorin spanjoll me ish-legjendën e Barcelonës, Xavi Hernandez, për vizionin që ka dhe organizimin fantastik të ndeshjes.

22-vjeçari ka zhvilluar 28 ndeshje këtë edicion me Romën dhe thuajse në asnjë nuk ka dëshpëruar me paraqitjen e tij.

Lajmet e fundit që vijnë nga Spanja raportojnë se Barcelona është duke u interesuar për transferimin e spanjollit.

Villar ka një kontratë afatgjate me Romën deri në vitin 2024, por drejtuesit e klubit italian duan t’i vazhdojnë atë edhe për dy vite të tjera, duke i përmirësuar edhe pagën.

Mesfushori spanjoll ishte bashkuar me Romën për katër milionë euro, ndërsa tani vlera e tij sillet rreth 35 milionë. /Telegrafi/